• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, April 28, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Rrëfehet vëllai i Mehmet Shehut nga Kanadaja: E helmuan, më pas e vranë

by Java News
16/12/2016 12:23
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Duro Shehu, vëllai i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, jeton prej më shumë se dhjetë vjetësh në Kanada. Por kjo distancë prej dhjetëra mijë kilometrash nuk e pengon të ndjekë me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Sidomos ai është i ndjeshëm për çdo gjë që flitet rreth vëllait të tij të famshëm. Bindja e tij është e palëkundur se Mehmetin e vranë njerëzit që do të merrnin pushtetin më pas. Por pushtetin ata nuk mund ta merrnin përsa kohë Mehmeti ishte gjallë.

Ja si shprehet ai për gazetën Dita:

“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba. Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz.

Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur “Jagoja”, Kadri Hazbiu.

Por në marrjen e vendimit ka qenë dhe një i tretë, “Hrushovi”, Ramiz Alia. Idajeti nxjerr Ramizin, Kadriun dhe Feçorrin. E besoj se mund të ketë ndodhur ashtu. Por unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, por dhe që kanë lindur pasi ai u vra, kam bindjen po t’i pyesësh (se do u kenë treguar nënat, baballarët, gjyshërit), mbi këtë çështje do të thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri pa lejen e Enver Hoxhës”.

Duro Shehu ka argumentimin e tij për këtë që thotë, duke ndjekur një vijë logjikë të luftës dhe përpjekjeve që janë bërë për ta eliminuar Mehmetin qysh në vitit e para pas çlirimit.

“Shumëkush mund të mendojë se urdhri u dha për shkak të fejesës së djalit të tij, Skënderit, me një vajzë nga Turdinjtë, familja e së cilës kishte biografinë me probleme. Por nuk është kështu. Urdhri për eliminimin e tij është shumë i largët. Unë i kam ato të dhëna dhe i kam publikuar në librin tim që kam botuar para disa vjetësh me titullin “Mehmet Shehu, im vëlla”. Puna është që përpjekjet për ta eliminuar Mehmetin kanë filluar që në ’48-ën. Ishte Koçi Xoxja me klanin e tij. Pra nuk ishte e rastit vrasja e Mehmet Shehut. Plani për eliminimin e tij ka filluar që në atë kohë”, thotë Duro Shehu.

Lidhur me rolin e Kadri Hazbiut në vrasjen e Mehmetit, Duro Shehu thotë se atij i ishte premtuar të bëhej kryeministër, megjithëse ishte Mehmeti ai që kishte dhënë dorën dhe e kishte bërë ministër të Brendshëm. Por Kadri Hazbiu nuk u bë as edhe një ditëkKryeministër, por që ai të ishte i tillë, ekzistonte çdo mundësi.

“Fakti që Kadri Hazbiu ishte njeriu që lexoi fjalimin para popullit në përfundim të Kongresit të 8-të të PPSH-së, ndërkohë që, një gjë të tillë herët e tjera e kishte bërë Mehmet Shehu, tregonte se ai ishte në pozita të forta për të marrë kreun e ekzekutivit. Ata që e mbajnë mend e kujtojnë mirë se në mbyllje të Kongresit, si gjithmonë udhëheqja doli tek kolonat e Teatrit të Operas dhe sipas traditës, për masën e gjerë të publikut, kryeministri bënte një rezyme të shkurtër. Kjo ka qenë dhe procedura. Por në vend të Mehmet Shehut, konkluzionet i mbajti Kadri Hazbiu. Ata, që i njihnim mirë procedurat, u habitën, por në këtë rast kanë reaguar edhe mediat e huaja, që ishin tepër të vëmendshme se si ndodhnin ndryshimet në këto raste. Ky ishte një sinjal. Një paralajmërim…”

Ja si e përshkruan Duro Shehu momentin kur mori vesh lajmin e vdekjes së Mehmetit:

“Në orën 15:00 të datës 18 dhjetor isha duke ngrënë drekë në shtëpi bashkë me gruan dhe dy vajzat. Ra telefoni. Ishte Veli Llakaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Më tha: “E di ti Duro që shoku Mehmet vrau veten?” Shtanga. Telefoni u mbyll. U ktheva në kuzhinë gjunjëprerë dhe dyllë i verdhë. Kur gruaja dhe vajzat më pyetën se ç’kisha, u thashë: “Bëhuni të forta. Sa mora vesh se Mehmeti ka vrarë veten…” Gruaja menjëherë tha: “E vranë Mehmet Shehun!”

