Ristrukturimi i Partisë Demokratike në 35 degë të saj që nisi në fillim të muajit maj ende vijon edhe pse ishte planifikuar të përfundojë në fund të qershorit. Procesi pritet të finalizohet në vjeshte me zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Burimet i thanë Ora News, se pothuajse në gjithë degët procesi ka përfunduar për ristrukturimin e seksioneve dhe grupseksioneve, ndërsa ne qarqet kryesore ende nuk janë zgjedhur kryetarët e rinj.
Në Tiranë procesi është zhvilluar në 10 degë dhe deri më tani është finalizuar në vetë 2 prej tyre. Në këtë mënyrë, ristrukturimi i 35 degëve të Partisë Demokratike që u përfshinë në zgjedhje pas vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, nuk është mbyllur ende ndërsa procesi në disa prej tyre është shtyrë për në muajn shtator. Në qarkun e Tiranës 10 degë janë në zgjedhje, proces i mbajtur si pasojë i disa faktorëve por ndër më kryesoret mësohet të ketë qenë rezultati në zgjedhjet lokale të 2015 dhe mosfunksionimi i strukturave. Nga 10 degë në vetem dy prej tyre ka përfunduar procesi në njësinë 12 ku Fatbardh Plaku u zgjodh kryetar, ndërsa në degën 7 është rikonfirmuar sërish Lefter Geshtenja. Kryetari i opozitës Lulzim Basha e vlerësoi procesin, ndërsa tha se degët janë pothuajse në finalizmin e ristrukturimit, të gatshme për zgjedhjet e ardhshme.
Zgjedhjet kanë përfunduar për degën e Velipojës ku kryetarë është zgjedhur Nikoll Marku, në Vaun e Dejës është zgjedhur Agim Bushati, ndërsa në Malësinë e Madhe vijone ende. Ristrukturimi sipas udhëzimit të kryetarit të Partisë Demokratike nisi në maj dhe duhej te perfundonte me 31 qershor. Pothujase në 35 degët e përfshira në ristrukturim, puna ka përfunduar për seksionet dhe grup seksionet ndërsa finalizimi i plotë per zgjedhjen e kryetarëve të rinj pritet të përfundojë në shtator.









