Por duke e parë politikën sot me më shumë profesionizëm, ai shprehet se diversioni dhe komunikimi me kundërshtarin janë pjesë e jetës politike të partive. Në këto përfundime, Brokaj arrin duke analizuar edhe faktet që janë prezantuar në ditarin politik të profesor Servet Pëllumbit, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”.
Ai është në një mendje me Pëllumbin në lidhje me një pakt të mundshëm të Nanos dhe Berishës pas takimit të tyre në Trieste, në vitin 1992. Brokaj rrëfen dhe marrëdhënien e tij me Sali Berishën që kur punonin bashkë në Kardiologji dhe arrestimet e tij, kur Berisha ishte President.
Ka pasur një moment të dyshimtë të politikës shqiptare, siç është takimi i parë Nano-Berisha në Trieste, që për profesor Pëllumbin aty ka pasur një pakt mes të dyve për të ndarë pushtetet, por që është prishur nga Berisha. Ju si e dini këtë moment?
Në këtë pikë unë përputhem me Servetin, se aty ka pasur një pakt që unë e besoj se, për shkak se vendi ka qenë shumë i ndezur, komunistë me thikë në dhëmbë dhe demokratë që s’marrin veten, dhe për të shmangur ndonjë gjakderdhje, hajde të bëjmë një pakt mes nesh për një ndarje pushtetesh për të ulur gjakrat. Kjo u leverdiste të dyve, si Saliut, ashtu edhe Nanos.
Profesor Serveti i ka cilësuar disa figura të njohura në PS, si Leontjev Çuçi dhe Bashkim Zeneli, njerëz shumë afër Nanos, por që bashkëpunonin me Berishën. Si kanë qenë marrëdhëniet e opozitës me qeverinë e asaj kohe?
Ata ishin miq të Nanos, të njohur të vjetër të tij dhe për mua nuk përbënte ndonjë gjë të veçantë. Di që edhe Leontjevi ishte pretendues i Nanos, sepse ishin të gjithë në funksion të kryetarit. Nuk i di të tjerat.
Pretendues, që kërkonte t’i merrte drejtimin e partisë?
Jo, jo, nuk bëhej fjalë që Leontjevi të merrte drejtimin e partisë. Ai ishte mbështetës i flaktë i Nanos, sidomos për ta mbuluar atë për të justifikuar mungesat e tij. Nuk e diskutonte njeri që do t’i merrnin karrigen Servetit, të paktën në mendjen time. Vërejtjet që i bëheshin Servetit ishin që ai të ishte më aktiv, më i hapur dhe më pak i kompleksuar nga e shkuara. Unë edhe sot e them se nga të gjithë emrat që ishin në Kryesi në atë kohë, Serveti ishte njeriu më adapt për drejtimin e partisë.
Sepse unë kam bindjen se nëse nuk ke formimin juridik, ekonomik, politik, nuk mund të drejtosh një parti që do të vijë nesër në pushtet. Qarkullonin fjalë në atë kohë për Bashkimin dhe dy-tre të tjerë që shkonin te Saliu dhe jepnin e merrnin. Kur unë studiova me literaturë mënyrën e të bërit politikë, pashë se diversioni dhe njerëzit që jepnin dhe merrnin me kundërshtarin politik qenkan pjesë e jetës dhe betejës politike. Nuk ishte ndonjë çudi. Dhe aq më shumë pas represionit që krijoi Saliu, kishte njerëz që viheshin në shërbim të tij. Unë në raport me ta, nuk mbajta asnjëherë pozicion, për t’i cilësuar spiunë apo informatorë.
Ju dhe Sali Berisha vini nga fusha e mjekësisë dhe më konkretisht nga specialiteti i kardiologut. Si mjekë, si kanë qenë marrëdhëniet, përplasjet, komunikimet mes jush?
E vërteta është se deri në ‘90 me Berishën unë nuk kam pasur asnjë konflikt. Kur isha në Amerikë, u rezervova të flisja për Berishën, sepse më bënë disa pyetje, ka qenë vetë kryeredaktori i “New York Times”. Ai më tha se ju keni firmën tuaj në karrierën politike dhe shkencore të Sali Berishës. Ata e dinin se unë kisha firmosur rekomandimin për pranimin e tij në Partinë e Punës.
Madje, këtë fakt, Musa Ulqini e përdorte në KPD sa herë unë përplasesha me dikë, dilte në podium dhe thoshte: ‘I tash po ju lexoj dosjen e shokut Sali Berisha, jo të plotë, por vetëm rekomandimin. “Unë anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, Sabit Laze Brokaj, rekomandoj shokun Sali Ram Berisha, bir besnik i partisë…” kjo krijonte momente humori dhe shtensiononte situatën. Emërimi i Saliut ishte i lidhur me mua, doktoratura dhe titulli profesor i tij u bënë kur unë isha dekan i Mjekësisë.
Saliu, sapo merrte pak veten në politikë pas ndonjë dështimi, fillonte revanshin, por me mua asnjëherë nuk është marrë. Madje, për të qenë fare i saktë, kur ata fituan zgjedhjet, në 1992-shin, e di shumë mirë që Saliu kërkoi që unë të isha kryetar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, kërkoi që këtë komision të parlamentit t’ia linte opozitës. Më zgjodhën ata, dhe pas disa kohësh, unë fola dhe shkrova keq kundër Saliut, bënë një mbledhje në komision dhe më shkarkuan nga kryetar komisioni.
Pse nuk e kritikuat Sali Berishën në Amerikë?
