Ata ulin sytë përpara gjykatësve. Herë shfaqen të turpëruar, ndonjëherë të penduar, por që të gjithë janë njësoj. Të dehur apo esëll, ata dalin para gjykatës për të njëjtën akuzë, dhunë në familje. Shpesh Gazetasi.al, ka sjellë historitë drithëruese të grave që dhunohen, që ulin kokën dhe durojnë për vite me radhë. Por çfarë thonë ata që me çfarëdo mjeti, qëllojnë një grua, qoftë ajo gruaja, vajza apo nëna e tij?
“Kërkoj ndjesë, ndihem i penduar , i kërkoj falje nënës”, – tha me sytë e ulur 35-vjeçari A.S., i cili e goditi të ëmën në gjendje të dehur.
“Të kam falur bir”, – shtoi gruaja, e cila përmendi se marrëdhënia nënë bir ishte normalizuar dhe se shpresonte shumë që i biri me status beqar të mos konsumonte më alkool.
Ditën kur ai u kthye nën efektin e pijeve alkoolike, ai filloi të shajë prindërit dhe më pas të kërcënojë me jetë nënën me anë të një thike buke, të cilën e ka marrë në kuzhinë duke thënë: “Mos lëvizni se do ju vras”.
“Ç’të them, është i turpshëm ky veprim dhe s’kam asnjë fjalë tjetër përveç se lutjes për t’u falur”, – belbëzoi i riu përpara Gjykatës së Tiranës, që vendosi ta pushojë çështjen me besimin se ky moment ishte një pikë kthese dhe se ai nuk do vinte më kurrë alkool në gojë.
“Unë nuk e kam kërcënuar asnjëherë nënën time”, – u justifikua shtetasi J.K., i cili tha vetëm një lutje përpara gjyqtares Rexhina Merlika. “Jam i penduar”, – këmbënguli ai, teksa e ëma e frikësuar se mos 33-vjeçari dënohej, u kthye menjëherë në krah të tij gjatë gjykimit.
“Im bir nuk është kriminel”, – deklaroi gruaja, e cila për të mbuluar dhunën bëri me faj veten duke shtuar. “Nuk doja të qëndronte në banesë”.
Por fashikulli i policisë, sipas asaj që i vihet në dispozicion gazetes, tregon se i riu, me shumë mundësi ishte një përdorues droge, i cili ishte kthyer në një njeri të dhunshëm dhe të papërmbajtshëm. Edhe gruaja e të riut pohoi dhunën e ushtruar, nga e cila kishte vendosur që t’i jepte fund martesës, por që asnjëherë për hatër të dashurisë, as që i shkoi në mend ta denonconte. Që i riu ishte përdorues droge dhe i dënuar edhe herë tjetër për dhunë në familje, e pohuan të dyja gratë dhe alibia e fundit u konfirmua edhe nga këqyrja e sistemit ‘TIMS’ dhe ‘Adam’, nga ku del në pah se i riu ishte shpallur fajtor në prag të verës 2021 për të njëjtin krim.
“Konsumoj ndonjëherë drogë të tipit kokainë ose marijuanë, pasi më respektojnë njerëzit dhe më qerasin. Kam marrë lekë me fajde tek disa persona në rrugën ‘5 maji’, emrat e të cilëve nuk e di. Asnjëherë nuk kam ushtruar dhunë, apo të jem zënë me nënën, gruan apo vëllain. Për bashkëshorten, besoj që është ankuar për mua, pasi ka të bëjë me çështje pasurie që lidhet me një dyqan që kam planifikuar ta shes”, – mohoi i riu, bëjnë me dije burimet.
Përballë tij është dëshmia e pandryshueshme e të ëmës, që thotë se ai dilte jashtë kontrollit dhe për këtë e dhunonte sistematikisht, ku duke qenë totalisht i droguar, e kapi për flokësh dhe i kërkoi para.
“Nga frika se do më bënte ndonjë gjë, ia dhashë paratë, – thotë nëna e tij, e cila pa të birin me thikë, teksa i kishte futur në borxhe si familje. – Na ka futur në borxhe, pasi kemi shitur gjithçka për të, na ka futur në kredi, pasi na vinin borxhlinjtë dhe s’dimë ku t’i gjejmë. Ndonjë ditë ai do vijë në banesë dhe do na vrasë“, – u ankua e moshuara në polici për djalin që ndërkohë pyeste: “I kam rrahur? S’di ta kem bërë këtë gjë”.
“Është e vërtetë, të rinjtë janë bërë të dhunshëm nga varësitë, nuk po flasim më për dhunë për shkaqe patriakalizmi, por për një valë dhune që ka shpërthyer nga droga, alkooli e bixhozi. Burrat po e bëjnë këtë gjë, por edhe djem të droguar e vajza të droguara”, – citon një zyrtar policie, i cili është i aktivizuar pranë seksionit kundër dhunës në familje.
