Nga Adrian Civici
Debatet dhe diskutimet mbi problemet dhe potencialet e zhvillimit ekonomik e social në Shqipëri duken gjithnjë e më shumë të lidhura ngushtë me tre elemente thelbësore: rritjen e investimeve të huaja direkte; e investimeve në aktivitete e degë të teknologjisë së lartë dhe inovacionit; dhe metodave e modeleve moderne dixhitale të menaxhimit e marketingut.
Duke parë me kujdes strukturën e kontributit të sektorëve apo degëve të ndryshme në formimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe mbi të gjitha, duke analizuar dinamikën dhe cilësinë e rritjes ekonomike në Shqipëri, konstatohen disa indikatorë që meritojnë vëmendje e analiza specifike.
Së pari, Shqipëria ka një strukturë ekonomike të dominuar pothuajse tërësisht nga biznesi shumë i vogël (mikrobiznese) dhe i vogël, ndërkohë që bizneset e mesme dhe ato të mëdha janë në përqindje të ulta. Një strukturë e tillë, përveç interesit për vetëpunësimin dhe deri diku krijimit të një lloj qetësie sociale, është frenuese ose shumë pak joshëse kundrejt investimeve të mëdha, kredisë bankare për zhvillim, futjes së teknikave e teknologjive të reja inovative, etj. Ajo është dhe një ushqyese e vazhdueshme potenciale informaliteti.
Së dyti, ndikimin më të madh si kontribut në krijimin e PBB e jep sektori i shërbimeve, i ndjekur nga bujqësia, turizmi, transporti dhe industria. E parë në shifra absolute, të krijohet përshtypja se dominimi i sektorit të shërbimeve tregon për një strukturë ekonomike të përshtatshme dhe deri diku në trend me ekonomitë e vendeve të zhvilluara apo ato me zhvillim të shpejtë. Por, duke analizuar “strukturën” dhe kontributin e shërbimeve konstatohet menjëherë se kemi të bëjmë me një sektor me eficencë të ulët, me investime modeste, me paga të ulta e relativisht të ulta, me dinamikë modernizimi e inovacioni të ngadaltë.
Së treti, tregu i punësimit në Shqipëri duket i pabalancuar duke reflektuar mospërputhje të ofertës me kërkesën për punë, kryesisht si pasojë e paqëndrueshmërisë së një numri të madh biznesesh në aktivitetin e tyre që shoqërohet me luhatje në kërkesën për punësime të reja, apo në mangësitë që paraqet “kërkesa për t’u punësuar” si pasojë e mangësive në formimin profesional të saj.
Së katërti, niveli i hapjes ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të pjesës dërrmuese të bizneseve shqiptare është akoma shumë i ulët, çka nënkupton se këto biznese operojnë në shërbime e territore të ngushta, kanë pak ose aspak lidhje të qëndrueshme me biznese analoge në rajon apo më gjerë në Europë e botë. Kjo situatë i kushtëzon një pjese prej tyre në përmirësimin e gamës së produkteve apo shërbimeve që ofrojnë, në futjen e teknikave moderne të menaxhimit dhe drejtimit, në zgjerimin e inovacioneve dhe teknologjive moderne, etj.
Analizat dhe reflektimet mbi këtë çështje janë të shumta, dhe secili vendimarrës, studiues apo menaxher mund të bëjë shumë të tilla nga këndvështrime apo problematika diferente. Por një konkluzion duket se është i përbashkët: nevoja për ristrukturimin e ekonomisë shqiptare në emër të zgjerimit të numrit dhe peshës së bizneseve të mesme, atyre të mëdha, dhe veçanërisht korporatave, qofshin këto shqiptare apo ndërkombëtare.
Duke shtuar peshën e tyre, sidomos bizneseve të mëdha dhe korporatave, ekonomia bëhet më e qëndrueshme, investimet e mëdha më të mundshme, kooperimi ndërkombëtar më prezent, punësimi më i qëndrueshëm dhe më dinamik, futja e shërbimeve dhe produkteve të reja inovative e eficente më i shpejtë, rritja e të ardhurave dhe pagave më evidente, reduktimi i informalitetit më i shpejtë dhe më i suksesshëm.
Eksperienca e mjaft vendeve në zhvillim, të ngjashme me Shqipërinë, dëshmon për hartimin dhe zbatimin e politikave specifike prioritare të cilësuara si “politika pro-biznes” të cilat synojnë me përparësi ristrukturimin e ekonomisë, financimeve dhe punësimit, duke stimuluar dhe nxitur krijimin e bizneseve të mëdha dhe korporatave në sektorët kryesorë ekonomië, veçanërisht në energji, telekomunikacion, zhvillim i qëndrueshëm, turizëm, industrinë përpunuese, prodhime të teknollogjisë lartë, etj.
