Rrëfimet e ultrasve të gjashtë klubeve: Ja si na dhunon policia në stadiume
Thuajse çdo javë pas ndeshjeve të Kate gorisë Superiore vijnë ankesa nga tifozëri të ndryshme që përfaqësojnë klubet që militojnë në elitën e futbollit shqiptar. Ato janë një dhe të vetme: kundër sjelljes së forcave të rendit. Dhuna policore tashmë është bërë e shpeshtë në stadiumet tona dhe rasti i fundit në ndeshjen Partizani-Kukësi, ku afro 1 mijë ultras të kuq braktisën stadiumin, i vuri kapakun një fenomeni negativ që po shqetëson opinionin sportiv së fundmi.
Janë të shumta arsyet e ankesave të tifozëve karshi policisë. “Panorama Sport” tentoi dje të bënte një forum me gjashtë grupime tifozërie të skuadrave si: Skënderbeu, Partizani, Kukësi, Vllaznia, Flamurtari dhe Tërbuni. Të gjitha kanë histori dhune në stadiume, madje të përsëritura. Por nga ky fenomen në stadiumet tona, që është shtuar gjithnjë e më tepër, ultrasit japin versionet e tyre. Natyrisht ata nuk kanë të drejtë të ankohen në momentin që janë protagonistët kryesorë të dhunës, por ama për rastet që tregojnë, bëjnë fajtor totalisht policinë e shtetit.
Një hallkë problematike është edhe bashkëpunimi klub-polici, që duket se funksionon pak për mbarëvajtjen e ndeshjeve. Këtë e konfirmojnë edhe incidentet e fundit në stadiumet shqiptare. Kualifikimi i forcave të rendit për mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe kontrollin e tifozëve duket se lë shumë për të dëshiruar dhe në rast se nuk ndërhyhet, atëherë nga java në javë do të prodhohen precedentë si ai i Partizani-Kukësi. Dhunë policore nuk mund të ketë atëherë kur tifozët s’prodhojnë incidente. Banderolat që vendosën tifozët në stadium tashmë janë bërë çështje dhe kjo është një nga arsyet pse tifozët po kapen me policinë. Është momenti që klubet dhe policia e shtetit të marrin seriozisht këtë çështje, duke vepruar ashtu siç e ka gjithë Europa. Mëkatet e policisë shqiptare janë të mëdha edhe në kontrolle: femrat në stadium i kontrollojnë… burrat!
“Ujqërit e Dëborës”: Si na rrahën forcat e rendit
Dhuna e policisë në ndeshjen mes Skënderbeut dhe Beshiktashit është rrëfyer dje për “Panorama Sport” nga një prej kryetifozëve të Skënderbeut. Kristi Samara ka pranuar të tregojë me detaje përplasjet mes ultrasve dhe forcave të rendit në ndeshjen e fundit në “Elbasan Arena”, ku disa ultras korçarë u shoqëruan edhe në komisariat. “Ne si grupim e kundërshtuam këtë dhe ata e nxorën inatin te kryetifozi që qëndronte majë hekurave për të drejtuar tifozët. Nuk donin ta linin atë dhe një tifoz tjetër që e kanë zbritur me dhunë nga hekurat dhe e kanë tërhequr zvarrë për ta nxjerrë jashtë. Këtu edhe ne kemi reaguar, pasi nuk mund të rrish të shikosh një shok që goditet. Më pas ata shoqëruan edhe pesë tifozë të tjerë në stadium”, tregon Kristi.
“Flota Kuqezi”: Po na pengojnë për gjëra absurde
Dhuna e policisë ndaj tifozëve në stadiume dënohet nga ultrasit e Flamurtarit. Paulo Maka, një prej përfaqësuesve kryesorë të grupimit “Flota Kuqezi”, thekson për “Panorama Sport” se i gjithë faji bie mbi policinë. E ndërsa tregon raste konkrete ku grupimi vlonjat ka rënë pre e dhunës, Maka bën të ditur se asgjë nuk do t’i pengojë ultrasit të mbështesin ekipin. Sipas ultrasit kuqezi, nëse situata përkeqësohet, ata do të marrin edhe nisma konkrete. “Çfarë faji mund të ketë një tifoz që sakrifikon për ekipin e tij?! Çfarë faji ka një tifoz që bën kilometra për të ndjekur ekipin e tij dhe për ta mbështetur atë?! Dhe, kudo që shkon, dhuna ndaj nesh është e dukshme nga ana e policisë. Këta nuk dinë të thonë që nuk lejohet daullja, nuk lejohen shkopinjtë e daulles se është urdhër dhe janë të dëmshme. Vallë policia e do më tepër se ne ekipin?”, thote Paulo Maka.
Tifozët e kuq: Edhe biberoni i fëmijës 1 vjeç konsiderohej armë e ftohtë
Dhunën psikologjike të policisë në ndeshjen e fundit mes Partizanit dhe Kukësit e kanë provuar në kurriz dhe familjarë të shumtë, të cilët kishin ardhur në stadium së bashku me fëmijët e tyre, për t’u dhënë një pamje sa më të ngrohtë shkallëve të stadiumit “Qemal Stafa”. Një nga familjet e shumta që pati vështirësi për të hyrë brenda në stadium ishte edhe ajo Selimi, ku Jetoni, së bashku me bashkëshorten e tij Ejonën dhe dy fëmijët Emin 5 vjeçe dhe Alkanin vetëm 1 vjeç (rikthehej në stadium Alkani i vogël pasi u bë protagonist një vit më parë kur erdhi me prindërit e tij kur sapo kishte mbushur 32 ditë) mundën të hynin në stadium vetëm pas minutës së 15të të ndeshjes. Jetoni, i cili është gazetar në profesion, për “Panorama Sport” rrëfen ndodhitë që i cilëson si një sjellje të turpshme të policisë. “Edhe njëherë u hap vetëm një hyrje në D2, ndonëse tribuna ka dy të tilla. Unë së bashku me familjen time shkuam si gjithnjë në stadium, por kësaj radhe patëm marrë dhe më të voglin, Alkanin, që është ende foshnjë. Jo vetëm që nuk patëm asnjë trajtim ndryshe si familja ime ashtu dhe familjet e tjera, por edhe kur arritëm të afroheshim te porta e hekurt, forcat e rendit filluan të bënin sjellje që personalisht i cilësoj abuzive, sepse të presësh lejen e shefit për të cilësuar ose jo një biberon si ‘armë të ftohtë’, më duket qesharake, – rrëfen Jetoni.
“Armata e Veriut”: Skandal, na trajtojnë si kriminelë
Përfaqësuesi i tifozëve kuksianë dhe i tifogrupit “Armata e Veriut”, Blerim Kaboçi, flet në lidhje me grupin ku bën pjesë, si dhe vështirësitë që ata hasin në shkallët e stadiumeve. Sipas tij, policia jua ka bërë punën më të vështirë dhe shpeshherë ka vepruar jashtë rregullores dhe ligjit. Në një prononcim për “Panorama Sport” Kaboçi shprehet: “Ajo që ndodhi në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në ndeshjen e së shtunës mbrëma ishte një turp i vërtetë për policinë. Ata njerëz që ishin në stadium nuk u trajtuan si tifozë dhe sportdashës, por si kriminelë. Masat që ndërmerr Policia e Shtetit janë komplet të panevojshme dhe nuk sjellin gjë tjetër, veçse acarimin e tifozëve. Në ndeshjen me Partizanin, ‘kupa u mbush’, kur nuk lejuan tupanin dhe banerin në stadium. Baneri është identifikim për çdo tifozëri, ndërsa tupani festë./Panorama Sport









