Bashkia e Roskovecit ka përfituar një mbështetje financiare prej 259 milion lekësh, në dy vitet e fundit, për zbatimin e dy projekteve: Projekti Zhvillimor për fshatin Kuman (28,800,800 Lekë) dhe sistemimi, asfaltimi i rrugës së fshatit Kurjan.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni e shoqëruar nga kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, kanë inspektuar punimet për zbatimin e këtyre dy projekteve që pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.
“Pa investime në infrastrukturën urbane, nuk ka zhvillim dhe ne, në këto tre vite, nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, jemi munduar që të financojmë projekte që kanë një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë dhe mirëqenies për qytetarët e vendit, në të gjithë bashkitë. Rruga e rikonstruktuar e Kurjanit, punimet e së cilës priten të përfundojnë në qershor të vitit që vjen, lidhet edhe me unazën e re të qytetit të Roskovecit, duke krijuar kështu të gjithë infrastrukturën e nevojshme urbane, për të lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe zhvillimin e aktiviteteve private, kryesisht ato bujqësore”, tha Ministrja Gjermeni në një deklaratë për median.
Gjithashtu, Bashkia e Roskovecit është një nga 10 bashkitë përfituese të fondit të investimeve për rikonstruksionin e banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian, alokuar nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban për vitin 2016.
Projekti ka vlerë 10 milionë lekë dhe përfitues të tij janë 29 familje.
Ministrja Gjermeni, gjatë vizitës në disa prej familjeve përfituese tha se, në buxhetin e vitit 2017, që pritet të miratohet së shpejti në Kuvend, një vëmendje e veçantë do të vazhdohet t’i kushtohet komunitetit rom dhe egjiptian.
Në projektbuxhetin për MZHU-në, për vitin e ardhshëm, 120 milionë lekë do të investohen për projekte dedikuar rikonstruksionit të 180 banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian, sipas kërkesave të bashkive për strehimin e këtij komuniteti. Përfitues do të jenë rreth 740 qytetarë të komunitetit Rom dhe Egjiptianë./a.m.