Sot shënohen 20 vite nga vrasja e Azem Hajdarit.
Për vrasjen e tij është dënuar me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmani,
Izet Haxhiaj u dënua me 25 vjet në mungesë si bashkëpunëtor, ndërsa vëllai i tij, Ismet Haxhiaj, doli pak kohë më parë nga burgu.
Por çfarë thoshte për këtë vrasje vetë Jaho Mulosmani?
Rrëfimi i Jaho Mulosmanit për Mira Kazhanin:
Ju e donit Berishën në atë kohë?
Unë e kam respektuar shumë në fakt. Edhe për arsye personale. Atë ditë e di që e ka ndërmjetësu Sokoli, e kujtoj si sot kur ju mbushën sytë me lotë. Mendoj që në atë kohë Berishën e keqinformonin. Duhet ta kenë keqinformuar për atë ditë. Aty është manipulu dhe për fat të keq Berisha manipulohet kollaj.
Kush e manipulonte?
Nuk e di mendoj se kur doli në qytet e keqinformuan për prishjen e mitingut.
Ka një percepetim se ka patur një konfrontim, provokim nga vëllai i Fatmir Haklajt në atë miting?
Aty ka një keqkuptim. Atë ditë atyre u ishte vrarë djali i xhaxhait tek Ura e Milotit, në Lezhë, nga një bande grabitesish. Kanë dalë me i grabit dhe në përleshje e sipër nuk e kanë dit kush janë dhe i kanë qëllu. Nga kjo gjendje mendoj se është kriju edhe keqkuptimi. Kam dëgju shumë budallalliqe që kanë dash me prish mitingun, kanë dash me vra Berishën… Nuk janë të vërteta!
Po çfarë ndodhte në Tropojën e atyre viteve? Më saktë kush ishte pikënisja e vrasjeve?
Vrasja e vëllait të Fatmirit në një pritë me 17 persona ishte fillesa. Falë pozicionit që kisha, njohjeve shoqërore unë dija gjithcka ndodhte në Tropojë. Morem pjesë 17 veta për ta vrarë atë. 360 gëzhoja armë u gjetën në vendngjarje. Shumica ishin tropojanë. Interesant është fakti që është vrarë në orën 4 dhe në 4 e 5 minuta, jemi njoftuar. Tirana ka njoftuar Bajram Currin që është vrarë Shkëlqim Haklaj. Nga zyrat e PD në Tiranë u bë njoftimi…
Dhe pas kësaj ngjarjeje ju gjendeni në 12 shtator në Tiranë. Pse para selise së PD? Kë kërkonit të takonit?
Kërkonim të takonim një mik, i cili sot e kësaj dite është afër atyre (e ka fjalën për PD-në). Nuk ishim aty për të vrarë Azemin. Të gjithë flasin sot, Azemi, Azemi por kurrkush nuk e çon në fund atë. Askush nuk bën përpjekje ta zbardhur vrasjen e tij. Nuk ishim aty për ngjarjen që ndodhi as për ndonjë të mundshme sic aludohet ndonjëherë. Po kërkonim të sqaronim diçka. 10 ditë para babai i Fatmirit kish taku Azemin me kërkesë të këtij të fundit,. Babai i Fatmirit e ka regjistru të gjithë bisedën. Aty dëgjohet Azemi që ka lyp me ardh me jetu në Tropojë, dhe ka shfajësu veten për vrasjen e Shkëlqimit (vëllai i Fatmir Haklaj). Azemi në të gjitha mënyrat e mundshme ka shfajësu veten duke thënë se ai nuk kish lidhje me atë vrasje, dhe ka fol dhe disa gjëra të tjera për të cilat nuk është momenti me fol sepse kur nuk t’i merr askush për baze nuk kanë vlerë të thuhen…
Ekziston ajo kasetë edhe sot?
Po po, kaseta ekziston. Azemi ka fol plot gjëra edhe brenda zyrave të PD, po më së shumti ai donte të shfajësohej dhe të vinte i qetë në Tropojë.
Ju nuk e tregoni emrin e mikut që donit të takonit atë ditë? E kurseni atë emër edhe pse vetë jeni i dënuar përjetë për një krim që nuk pranoni ta keni kryer. Kaq bujar jeni?
