Lech Wałęsa, lideri karizmatik i lëvizjes Solidarnost në Poloni në vitet 1980, në një intervistë ekskluzive në të përditshmen britanike “The Guardian” publikon detaje të lidhjeve të tij në periudhën sovjetike me shërbimet sekrete të vendit, duke thënë se ai zgjodhi të “fliste e diskutonte” me zyrtarët si pjesë e aktivitetit të tij në emër të sindikatave.
Por, në këtë intervistë, ai mohon me forcë dyshimet e ngritura së fundmi se ai ka qenë një informator me pagesë. “Nuk kam qenë agjent i shërbimeve sekrete”, tha Valesa. 72-vjeçari e dha intervistën nga qyteti i tij Gdańsk, në veri të Polonisë. “Nuk kam spiunuar kënd në jetën time. Nuk kam marrë para. Do ta vërtetoj gjithë këtë, kam punësuar avokatë”.
Wałęsa, i cili fitoi çmimin Nobel për paqen në vitin 1983 dhe shërbeu si president i Polonisë për pesë vjet nga viti 1990, flet kështu publikisht për herë të parë që nga ngritja e dyshimeve që dolën në shtyp kur ai ndodhej për një vizitë në Venezuelë.
Muajin e kaluar, hetuesit nga Instituti i Kujtesës Kombëtare u treguan gazetarëve dokumentet e gjetura në shtëpinë e ministrit të fundit të brendshëm të kohës së komunizmit, ish-gjeneralit Czesław Kiszczak, mes të cilëve ishte edhe një letër e vitit 1970 nënshkruar nga Walesa nën pseudonimin “Bolek”. Në letër, Bolek pranonte të jepte informacione. Instituti në fjalë që është një institucion shtetëror, gjithashtu tregoi për gazetarët edhe fatura të tërheqjes së parave.
Pretendimet e tyre nuk është se janë të reja. Akuzat ndaj ish-liderit polak janë rigjallëruar si pjesë e një spastrimi të rivalëve politikë, gjyqtarëve dhe gazetarëve që konsiderohen armiqësorë, dhe njerëzve të lidhur me të kaluarën komuniste, që po zhvillohet nga ana e Jarosław Kaczyński, liderit të partisë qeverisëse Ligj dhe Drejtësi,
Lëvizjet e qeverisë për të gjymtuar gjykatën më të lartë në Poloni, atë Kushtetuese, kanë marrë kritika ndërkombëtare. Pritet që të premten të dalë edhe një raport i ekspertëve ligjorë në lidhje me këto lëvizje që do të përpiqet të vendosë nën presion Bashkimin Europian për të ndërmarrë sanksione ndaj Polonisë kur Komisioni i Venecias, pjesë e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, të publikojë raportin për veprimet kontroverse të qeverisë polake.
Sulmi ndaj ish-presidentit Wałęsa ka shqetësuar shumë polakë. Demokstratat e fundit ndaj qeverisë janë shndërruar në marshime në mbrojtje të tij.
Ndërkaq, në intervistën me “The Guardian”, Walesa thotë se në vitet 1970 kishte qenë në kontakt me Bezpieka-n, emri popullor për shërbimet sekrete , e kjo si pjesë e aktivitetit të tij sindakal. “Në atë kohë, kisha dy zgjedhje. Njëra ishte të mos hyja në bisedime, të mos përpiqesha të zgjidhja gjë dhe si rrjedhim të injoroja Bezpieka-n. rruga e dytë, që unë zgjodha, ishte të bisedoja, të diskutoja, të bindja dhe të drejtoja në rrugën drejt fitores.
“Nëse do kisha mundësi të përsërisja jetën time, nuk do ndryshoja asgjë”, tha Walessa, duke kujtuar ngjarjet nga zyra e tij në Qendrën Europiane të Solidaritetit, që përfshin një muzeum dhe salla konferencash e ku më parë ndodhej doku ku ai bashkëthemeloi sindikatën e parë të lirë në bllokun sovjetik, në vitin 1980.
Ai pretendoi se kontaktet e tij me shërbimet sekrete në vitet 1970 synonin të “kursenin njerëzit kurajozë, të mbronin të ekspozuarit në Solidarnost dhe të krijonin një ekip që me gjasa do të shkatërronte partinë komuniste. Doja të zbuloja se çfarë lloj njerëzish ishin ata në Bezpieka; përse vepronin kundër Polonisë; përse dëshironin të mos lejonin lirinë për popullin”.
I pyetur se kush ishte Boleku, ai tha: “Përsa mund të them, Bolek është një emër i koduar ndërlidhësi telefonik. Mësova për Bolekun në materialin kundër meje. Dhe tani dëgjoj që Walesa ishte Boleku. Shumë nga materiali i Institutit është dukshëm i rremë. Në dosjen e rekrutimit tim, ka tre data të ndryshme hyrjeje, 22, 25 dhe 29, për shkak se ata nuk e kanë vendosur ende se në cilën ditë isha rekrutuar”.
Instituti i Kujtesës Kombëtare është një dokumentues i materialeve sekrete nga periudha sovjetike. Që nga viti 2007, ka edhe fuqi për të ndjekur penalisht. Në muajt e fundit, hetuesit e tij kanë ndërmarrë dy kontrolle të profilit të lartë: një në shtëpinë e vejushës së ish-ministrit Kiszczak dhe një tjetër më 29 Shkurt në shtëpinë e gjeneralit të ndjerë, Wojciech Jaruzelski, liderit të fundit komunist të Polonisë.
Kaczyński dhe vëllai i tij binjak, Lech ishin aktivë në lëvizjen Solidarnost në vitet 1980, por u anashkaluan kur Walesa u bë president i Polonisë. Walesa lë të kuptohet se Kaczyński ka përdorur Institutin për t’u hakmarrë për të kaluarën. “Kur vjen tek rasti im, ka shumë keqdashje… është e sajuar nga fillimi deri në fund”, tha ai.
Wałęsa nuk është më aktiv në Solidarnost, që mbështeti fushatën e zgjedhjeve të partisë Ligj dhe Drejtësi dhe ai ka dalë kundër Qeverisë që e konsideroi si “të rrezikshme për Demokracinë”.
Por, gjithsesi, ai thotë se nuk është gati të drejtojë apo të bashkohet me lëvizjen opozitare. “I kam paralajmëruar njerëzit kundër Kazyński-t kohë më parë. Njerëzit nuk dëgjuan. Ata votuan keq. Nëse bëhet e rrezikshme, me siguri do të ndërmarr hapa për të mbrojtur Poloninë. Por, për momentin, le të jenë të tjerët aktivë”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/