Shembull shumë i mirë në këtë drejtim janë edhe vendet “ish-socialiste” të bllokut të dikurshëm lindor si Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Republika Çeke, Estonia, Letonia, Polonia, Serbia, Maqedonia, etj, të cilat kanë hartuar e po zbatojnë politika shumë agresive, sidomos fiskale e ligjore, për thithjen e investimeve të huaja direkte dhe tërheqjen në territorin e tyre të kompanive dhe korporatave të mëdha me shpresën se efekti dhe ndikimi i tyre në ekonomitë dhe zhvillimin social do të jetë i konsiderueshëm.
Për një vend të vogël dhe me ekonomi modeste si Shqipëria, qoftë dhe një numër i kufizuar kompanish e korporatash të mëdha, por të shpërndara proporcionalisht në sektorët kryesorë të ekonomisë, ka një ndikim të jashtëzakonshëm sasior e cilësor në rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e saj. Mjaftojnë pak shembuj konkretë për t’u vënë përballë shembujve domethënës të kontributit të korporatave.
Rasti i Vodafone Albania, si një ndër investitorët më të mëdhenj të huaj që vazhdon të ofrojë një kontribut shumë të madh në ekonominë shqiptare, është një nga shembujt pozitivë dhe një nga historitë e suksesit në Shqipëri.
Sot, rreth 1,4 millionë e shqiptarëve, ja kanë besuar nevojat e tyre për komunikim Vodafone Albania, kompania që kushdo e kujton si pioner i produkteve dhe shërbimeve inovatore në vend, i pari që solli shërbimet 3G në 2011, prezantoi teknologjine 4G dhe 4G+ (LTE) në 2015 dhe sapo ka prezantuar pak kohë më parë në një event në kryeqytet, portofolin e produkteve dhe shërbimeve të teknologjisë Internet of Things, teknologjia që po revolucionon botën dhe po ndikon drejtepërdrejtë në rritjen ekonomike të vendeve të ndryshme falë lehtësirave në sektorë si shëndetësia, bujqësia, transporti, infrastruktura etj.
Që prej fillimit të aktivitetit në Shqipëri, Vodafone ka investuar mbi €1,415 mln në tregun shqiptar, duke zhvilluar ndjeshëm në infrastrukturën e rrjetit, licensat për spektrum, tarifat rregullatore, kanalet e shpërndarjes, punësimin direkt dhe indirekt etj. Vetëm në 2017, Vodafone Albania ka investuar një vlerë prej 70 mln euro, ndërsa për 2018-ën, norma e këtyre investimeve parashikohet të arrijë në 85 millionë euro.
Ndërsa për 5 vitet e ardhshme janë parashikuar investime prej 375 milionë euro. Po konsiderohet gjithashtu zgjerimi i aktivitetit të Vodafone Albania edhe në tregun e telefonisë fikse, me nje vlerë fillestare investimi prej rreth 50 mln euro.
Përpos investimeve, Vodafone Albania është gjithashtu një ndër taksapaguesit më të mëdhenj në vend. Që prej 2001, ka kontribuar në një shumë prej 208 mln euro vlerë taksash, vlerë e cila më tej është përdorur nga qeveritë dhe buxheti i shtetit në investime në infrastrukture, edukim, shëndetësi etj. Vetëm në vitin 2017, Vodafone ka kontribuar në buxhetin e shtetit më shumë se 14.5 mln euro vlerë taksash.
Punësimi është një tjetër investim i rëndësishëm që korporata Vodafone Albania, bën në Shqipëri. Zhvillimi dhe punësimi i të rinjve është një nga angazhimet kryesore të saj. Jo vetëm që ka mundësuar punësimin e një numri të konsiderueshëm njerëzish, por ndikon në krijimin e mundësive të punësimit edhe në biznese të tjera. Aktualisht, Rreth 1000 vende pune janë munësuar nga Vodadone si punonjës direkt ose jo. Vodafone i dedikon programe specifike të rinjve të sapodiplomuar duke ofruar trajnime, praktika dhe mundësi punësimi nëpërmjet Programit “Graduate” i cili që prej vitit 2012, ka rekrutuar mbi 64 të rinj të sapodilplomuar, 37 prej të cilëve ende punojnë në Vodafone, dhe të tjerë që kanë vazhduar një karrierë ekselente në kompanite Vodafone nëpër botë.
Vodafone ka investuar vazhdimisht edhe në konkurencen lokale si edhe në sektorë të tjerë në rajon, në teknologji të reja dhe në infrastrukturën e rrjetit. Kjo ka bërë që Shqipëria të jetë një ndër tregjet kryesore në aspektin e perfrormancës së infrastrukturës së lëvizshme. Sipas raportit më të fundit të OOKLA, gjigandit botëror të testimit të shpejtësisë së internetit, Shqipëria renditet e 25 ndër 130 vendeve të botës përsa i përket shpejtësisë së internetit, duke lënë prapa mjaft vende të zhvilluara.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit, Shqipëria është një ndër tregjet më të avancuara mobile në nivel global. Kjo arritje nuk është sukses vetëm i një kompanie por sukses edhe i vendit tonë që me kontributin e kompanive të standardit të Vodafone, shkon gjithnjë e më pranë standardeve të vendeve Europiane, aq të dëshiruara nga ne.