Vendi nuk më zinte. Ç’të bëja? Mora në telefon Veli Llakajn. “Shoku Veli,- i them,- ministri i Mbrojtjes, shoku Kadri, në zyrë është?” “Po, -më thotë,- në zyrë është, në zyrë jemi të gjithë”. “Të lutem,- i thashë,- thuaji shokut Kadri se dua të vij ta takoj”. “Mirë,- më tha Veliu dhe mbylli telefonin. Mbas 40 minutash më merr në telefon Veli Llakaj e më thotë: “Duro, hajde. Shoku Kadri të pret në zyrë”. Vajta, i ndjekur nga dy oficerë të Sigurimit nja 10-15 hapa pas meje… U desh një orë që të takoja Kadri Hazbiun. Me sa dukej ai kishte biseduar me Komitetin Qendror për këtë takim me mua. Fjala e parë që më tha Kadri Hazbiu, pa më dhënë as dorën ishte: “Çfarë do Duro? Pse erdhe?” Më erdhi shumë keq nga ajo pritje e Kadriut, por s’kisha ç’të bëja… Pas pak, Kadriu më thotë tekstualisht: “Po ja, more Duro, Mehmeti (jo shoku Mehmet) vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut”. “Më fal që të ndërpres,- i thashë Kadri Hazbiut, -por unë nuk di asgjë për atë vajzë…” Pasi më tha nja dy fjalë për mbledhjen e Byrosë Politike, Kadriu më porositi që bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Arshiun dhe Nexhipin, bashkë me gratë të shkoja dhe ta përgjonim Mehmetin tërë natën dhe të nesërmen të shkonim ta varrosnim. “Atje është dhe Fiqreti me djemtë”, më tha… “Partia dhe qeveria nuk i varrosin armiqtë, se puna e Mehmetit mund të jetë armiqësore. Ky është urdhër nga lart”,- më tha Kadriu. “Nga Kryeministria në varrim do të vijë një mikrobuz me disa veta nga administrata. Kam kaq me ty. Ik tani!” Duke dalë nga zyra, pavarësisht nga gjendja që isha, i thashë Kadri Hazbiut me zë të ulët: “Po ju si do bëni, shoku Kadri?” Kadriu u nxeh dhe m’u kthye me zë të lartë: “Dil jashtë! Nuk kam më punë me ty!” Në të vërtetë unë nuk ia thashë me ndonjë qëllim të keq Kadriut ato fjalë.

Duro Shehu dëshmon se si është sjellë Kadri Hazbiu pas eliminimit të Mehmet Shehut: “Ditën e hënë erdhi Kadriu në Ministrinë e Mbrojtjes. Mblodhi të tërë oficerët në sallën e kolegjiumit. Më shumë se 200 ushtarakë. Ishte sekretari i parë i Komandës së Aviacionit dhe i Flotës. Domethënë, i gjithë aparati. Erdhi Kadriu. “Ja, – tha ai,- dhe ai vrau veten. (e kishte fjalën për Mehmetin). Unë kam mbetur tërë natën pa gjumë. Më thoshin fëmija: Babi do bëhesh Kryeministër. Dhe unë u thosha: Po dale ore, këtë e vendos Byroja Politike”. Për këto fjalë janë dëshmitarë shumë nga 200 oficerët pjesëmarrës në këtë mbledhje. S’kanë vdekur të gjithë, shumë prej tyre janë gjallë ende.

Më tej, Duroja tregon: “Në atë kohë bëhej xhiro në bulevardin e Tiranës deri në orët e vona. Gjithë populli dilte në xhiro, se nuk kishte as makina. Tek i gjithë populli u përhap lajmi që Kadri Hazbiu do bëhej Kryeministër. Pastaj u hap fjala që Enveri vdiq. Donin ta shikonte Shqipëria dhe bota. E nxorën në Galerinë e Arteve Figurative. E nxorën Enverin, e ulën në një karrige. Në krahun e djathtë Kadriu në këmbë, në të majtën Ramizi. Fliste populli: E patë shokun Ramiz, e patë shokun Enver. E patë shokun Kadri në krahun e djathtë. Ai do bëhet Kryeministër. Shkurt, ishte përhapur fjala në të gjithë Shqipërinë që pas Mehmetit, Kadri Hazbiu do të bëhej Kryeministër i vendit. Mirëpo erdhi ditëlindja e tij. Ai priti që t’i shkonte Enveri, por ai nuk shkoi. Priti dhe Nexhmijen, nuk i shkoi as ajo. Priti dhe Ramizin, por as ai nuk i shkoi për ditëlindje. I shkuan të tjerë natyrisht”.

Se si rrodhën punët më tej, ju e dini shumë mirë dhe unë kam folur vazhdimisht për to.

*****

Gjenerali Klloçkov: Lavdi Heroit Mehmet Shehu!

