Një sërë emërimesh dhe lëvizjesh janë kryer në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit në disa qarqe të vendit, pas përfundimit të konkurseve për Drejtor Qarku dhe procedurave të brendshme të emërimeve. Drejtues Ardrit Elmazi, pasi u shpall fitues në konkurrimin për Drejtor Qarku, është emëruar në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës. Drejtues Dashamir Spaho, gjithashtu fitues në konkurrim për Drejtor Qarku, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Drejtues i Parë Xhevahir Karaj, pas shpalljes fitues në konkurrimin për Drejtor Qarku, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër. Ndërkohë, Drejtues Armir Gjikolaj, i cili mbante detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, është larguar nga kjo detyrë pas dorëheqjes së paraqitur me kërkesë të tij dhe është emëruar Drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve.
Në nivel komisariatesh, janë bërë gjithashtu disa ndryshime: Kryekomisar Idris Daulle është emëruar Zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Kryekomisar Erion Duma është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër, ndërsa Komisar Klodjan Çeka është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në varësi të DVP Shkodër.
Po ashtu, Komisar Sokol Myrta është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Mirditë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Këto lëvizje vijnë në kuadër të riorganizimeve të brendshme në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit në disa qarqe.











