Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi thotë se Sali Berisha e ka marrë peng Partinë Demokratike për qëllime personale. Ai shkruan se Berisha po e përdor grupin e WhatsApp për të shpërndarë deklarata kundër SHBA-së.
“Vijimi me kokëfortësi në rrugën e njëanshmërisë, të përjashtimit dhe mbylljes së partisë, nuk është rruga drejt bashkimit, por është rrugë me vetëm një drejtim: përçarjen. Kjo rrugë i shërben vetëm Edi Ramës dhe forcimit të regjimit të tij.
Ky proces i njëanshëm dhe përçarës është dëshmi e plotë e një lëvizje që qëllim të vetëm ka marrjen peng të PD për qëllime private të një individi, dobësimin e Partisë Demokratike dhe forcimin e regjimit të Edi Ramës.
Ashtu si edhe është provuar këto ditë, PD dhe zyrtarë të saj kanë me dhjetra deklarata kundër SHBA dhe zero deklarata kundër Edi Ramës. Kjo zhvendosje e betejës nga Edi Rama tek SHBA, tregon se si do të jetë PD me një “non-grata” brenda saj.
Nuk ka fyerje më të madhe për një parti properëndimore, që zyra e shtypit e partisë të shpërndajë zyrtarisht lajme kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, në vend të lajmeve dhe deklaratave kundër regjimit të Edi Ramës.
Beteja me SHBA nuk është beteja e demokratëve dhe as qytetarëve shqiptarë, që vuajnë çdo ditë nga keqqeverisja e Edi Ramës. Ajo është beteja personale e z. Berisha dhe duhet të mbetet betejë vetëm e tij. Demokratët kanë nevojë ti kenë në krah SHBA, për të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë”, shkruan Bardhi./m.j