Ai ka jetën e tij tashmë. Kur të vijë momenti dhe kur të kuptoj se duan vërtet ta zbardhin ngjarjen, normal që do ta them. Normal që edhe ai do të merret në pyetje. Kërkonim të merrnin nga ai një opinion sesa e vërtetë është fjala e këtij dhe sa ishte fjala e të tjerëve. Dhe që të jem i sinqertë për vëllain e vrarë të Fatmirit, dyshimet dhe akuzat kanë qënë për Berishën dhe Azemin. Janë akuzu zyrat e PD. Sepse në orën 4 ndodhi vrasja në Tropojë dhe ne atje, në Tropojë u njoftuam nga selia e PD në Tiranë. Fatmiri e mori vesh nga Tirana, kur ngjarja kish ndodhur 2 km larg qytetit në vijë të drejtë. Aq afër sa mund të ndiheshin edhe krismat!
Kërkoi atë ditë Fatmir Haklaj të takohej me Berishën ose Azemin?
Jo fare, as atë ditë dhe asnjë ditë nuk ka kërkuar t’i takojë. Unë e kam thënë edhe në sallë të gjyqit, ai për mua ishte një incident. Pse u desh që ne të vinim aty, me një makinë të bënim një vrasje dhe të shkonim në Tropojë? Unë isha shef krimesh, kisha një komisariat në dispozicion, pse u desh të vija të bëja një vrasje në Tiranë para PD? Nëse ishte diçka me paramendim mund të kishim gjet një mënyrë tjetër.
Vinte në Tropojë Azemi lirisht?
Dhe sikur të mos vinte, ai lëvizte nëpër rrugët e Shqipërisë krej lirshëm, e kishe gjithë ditën rrugëve. Mua kush më ndalte të shkoja ta gjeja kudo?
Atë ditë komunikuat, patët një bisedë me zotin Hajdari?
Ky është një tjetër manipulim i madh. Një manipulim edhe në gjyq. Po për gjyqin e dinë të gjithë që ishte një manipulim. Ju do thoni, pse nuk i thatë në gjyq ato që dini? Nuk i thashë sepse e kam dit prej fillimit sesi do ishte fundi. Nuk e pashë të arsyeshme të flisja. Unë kam pa shumë e dëgjuar, por një emision për çëshjtjen Hajdari më ka lënë shije të hidhur, një Opinion nga Blendi Fevziu. Kam shumë informacion edhe për mënyrën sesi dhe pse u bë ai emision. Por nuk dua të flas sot.
Po pse të mos i themi sot? Cfarë informacionesh keni ju?
Dalin kolegë të tu dhe bëjnë ekspertin e armëve, kur s’kanë mundur ta bëjnë këtë profesionistët, ekspertët më të mirë që ka pas prokuroria e përgjithshme, ta bëj një gazetar që s’ka prek armë me dorë?! Pak rëndësi ka… Se më vonë e kish pranuar edhe ai vetë me një të afërm timin, që nuk ishte e vërtetë si e tha ai historinë por s’ka lidhje ajo punë. Gjërat sqarohen avash-avash. Aty lihej të kuptohej se ne kemi shkuar me paramendim. Por nuk është ashtu. Ne donim të takonim personin X, ta thashë nuk është etike t’i përmendim emrin tani që ai ka një jetë të përditshme, ka jetu e punu edhe gjatë kohës së pushtetit te atyre me ata. Ai ka qënë njeri dashamirës edhe i joni edhe i Azemit të tjerëve. Ai ka dash me bë ndërmjetësin për diçka të mirë. Ka dash të bëj diçka të mirë.
Atëherë çfarë ndodhi?
…Azemi atë ditë ka dalë nga zyrat e PD dhe ka ardh drejt nesh. Ma thuaj ti… Ti je në makinën tënde, rri e pret dikë tjetër. Unë kam qënë civil sikur jam edhe sot. Po vetëm këmisha ka qënë blu në atë kohë, (sot ka veshur një këmishë ngjyrë pink). Nuk kisha as armë në trup, nuk e mbaja për shkak të kostumit atë ditë.
Ju pa armë në ato kohë?! Si është e mundur?
Jo pa armë, jo. E mbaja në makinë por nuk e kisha në trup. Fatmiri po, kishte armë në trup. Ai ishte punonjës i policisë. Vërtet ishte ulur në gradë por ka qënë punonjës dhe e mbante. Ai (Azemi) vjen me pistoletë silenciator. Tash çfarë duhet të mendonte Fatmiri, të ma tregojë dikush mua? Një person që deri dje e ke akuzu për vëllain dhe sot ai të drejtohet me armë? Për këtë them unë që aty ka qënë incident. A e thirri kush Azemin të dal? Ne s’e thirrëm! As miku i përbashkët nuk e ka thirr…
Pse doli Azem Hajdari. Kush e thirri? Cfarë informacionesh keni ju?
