Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në vendimin “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe shkëmbimin e pronës, në funksion të procesit të rindërtimit, për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në njësinë administrative Laç, Bashkia Kurbin”.
Me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi ndër të tjera që pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës për pasuritë e llojit tokë “arë”, “kultura bujqësore”, si dhe për pasuritë e llojit tokë “truall”, referuar me vlerën 44 889 589 lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 44 889 589 lekësh do të përballohet nga zëri “Fondi për rindërtimin”, i miratuar për vitin 2020.
Po ashtu, shpenzimet procedurale në vlerën 140 000 lekë do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë kalimin në pronësi të Entit Kombëtar të Banesave të të gjitha pronave shtet të listuara në këtë vendim.
/a.r











