Temperaturat e larta do të vijojnë të dominojnë vendin edhe gjatë kësaj jave, ndërsa në pjesën e dytë të saj pritet një valë e re e të nxehtit. Sinoptikani Hakil Osmani, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, u shpreh se deri në mesin e javës temperaturat nuk do të arrijnë nivelet ekstreme të javës së kaluar, kur termometri shënoi 39-40 gradë Celsius.
Sipas tij, në ditët e para të javës temperaturat maksimale do të luhaten nga 35 deri në 37 gradë Celsius, kryesisht në zonat e izoluara të qarqeve Elbasan, Berat dhe Shkodër.
Megjithatë, nga mesi i javës e në vijim pritet një rritje graduale e temperaturave. Osmani theksoi se maksimumet do të arrijnë deri në 39 gradë Celsius në disa zona të vendit. Më të prekura nga kjo rritje do të jenë Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati, Gjirokastra dhe vija bregdetare, ku temperaturat maksimale gjatë pjesës së dytë të javës do të luhaten rreth 37-39 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve, moti do të mbetet kryesisht i kthjellët dhe me diell, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta.










