Një projektvendim i ri nga Ministria e Mjedisit synon të ristrukturojë dhe përditësojë Listën e Monumenteve të Natyrës në Shqipëri, një detyrim ligjor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) për t’u kryer çdo pesë vjet.
Relacioni i projektaktit argumenton se ky proces është i domosdoshëm për të pasqyruar gjendjen reale të terrenit, për të eliminuar mospërputhjet dhe për të saktësuar hartat gjeohapësinore.
Lista aktuale, e cila daton që nga viti 2019, përmban në total 721 Monumente Natyre (297 biomonumente dhe 424 gjeomonumente) të shpërndara në të gjithë territorin e vendit. Nga skanimi i thelluar në terren, është propozuar heqja nga lista e dhjetëra monumenteve dhe përfshirja e disa elementeve të reja me vlera të larta.
Pse do të hiqen 59 monumente nga lista e mbrojtjes?
Studioja e kontraktuar dhe ekspertët e AKZM-së kanë propozuar zhveshjen e 59 objekteve nga statusi “Monument Natyre”. Ky vendim, sipas relacionit, lidhet ngushtë me dëmtimin e rëndë ose zhdukjen fizike të këtyre objekteve natyrore. Faktorët kryesorë që kanë çuar në këtë degradim ndahen në:
Faktorë natyrorë, erozioni, rrëshqitjet e dheut, kushtet ekstreme klimaterike dhe ndryshimet hidromorfologjike.
Faktorë njerëzorë, ndërtimet pa kriter, nxjerrja e inerteve, prerjet e paligjshme të pyjeve, ndotja dhe shfrytëzimi i paautorizuar.
Një shembull specifik është “Shpella e Gurit të Kuq” në fshatin Muhurr, qarku Dibër, ku hyrja e saj rezulton e bllokuar nga depozitimet e inerteve prej aktivitetit të nxjerrjes së gurit, duke bërë që ky monument të propozohet për heqje. Të njëjtin fat pritet të ketë edhe “Vidhat te Pusi i Markajve” në Shkodër, pasi objekti nuk ekziston më në terren, si dhe “Vlashaj” (Dibër), ku pylli i vjetër i pishës së zezë është dëmtuar aq shumë gjatë tranzicionit sa nuk e justifikon më statusin mbrojtës.
Shtohen 26 objekte të reja, reziston “Tulipani Shqiptar”
Nga ana tjetër, verifikimet e reja në terren kanë identifikuar 26 objekte të reja që propozohen të marrin statusin e mbrojtjes shtetërore. Këto formacione gjeologjike, burime ujore, pyje dhe habitate të rralla u vlerësuan për shkak të veçantisë, rëndësisë estetike dhe peizazhore, si dhe lidhjeve me historinë vendore.
Relacioni ofron gjithashtu detaje optimiste për disa monumente emblematike që i kanë mbijetuar kohës:
Në qarkun e Shkodrës u konfirmua gjendja e mirë e monumenteve si “Gështenjat e Reçit”, “Lisi i Cilikojve” dhe tre shpellave të njohura.
Në Gjirokastër, Monumenti “Zhej” është gjetur në gjendje të mirë dhe pas përfshirjes së territorit në Parkun Kombëtar “Zagori”, statusi i tij pritet të qartësohet juridikisht.
Veçanërisht pozitive ishte raportimi për “Habitatin e Tulipanit Shqiptar” (Tulipa albanica) në Kukës. Monitorimi i fundit gjatë periudhës së lulëzimit në vitin 2026 konfirmoi se habitati është në gjendje të mirë, pa rënie të numrit të individëve krahasuar me kohën e shpalljes monument.
Ndryshimi ligjor parashikon shfuqizimin e VKM-ve të mëparshme për t’i mbledhur të gjitha Monumentet e Natyrës në një listë të vetme, të përditësuar me koordinata të sakta dhe pasaporta të digjitalizuara.











