Nga Ben Andoni/
Në mënyrën sesi po e transformojmë titullin del se kemi një shumësi rrëfenjash, por në fakt është një histori plot me mini-rrëfenja në të njëjtin mjedis. Mund t’i shkojë shumë mirë edhe butaforia e një mjedisi të vetëm, nëse do të bëhej teatër. Gjetja është e jashtëzakonshme në romanin “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” dhe e bën pa asnjë dyshim Ylljet Aliçkën mjeshtrin e kapjes dhe hedhjes në letër të një subjekti. Por pse po e sjellim tani? Libri ka kohë që është për publikun, por fatkeqësisht, pasi u botua dhe iu bë publicitet ai është harruar krejt. Ky është argumenti ynë Por, pse tani pra? Pasi është aktual dhe ne përsërisim gjithnjë të njëjtat gjëra dhe mbi të gjitha kujtesa na është zbehur. E pse nuk e vazhdoi jehonën?-mund të pyesë dikush. Do përgjigjeshim se është përkthyer, por libri në shqip na duket se është harruar, mbase pak nga xhelozia, por edhe për faktin se ka të ngjarë që shumica dhe e atyre që kanë folur për të nuk e kanë lexuar. Një fenomen tipik kombëtar.
Libri është zgjidhur me një narracion në vetën e tretë, pa ndonjë strukturë të ngatërruar, pak me logjikën e skenarit, që autori është i dashuruar në vitet e fundit dhe gati i shkruar menjëherë. Gjetja është kaq e bukur sa një analizë e hulumtueshme mund të gjej të meta në strukturë të romanit, mbase në leksik, në vetë mini-rrëfimet, por që nuk e zbehin fare, sepse gjetja disa herë e kalon dhe vetë njeriun që krijon.
Edhe pse grotesku i Aliçkës shkon gati në hiperbolë ti nuk mërzitesh. Të duhet vetëm një çast të kuptosh se ky libër në dukje ka këto elementë, por në fakt ai është fare real. Madje nuk e shfajëson fare autorin që me elegancë por edhe me përgjegjësi profesionale ka vendosur epigramin shtirak (e përdorin të gjithë që në fakt e njohin si ai realitetin që shkruajnë) në fillim të librit, se çdo ngjashmëri me persona realë është e rastit. Ky libër është një rrëfenjë historike e kohës sonë, por që përmbledh të gjithë të huajt që kanë qenë në vendin tonë dhe e kanë përdorur atë për të mbuluar defiçensat e tyre, por edhe më shumë akoma: pasiguritë e jetës së tyre dhe mbi të gjitha mosdashurinë ndaj vendit tonë. Dy personazhe shqiptare janë “pak” për të treguar individin shqiptar, por jo për Aliçkën, që e ka zgjedhur me anë të simbolizimit të dy shtresave të ndryshme tipike shoqërore. Tradicioni i njërit përballet me meskinitetin e punonjësve të huaj; kurse sinqeriteti dhe dëshira e punonjësit tjetër për punën me menefregizmin dhe përbuzjen ndaj individëve si ai të vendeve në zhvillim.
Roshi, personazhi kryesor, që përfaqëson në një farë mënyre punonjësin e ndershëm shqiptar dhe që është dëshmitar i të gjithë këtij paradoksi, pak nga pak i zbehen të gjithë ato që ka ngritur në kokë për të huajt me të cilët ishte lidhur fare rastësisht. Libri ka edhe një element dramatik, që tregon në një vektor fillimin dhe fundin e personazhit tonë, që fillon nga një fushë dhe përfundon në një fushë tenisi. “Roshi e kishte kapur fatin, ashtu siç kapet çdo fat në jetë, pra rastësisht, një pasdite vjeshte, aty te fusha e tenisti, kur zëvendës/ambasadorit të përfaqësisë, një pinjolli mondan, nuk i erdhi partneri i tij i lojës dhe e ftoi të luante me parin që pa aty rrotull dhe që ishte nëpunësi Rosh, i cili, prej një viti ishte i papunë, shtynte aty ditët e tij monotone. Ish-nëpunësi Rosh fitoi setin e parë dhe, kur në pushimin midis dy seteve diplomati i lartë e pyeti se ku punonte, ai u përgjigj në gjuhë të huaj : Asgjëkundi”. Atëherë diplomati i lartë i tha Roshit se ishte një post vakant në përfaqësitë ndërkombëtare. Pasi dëgjoi këtë informacion rrëngjethës, Roshi e la zëvendës/ambasadorin të fitonte tre sete radhazi, çka e bëri diplomatin e lartë të mos qëndronte shpërfillës gjatë procesit të ndërlikuar të përzgjedhjes së Roshit për në detyrën e re”…
Libri është një lloj historie e të gjithë shqiptarëve që kanë punuar me të huajt dhe pse jo dhe vetë Ylljetit. Ta ketë tejkaluar vallë? Pa asnjë mëdyshje që po. Por për ata që kanë punuar aty, Ylljeti është treguar ende shumë e shumë ‘i butë’, anipse dukshëm therës në këtë grotesk.
Ky lloj zhanri e përmbledh dhe i rri mirë autorit, që duhet tashti të tregojë sesa do të gjejë një mundësi që skenarin e ardhshëm të filmit bazuar mbi këtë roman, ta përshtasë si duhet për pelikulën. Libri është një mrekulli jo thjesht në përballjen e të huajve me shqiptarët, por e të gjithë të huajve me lokalët, kudo që punojnë. Kjo është zgjidhja e këtij libri, që duhet thënë se ia vlen të referohet dhe madje t’u jepet të huajve që vinë tek ne për ta lexuar. A ka probleme teknike? Mund të punonte pak më shumë me parimin e akuarelit, mund të ishte pak më i thukët në tërësi. S’ka rëndësi çfarë themi, pasi gjetja i ka vendosur poshtë të gjitha. Rrëfenja, në fakt, është bashkësi rrëfenjash, që të mëson se vendi yt është më i shtrenjtë sesa e shohin “kolonizatorët” me kollare shpesh herë.
Titulli: Një rrëfenjë me ndërkombëtarë
Autori: Ylljet Aliçkaj
Gjinia: Roman
Botues: OMSCA-1
Faqe: 180
Çmimi: 500 Lekë