Duro Shehu bëri gati dhjetë vjet burg pas vdekjes së Mehmetit. Pas vitit 1990 ai fitoi lirinë, por kishte ngelur pa punë, pa shtëpi, pa të ardhura. Demokratët që erdhën në pushtet nuk e ndihmuan. Një pjesë e quanin të persekutuar politik, të tjerët si njeri i diktaturës. Nuk ia njihnin as statusin e veteranit të luftës, ku kishte marrë pjesë qysh 15 vjeç…

I mbetur në mes të katër rrugëve, shkon në Rusi, në San Petersburg (ish-Leningrad) ku kishte kryer studimet ushtarake dhe ku banonte ish-gruaja ruse. Pas ca kohësh, duke biseduar me shokë të tij rus, ata i sugjerojnë të takohet me Kryetarin e veteranëve të San-Petersburgut, Gjeneralin Klloçkov, dy herë Hero i ish-Bashkimit Sovjetik. Kështu bëri Durua. Bëri kërkesë dhe një ditë ai e priti ta dëgjonte si e kishte hallin. Durua i tregon se ishte edhe veteran i Luftës së Dytë Botërore, por edhe ish-i burgosur në kohën e diktaturës.

Si e kë emrin? E pyeti Gjenerali. Dhe pasi dëgjoi mbiemrin Shehu, e pyet sërish: Ke të bësh me Mehmet Shehun? Dhe kur mori vesh se ky ishte vëllai i Mehmetit me babë dhe me nënë, ngrihet në këmbë dhe merr qëndrimin gatitu e duke nderuar si ushtarak, thotë: Lavdi Mehmet Shehut, Heroit të Spanjës dhe të Luftës së Dytë Botërore! Më tej i tha se emri i Mehmetit ishte shumë i dëgjuar në vitet e luftës në radhët e Ushtrisë së Kuqe dhe se ushtarët rusë krenoheshin me emrin e këtij luftëtari të madh…

Që nga ajo kohë, sa herë vjen 9 maji, Duro Shehut i shkon edhe në Kanada nëpërmjet postës një fletë mirënjohjeje nga Presidenti i Rusisë, si për të gjithë veteranët e Luftës së Dytë Botërore.  /ma.me

 

Next Post
FOTO/ 33-vjeçarja rrëfen momentet e tmerrit, si u dogj me benzinë nga i dashuri

FOTO/ 33-vjeçarja rrëfen momentet e tmerrit, si u dogj me benzinë nga i dashuri

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ish-zyrtari i lartë i Berishës: Anëtarët e SPAK i kanë punësuar familjarët në vende me lekë

Ish-zyrtari i lartë i Berishës: Anëtarët e SPAK i kanë punësuar familjarët në vende me lekë

April 27, 2026
Ralf Gjoni: Jam shokuar kur kam parë foton e Metës. A do trajtohen njësoj edhe zyrtarë të tjerë?

Ralf Gjoni: Jam shokuar kur kam parë foton e Metës. A do trajtohen njësoj edhe zyrtarë të tjerë?

April 27, 2026
Drejtësi në akuarium: nga Nurenberg te gjyqet në Tiranë

Drejtësi në akuarium: nga Nurenberg te gjyqet në Tiranë

April 27, 2026
Një W (dabëllju) e humbur në raportimin mediatik

“Dumani dhe Dado mashtrojnë pa pikën e turpit”, Yzeiri: Gjyqet duhet të jenë live, ndryshe janë të pavlefshme

April 27, 2026
“Je më e rrezikshme, pse nuk hyn në kafaz ti?”, Haxhiu sherr me Kryemadhin për mbajtjen e Metës në burg

“Je më e rrezikshme, pse nuk hyn në kafaz ti?”, Haxhiu sherr me Kryemadhin për mbajtjen e Metës në burg

April 27, 2026
Një skandal dhe kapërcim shumë i madh ligjor, etik dhe deantologjik nga prokurorët Dado dhe Dumani

Pamja e Ilir Metës si simbol ndëshkimi: kur arresti me burg perceptohet si dënim, jo hetim

April 27, 2026
“Meta ka pamjen e të burgosurit politik”/ Kryemadhi: Edhe opozitarizmi është biznes, janë më të pasurit!

“Meta ka pamjen e të burgosurit politik”/ Kryemadhi: Edhe opozitarizmi është biznes, janë më të pasurit!

April 27, 2026
Çfarë tregon raporti i DASH për ambasadorin e ri të emëruar në Shqipëri

Çfarë tregon raporti i DASH për ambasadorin e ri të emëruar në Shqipëri

April 27, 2026
Deputet, nga “Hiçi”

Krimi do përballje, jo tërheqje

April 27, 2026
E dhunuan në Vlorë, reagon avokati i Ilir Metës: Njëri më ofendoi, tjetri më goditi pas koke me një mjet prerës…

Meta po gjykohet në kafaz, shpërthen avokati: Institucionet e drejtësisë së re, terroriste!

April 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In