Rovena Ibrahimi rrëfen betejën 5-vjeçare për tu bërë nënë: Bashkëshorti kishte hequr dorë, unë besoja fort

Këngëtarja e njohur Rovena Ibrahimi ka zbuluar detaje prekëse nga rrugëtimi i saj i gjatë drejt amësisë, duke treguar për pesë vitet e vështira të përpjekjeve dhe shtatzëninë e ndërlikuar që e detyroi të qëndronte pesë muaj në shtrat.

Gjatë një bashkëbisedimi në programin “S’e Luan Topi” në Top Channel, artistja tregoi se teksa partneri i saj kishte nisur të humbiste çdo shpresë për t’u bërë prindër, ajo vazhdonte të ruante një bindje të palëkundur se një ditë do të mbante në krahë fëmijën e saj.

E pyetur nga gazetarja Erjona Rusi rreth sfidave të asaj periudhe pesëvjeçare, Ibrahimi u shpreh se vështirësia nuk qëndronte aq tek ajo, sa tek bashkëshorti i saj. “Unë i rikthehem gjithmonë besimit tim. E kisha të qartë në mendjen time që nëse fati e ka shkruar që unë të bëhem nënë, kjo do të ndodhte patjetër dhe asgjë nuk mund ta ndryshonte këtë,” tha ajo.

Ajo përshkroi se si e shihte partnerin e saj të dorëzohej dalëngadalë me kalimin e viteve. “Ai thoshte shpesh: ‘Nuk kemi për t’u bërë prindër’. Kurse unë i përgjigjesha gjithmonë: ‘Kur të kemi fëmijën tonë’. E shihja që po e pranonte realitetin ashtu siç ishte. Nga ana mjekësore gjithçka ishte në rregull, por ai kishte bindjen se kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë.”

Sipas këngëtares, situata u rëndua veçanërisht pas pandemisë. “Ai e kishte bërë paqe me idenë se nuk do të bëheshim prindër. Nuk krijonte tensione mes nesh, por unë e shihja që brenda vetes ishte dorëzuar plotësisht,” rrëfeu ajo. Momenti kur mori vesh se ishte shtatzënë mbetet i paharrueshëm për të. “Kur bëra testin dhe i tregova, ai nuk e besoi. Më pyeti: ‘Kush ka mbetur shtatzënë?’. I thashë: ‘Unë’. Ai vazhdonte të dyshonte dhe më tha të shkoja fillimisht vetëm te mjeku për t’u siguruar.”

Rovena e cilësoi të birin si një dhuratë të vërtetë nga qielli, duke iu referuar edhe kuptimit të emrit Nathaniel. “Nuk kishte gëzim më të madh se kaq,” shtoi ajo. Këngëtarja shfrytëzoi momentin për t’iu drejtuar grave që po kalojnë të njëjtën situatë, duke i këshilluar të mos e humbin qetësinë shpirtërore. “Unë vazhdova me idenë se gjithçka ndodh në kohën e duhur. Nëse do të bëhesh nënë, kjo do të ndodhë; në të kundërt, duhet të pranosh çfarëdo që vjen nga lart,” theksoi ajo.