Ata që më kishin ftuar mua në Amerikë, ishin të vetmit ekspertë amerikanë e analistë që kishin thënë se Saliu nuk i fiton zgjedhjet e 1991-shit dhe se nuk mund të bëhet politikan i ndryshimeve të mëdha, sepse është emocional, sipas parametrave të tyre të gjykimit për një politikan. Unë u thashë atyre se Saliu ka krijuar shumë situata jonormale në Shqipëri dhe se nuk është se ka ndonjë kulturë demokratike.
Por kryeredaktori i “New York Times” më tha se në disa etapa të karrierës profesionale të Sali Berishës figuron firma juaj. Unë i thashë se kemi qenë bashkë në një fakultet, por nuk na janë përplasur karrierat, kështu që e kemi respektuar njëri-tjetrin. Por, unë iu kundërvura pak kryeredaktorit të “New York Times” duke i thënë se e pashë shkrimin që ju kishit bërë për Shqipërinë. Ai më pyeti si e kishim bërë? Unë i thashë se “lepurin e kishit bërë elefant”.
Në kohën e monizmit ne e besonim shtypin shumë, sepse kishte vërtet peshë, kishte të vërteta, por ajo që ju kishit shkruar s’kishte lidhje me realitetin. Ai më tha se “ne atë funksion i dhamë shkrimit”. Aty unë kuptova për herë të parë se, nëse paguhej një shkrim, lepuri bëhej elefant dhe që nga ajo ditë kur unë shoh shkrime lavdëruese për qeveritë tona në mediat ndërkombëtare, unë mendoj: Sa kanë paguar për këtë shkrim?!
Ju jeni arrestuar nga Berisha, për çfarë akuzash?
Me akuzat që më ngritën, unë duhet të isha 500 vjet në burg. Për Berishën isha autor dhe organizator i kryengritjes së Jugut, ndërkohë që unë kisha tre muaj që nuk shkoja fare në Jug. Një tjetër akuzë ishte organizator i “Hakmarrja për drejtësi”. Djemtë e Hajredin Shytit ishin adoleshentë dhe unë 50 vjeç, çfarë lidhjeje kisha unë me ta?! Akuza tjetër ishte: organizator i bandave të 26 majit 1996(!) Hajde gjeje, ne nuk kishim banda, por protestues.
Kur u bë arrestimi?
I pari më 28 shkurt të 1997- s. Më pas, duke qenë në arrest shtëpie, erdhën përsëri të më arrestonin në shtëpi rreth orës 1 të natës. Paraqitesha në prokurori dhe kisha vajtur edhe atë ditë. Por Saliu më dërgoi policinë në shtëpi. I ranë derës gati ta thyenin në 1 të natës. Vjehrri im i kishte vënë një shinë të fortë hekuri nga pas derës dhe nuk thyhej dot. 5-6 mikrobusë me policë në rrugë dhe 7-8 policë në shkallë dhe bërtisnin. Situatë terrori.
Në radio dëgjoja urdhrat që u jepnin: Shqyejeni derën dhe mbërthejeni! Një nga policët, që u kishte plasur shpirti se unë nuk e hapja derën, bërtiti nga jashtë: “O doktor, mirë që ne jemi gomerë, por dhe ti qenke budalla fare! Kot nuk del nga shtëpia!” Meqenëse u krijua zhurmë e madhe dhe u zgjua lagjja, se kjo punë zgjati nga 3-4 orë, Luan Rama, që ishte kryeredaktor i ZP, vjen të regjistrojë ulërimat e policisë deri aty sa e lejonin policët.
Çuditërisht nuk ma prenë lidhjen e telefonit. Mora në telefon Ylli Popën që ishte kreu i Helsinkit, dhe më thotë çfarë po ndodh se dëgjoj zhurma. I tregova që policia kishte rrethuar shtëpinë time. Ai më thotë se do vinte në dijeni Ambasadën Amerikane. Nga ora 5:30 u thashë policëve: Mos i bini më derës se po rruhem tani!!! Unë e kisha provuar qelinë dhe e dija se ç’ishte dhe duhet të merrja veshjet e duhura se ishte ftohtë. Ata heshtën, unë u rrova, u vesha mirë dhe dola. Kishin filluar njerëzit të lëviznin në rrugë.
Ata më futën krahun që të hyja në furgon dhe unë u them: S’është nevoja të shkojmë me furgon, shkojmë në këmbë se dy hapa është drejtoria. Jo more, më tha njëri nga policët, atë do ti dhe të tërbosh njerëzit. Dhe kështu më çuan me makinë. Më futën në një qeli, e cila ishte me derë të hapur dhe kishte një tavolinë. U shtriva mbi tavolinë. Nga ora 10 vijnë dy hetues.
Më pyetën pse nuk e hape derën, unë u thashë se isha në gjendje arresti dhe mjaftonte që isha në shtëpi, s’kisha pse e hapja derën. Ata më thanë se meqenëse kishte ndodhur vrasja e SHIK-save në Vlorë, kishin pasur informacion sikur unë kisha organizuar revoltën dhe isha në Vlorë. Pasi më pyetën, më nxorën. Më vonë, pasi u bëra dhe ministër, pata mundësi të informohesha rreth arrestimit tim. Mora vesh se kishte ndërhyrë ambasadorja amerikane në Tiranë për lirimin tim, jo sepse ajo kishte ndonjë simpati për mua, por dukej se i kishin tërhequr veshin Saliut se po bënte veprime të tepruara.
Aristir Lumezi-Panorama