Unë e di të vërtetën!
Të vërtetën tuaj…
Dihet ajo. E dinë të gjithë në PD dhe nuk flet askush me zë. Askush nuk tregon që atë ditë Azemi ka qënë në drekë në Lushnje. Ka ngrënë drekë me ca djem që mbaheshin si për të fortë në Lushnje. Ka qënë edhe me Genc Pollon atje. E ka thirr doktori në telefon. Fillimisht ka qënë me doktorin ku kanë mbaru mitingun në Fier dhe janë nda, më pas krejt papritur doktori e ka marr dhe i ka thënë hajde urgjent në Tiranë. Pse nuk ja tha këtë në Fier? Ata ishin bashkë! Pse nuk ja tha dy orë përpara?
Pse e thirri sipas jush?
Atë e di ai. Kush e thuri intrigën? Këtë është dash me e zbulu prokuroria. Unë s’e kam mohu ndonjëherë se kam qënë në vendngjarje.
Sa orë qëndruat aty?
Gjysëm ore… Tani i rikthehem sërish pyetjes: çfarë duhet të mendonte Fatmiri kur dikush i vjen me armë në dorë gati me qëllue. Një deputet i parlamentit që mban pistoletë me silenciator dihet pse e mban. Pse nuk e kishim ne një të tillë me vete? Unë kisha në shtëpi 3 ose 4 copë po s’i mbaja me vete.
Ju jeni shprehur se keni disa gjëra për t’i thënë zotit Berisha por do ja thoni vetëm në sallën e gjyqit. Ai nuk erdhi kurrë të dëshmojë, dhe sot që flasim ndoshta ajo seancë nuk do bëhët kurrë….
Kurrë mos thuaj kurrë! Janë disa gjëra teknike që nëse nuk shqyrtohen nga hetues të mirë kot sa i thua se shumica thonë, po kërkon të shfajësohet. Ndoshta edhe kur të shikojnë këtë intervistë do thonë : – Asht ka shfajsohet! Unë nuk dua të shfajësohem. Kam bërë 14 vjet burg. Do të bëj edhe më. S’kam më interes të shfajsohem. Por të gjitha ata që e kanë dash vërtet Azemin, duhet me lyp me u hetu çështja. Kush u bë shkaktar me u vra Azemi?! Unë e kam thënë edhe në shoqëri e kudo që Fatmiri nuk do e kish vra Azemin!
Por po thoni se atë ditë e vrau për vetëmbrojtje?
Në ato momente çfarë do bënte tjetër?! Të vjen dikush me armë. Dhe është një person që mendon se mund të të këtë organizu vrasjen e vëllait, çfarë do bënte ai? Më thoni ju? Cdokush do mbronte jetën e vet. Prandaj këmbngul unë që atë ditë ishte incident vrasja, në çdo rrethanë tjetër mund të kish qënë e paramenduar. Por jo atë ditë!
Nuk u vërtetua asnjëherë nga drejtësia por edhe nga të gjithë leximet që kam bërë para kësaj interviste nuk rezulton që ju të keni qënë qitësi. Pse nuk u akuzua asnjëherë Fatmir Haklaj por u akuzuat ju? Pse u përdor emri juaj, gjithmonë nëse kjo është e vërteta!
E para njëherë, aty janë gjet vetëm një palë gëzhoja, që nënkupton se është përdorur vetëm një armë. Ato gëzhoja ose i ka qit Fatmiri ose i kam qit unë. Domëthenë të dy nuk gjuajmë dot njëkohësisht. Gjuan njëri dhe ja kalon armët tjetrit, kjo është e pamundur të ndodh. Nëse do më ishte rreziku jeta dhe mua, normal që ashtu do kisha vepru. Plus që ata që njohin Fatmirin e dinë që aty ka ndodh diçka e castit. Unë isha në timon dhe po flisja në telefon. Unë kam zbrit nga makina pasi ka ndodh ngjarja. Aty u desh të gjendej një fajtor, të dënohej dikush. U desh një kokë turku. Me Fatmirin nuk e bënin dot, se kishin frikë. Unë isha në marrëdhënie pune, shef i policise, kë do akuzonin? E shikon sot çfarë bëhet për një polic të thjeshtë? Dhe duhet përdor dhe një llogjikë të thjeshtë, kush ja pa hajrin vdekjes së Azemit? Ja pamë ne? Ja panë socialistët? Fatos Nano? Absolutisht.