“Ne kemi përshtypjen, sepse këto raste dalin në media, mbi gra që vriten nga burra të dhunshëm, por kemi lënë jashtë vëmendjes arsye të tjera të vrasjeve dhe dhunës në familje. Ka gra që rrihen për shkaqe ekonomike, kryefamiljarët janë të frustruar, pasi nuk përballojnë më shpenzimet, para për fëmijët për shtëpinë dhe shpenzimet dhe ata shkojnë në shtëpi dhe rrahin gratë e tyre”, – deklaroi prerazi një nga oficerët pranë Komisariatit numër 5, që mbulon fshatra të Tiranës, por kryesisht edhe Kamzën dhe Paskuqanin, prej nga ku raportohen rastet me ekstreme të dhunës.
“Nuk është mirë që ta ndajmë gjoegrafikisht kryeqytetin apo vendin, pasi në mes të Tiranës ka dhunë dhe dhuna nuk ushtrohet vetëm në periferi. Por nëse do ta ndanim kështu, – thotë sekretarja gjyqësore, që merr pjesë në gjyqe për urdhra-mbrojtjeje – atëherë, dhuna në fshat është për shkaqe ekonomike, alkooli dhe patriakalizmi. Kurse dhuna në qytet nga droga, xhelozia dhe tradhtia”.
Një ditë më parë gazeta raportoi duke u bazuar në të dhënat 8-vjeçare të policisë, se në tetë vite u raportuan gati 30 mijë raste me pothuajse gjysmën e tyre që kërkuan urdhër mbrojtjeje dhe me gati 600 persona të arrestuar çdo vit për këtë krim.
Por e fokusuar vetëm tek dhuna ndaj grave, fenomeni që ka shpërthyer për shumë shkaqe, e ka kthyer shtëpinë në një ambient të pasigurt edhe për prindërit, vëllezërit që rrihen për pronat, gra që dhunohen nga partnerët dhe çifte që përfundojnë në drama, pasi nuk pranojnë divorcin dhe të moshuar që rrihen me nuset dhe nga nuset.
Pashë një person me kapuç që doli nga shtëpia
Dy të moshuar u dhunuan nga nusja e tyre, pasi ata jetonin me të dhe e kapën në flagrancë, teksa po përcillte një djalë me të cilin ajo kishte krijuar lidhje jashtë martesore.
Si rrjedhim, nusja i dhunoi ata teksa tregoi se u bë e dhunshme dhe i qëlloi, pasi vjehrra dhe vjehrri nuk e kuptonin dhe po e mbysnin me rregulla.
Burri i të resë gjendet në Angli dhe siç duket, ajo kishte mbetur me prindërit e tij dhe dy fëmijët. E moshuara thotë në dosjen që iu vendos në dispozicion gazetes, se “dëgjoi disa hapa në banesë dhe nëpërmjet dhomës së gjumit , nëpërmjet pasqyrës që ndodhet në korridor, pashë nusen që shikonte me dyshime. Në këtë moment u ngrita dhe pashë një person me rroba të errëta me kapuç në kokë që doli nga shtëpia. E pyeta kush je ti dhe ky person u kthye përballë meje dhe më pas iku me vrap. U ktheva dhe i thashë kush është ky person, nusja nuk pranoi, u shkëput dhe shkoi me vrap në kuzhinë, ku morri një thikë të madhe dhe ma afroi, duke më thënë mos mu afro”.
E rraha se ngriti zërin e radios
“Unë isha i bezdisur, vajza dëgjonte radio me zë të lartë”, – pohoi me zë të ulët para oficerëve L.Sh., i cili iu vuri thonjtë në fyt të bijës, duke e akuzuar se po I prishte qetësinë.
Duke u mbrojtur, burri këmbëngul se nuk e përballon dot adoleshencën e të bijës që bën zhurma, dëgjon muzikë me volum të lartë dhe kjo i shkakton dhimbje koke. Por ai u pendua dhe për këtë kërkoi ndjesë.
“E qëllova me shpullë dhe gruaja i doli në mbrojtje, e qëllova dhe atë, pasi e mbulon vajzën shpesh dhe nuk e lë të mësohet me rregulla”.
Pikërisht për rregullat foli në polici, sipas burimeve edhe R.B., që duke u dridhur, jo vetëm ia la fajin alkoolit, por pretendoi se gruaja nuk i respektonte prindërit, “ajo sillet arrogante dhe shpesh herë vetëm kërkon që të bëjmë jetë të veçuar prej prindërve. Jam fëmijë i vetëm dhe nuk i braktis prindërit, por gruaja më duket se i urren”, – dëshmoi i akuzuari, që nga dëshmitë e prindërve i dolën në krah nuses.
“Ai pi , vjen i dehur dhe nusja e pyet pse ka harxhuar para. Nusja jonë është e duruar dhe duhet ta kishte denoncuar më herët djalin. Shumë herë ia kemi hequr ne nga duart nusen, e rreh, pasi pi alkool dhe bëhet i pakontrollueshëm”.
“Mbase e pi ndonjë gotë, por nuk është alkooli shkak”, – kundërshton në fashikullin që iu tregua gazetes 42-vjecari.
“Ime shoqe flet shumë, kërkon llogari dhe asnjëherë nuk më dëgjon. Mbase duhet të ndahemi”, – e mbyll me ndjesë dëshminë i akuzuari, që veç pendesës kërkoi gjithashtu mëshirë./Si
/m.j