Mbrojtësit Hysen Memolla e Ivan Balliu dhe sulmuesi Valon Ahmedi janë prurjet e reja të Christian Panucci në Kombëtare. Memolla që luan me Hajdukun e Splitit në Kroaci dhe Balliu me Metz në Francë grumbullohen për herë të parë me Shqipërinë, ndërsa Valon Ahmedi që aktivizohet me Mariborin në Slloveni ka qenë pjesë e përfaqësuesve të moshave.
Këto lëvizje ishin paralajmëruar në media dhe trajneri Panucci zyrtarizoi këtë të premte, disa ditë para afatit emrat e futbollistëve, të cilët do të nisin grumbullimin nga e hëna për ndeshjet kualifikuese të Botërorit me Lihtenshtejnin më 2 shtator në Elbasan dhe me Maqedoninë më 5 shtator në Strumicë. Konfirmohet mungesa e Taulant Xhakës, i cili u përfol se nuk e takoi trajnerin gjatë vizitës së tij në Bazel.
Duket se Xhaka vijon problemet me Kombëtaren Shqiptare të nisura që në ndeshjet e fundit me ish-trajnerin De Biasi. Jashtë ka mbetur edhe Ergys Kaçe me Naser Alijin, ndërsa Bekim Balaj nuk është grumbulluar për shkak se vuan nga një dëmtim.
a.ç