Thuhet se ishte një marrëveshja e juaj me Fatos Nanon, disa thonë me Shik-un e kohës dorëzimi juaj në këmbim të mbrojtjes së familjes e cila u dërgua jashtë. Me premtimin se gjatë rrugës do përfitonit amnisti dhe një ditë do e merrnit lirinë. Por jeni brenda. Kush ju tradhëtoi?Jeni penduar që u dorëzuat?
Është mania me gjetë gjithmonë një tradhtar. Absolutisht. E para mundet edhe me më tradhtu por unë nuk besoj tek dikush që mundet të më tradhtojë një ditë. E dyta dhe më e rëndësishmja është se familja ime ka ik në mënyrë tjetër jashtë shtetit. Nuk ka qënë shteti shqiptar që më ka garantuar familjen, por është bërë në mënyrë private. Nuk ka asnjë lidhje shteti shqiptar me largimin e mbrojtjen e familjes time. Familja ime është largu nga Shqipëria nga miqtë e mi. Jetojnë jashtë dhe kanë jetën e tyre sot. Nuk ka asnjë dokument që vërteton se shteti shqiptar është angazhuar për mbrojtjen e familjes time. Mua më kanë arrestuar. Janë përralla ato që thuhen lart e poshtë. Nuk ka asnjë dëshmitar që të thotë se ndonjë strukturë e shtetit mbrojti familjen time.
Megjithatë, ka një dëshmitar që implikon emrin tuaj. Është ish badigardi i Azem Hajdarit i cili ka dëshmuar se qëlluat ju ndaj Azem Hajdarit. Ai është në azil politik sot…
Ah, ndaj them unë që duhet hetuar dosja Hajdari. Edhe gazetarët u morën më shumë me mua sesa me gjyqet. (M.K.: më poshtë ai i rikthehet dëshmisë së badigardit).
Disa ju shohin si një hero e disa si një killer. Madje femrat ju shihnin në ato vite edhe si djalë të pashëm. Disa ju përshkruanin si gjimnazistin e urtë që u bë killer. Keni vrarë ju ndonjëherë, qoftë edhe për vetëmbrojtje?
Nëse gjendesh në një situatë që jeta jote është në pikëpyetje gjithkush do vras. Çfarë mendimi duhet të jap unë, kur tani po vuaj një vendim gjykate. Si thotë Doktori mbi gjykatat nuk është askush. (qesh me ironi)
Gjykata thotë që jeni vrasës…
Ta provojnë. Të hapin dosjen, hetimet dhe jam gati të përballem. Dhe nëse gjykata do thotë diçka ndryshe duhet ta pranojnë të gjithë. Gjithmonë flas për një të ardhme.
Për cfarë të ardhme e keni fjalën? Ku besoni tek ajo, kur edhe gjykata e Strasburgut e rrëzoi apelit tuaj! Dhe nga ana tjetër duket sikur politika ka frikë të prek këtë dosje, drejtësia gjithashtu…
Nuk ka frikë, por në 2001 u bë një fill pazari me dosjen Hajdari. Ishte koha, politika, shumë faktorë me të cilët u bë pazar. Ndërsa Strasburgu bëri një lojë proçeduriale. Ata që njohin aspektin juridik e dinë çfarë loje bëhet. E dinë të gjithë të vërtetën.
Zoti Mulosmani ajo c’ka dinë të gjithë është se ju jeni i dënuari i përjetshëm për vrasjen e deputetit Hajdari…
Po thoja që në Strasburg janë bërë shkelje në atë mënyrë që të rrëzohej çështja…
Po akuzoni Strasburgun?
Jo jo më vjen keq…Por edhe sikur ta akuzoj nuk është diçka e re. Të gjithë mund të gabojnë. Të paktën dy libra i kam lexu që të kuptoj sesi funksionon shteti, si funksionon bota. Por po thoja, se kur u dërgua çështja ime në Strasburg, këta çuan paralel një çështje tjetër. Lojë proçedurash. Edhe normal cfarë do bëjnë gjyqtarët në Strasburg? Kur ju shkon një çështje tjetër ku thonë se ja edhe për këtë akuzohet ky, çfarë do bëjnë ata? Është bërë lojë proçeduriale. Avokati i shtetit… Avokati im, nuk është njoftuar fare.
Ju cfarë mendoni për veten tuaj, ta lëmë mënjane botën se ç’mendon ajo për ju…
Jam një njeri normal.
Pa fat?
Njeriu fatin e bën vet dhe mua rrethanat më sollën në këto kushte. Duhet të pajtohesh me fatin, s’ke ç’ben.