Nga Lorenc Vangjeli
Të rrallë duhet të jenë evropianët e tjerë që të kuptojmë më mirë se shqiptarët tragjedinë e pandalshme të emigrantëve në Mesdhe. Deri më pak se 15 vjet më parë, ata ishin viktima të një trafiku të ngjashëm në Adriatik me skafe, të quajtura taksitë e vdekjes. Në mars të 1997-ës, mbytja e Katerit të Radës në Otranto ku humbën jetën mbi 80 vetë, shumica gra e fëmijë, ishte një nga aktet e tragjedisë që luhej pa ndalur. E fundit ishte mbytja e skafit të nisur nga Vlora në janar 2004, me 29 viktima, por në të gjitha rastet, destinacioni ishte Italia. Italia ishte destinacioni final i një udhëtimi fatkeq nisur ga brigjet e Afrikës Veriore që përfundoi me tragjedi një javë më parë dhe ku humbën jetën rreth 950 vetë, përfshi fëmijë e gra.
Sot, ka sërish një ripërsëritje të historisë për shqiptarët, por me një ndryshim. Sot ekziston mundësia e lëvizjes pa viza në hapësirën e vendeve të Shengenit dhe duke shfrytëzuar këtë hapësirë, ka nisur një lëvizje gati-gati të pakontrolluar në drejtim të vendeve të BE-së, kryesisht Gjermanisë.
Si gjithmonë, edhe për një çështje të tillë kaq të nxehtë, politika shqiptare u polarizua në ekstrem dhe nuk mundi të gjejë një pikë të përbashkët në gjykimin dhe paragjykimin e asaj çfarë po ndodh. Eksodi fatkeq i shqiptarëve po përdoret sërish si një kalë beteje, por në një betejë që në fund të ditës i gjen të gjithë të humbur, të majtët e pozitës, të djathtët e opozitës, shqiptarët që kërkojnë të emigrojnë dhe ata që vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri.
Kryeministri e konsideron keqkuptim këtë valë emigrimi. Kujton se një gjë e ngjashme ndodhi pak kohë më parë në Kosovë dhe që tani është shuar. Sipas tij, nga situata kanë përfituar spekulantët dhe elementi kriminal.
Për opozitën, Bashën dhe Berishën, qeverisja është shkaku kryesor i largimit të shqiptarëve. Sipas tyre, Shqipëria që lanë dy vjet më parë mbas shpatullave të Gjermanisë në rritje dhe stabilitet ekonomik, sot është e dyta mbas Sirisë në numër emigrantësh dhe nevoje për të lënë vendin.
Varfërinë dhe keqqeverisjen ka përcaktuar si shkak për largimin nga vendi edhe Ben Blushi, deputeti socialist që në javët e fundit është bërë shumë më i dukshëm publikisht dhe shigjeton në çdo dalje të tij kryeministrin Rama.
Ka megjithatë një detaj që lidh shqetësime të kësaj natyre, emigrimit, por dhe të natyrave të ndryshme, të faktorit shqiptar në rajon. Në fillim u shfaq shqetësues në dhjetor të vitit të kaluar një tentativë eksodi të organizuar nga Vlora, më pas, qendra u zhvendos në Kosovë, ku largimi i qindra familjeve të tëra u bë gati epidemi dhe tani, edhe në Shqipëri. Po kështu, situata në Maqedoni është e turbullt dhe eksplozive. Ngjan se ka diçka që “shqetëson” në mënyrë ciklike shqiptarët për të goditur në të njëjtën kohë stabilitetin e tyre në Tiranë, Prishtinë e Tetovë. Dhe në mos qoftë thjesht “amok” kolektiv, origjina e këtij shqetësimi mund të jetë dhe jashtë vetë vullnetit të shqiptarëve, siç është lënë të kuptohet herë pas here qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, qoftë dhe në Tetovë.
Nga ana tjetër, nëse dikush do të mendonte se të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë një zë apo vendimmarrje në Tiranë, por dhe gjetkë, do të mund të bëheshin bashkë në një apel për qytetarët që do të tregonte sesa e pamundur është marrja e azilit sot nga shqiptarët në BE, kjo do të ishte më shumë se një mision i pamundur.
Revista JAVA ka konsultuar burime zyrtare, të pavaruara dhe alternative për të bërë një pasqyrë të asaj që ka ndodhur dhe pritet të ndodhë në vendet e menduara si pritëse për këtë valë emigracioni. Rezulton se është pothuajse zero mundësia që të ketë shanse për të siguruar azil politik në këto vende dhe madje, dy prej tyre, Franca në fillim dhe Gjermania për punë ditësh, e konsiderojnë dhe do ta konsiderojnë Shqipërinë një vend të sigurt. Pra, një vend që nuk jep arsye për t’u lënë.
Gjermania
Statistika të Zyrës Federale për Migracioni në Gjermani, dëshmojnë për një rritje të madhe të numrit të kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë muajin mars. Kjo rritje ka bërë që Shqipëria të listohet në vendin e tretë pas Kosovës dhe Sirisë. Në nivel rajonal, kërkesat për azil nga Ballkani përbëjnë 59 për qind të numrit total të kërkesave për azil në Gjermani.
Në datën 14 prill 2015, në Berlin është zhvilluar Konferenca “Migrimi në Gjermani, Republika Federale në rolin e vendit pritës”. Konferenca u hap nga Ministri i Brendshëm Federal, De Maiziere, i cili u ndal në disa drejtime kryesore. Në kuptimin e fenomenit të Migrimit dhe mirëmenaxhimit të tij nga shoqëria gjermane, si dhe identifikimin e pritshmërive që vetë emigrantët sjellin me vete kur mbërrijnë në Gjermani. Në konsiderimin e Gjermanisë si një vend klasik emigrimi (si në rastin e SHBA-ve, Kanadasë dhe Australisë) dhe shpjegimin e faktit nëse për të përmirësuar proceset komplekse të këtij fenomeni në Gjermani do të ishte e nevojshme hartimi i një ligji të ri për migrimin. Dhe po kështu, në studimin e hapave që duhen ndërmarrë për menaxhimin e migrimit nga BE në mënyrë aktive, duke kombinuar nevojat për forca pune të kualifikuara dhe rritjen e atraktivitetit të Gjermanisë për të tërhequr forcë pune të kualifikuar (braingain). Në këtë konsferencë u gjykua nevoja që Komisioni Evropian, ku Gjermania është shumë aktive, të hartojë një agjendë gjithëpërfshirëse evropiane. Kjo agjendë do të përfshijë forcimin e sistemit të përbashkët të azilit, një politikë të re për migrimin legal në forcim të konkurrencës botërore, luftën e vazhdueshme kundër migrimit të parregullt dhe trafiqeve, si dhe sigurimin e kufijve të Evropës. Për emigrimin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, u theksua se megjithë kompleksitetin e situatës, duhet që të bëhet dallimi mes njerëzve që përndiqen vërtet në vendet e tyre të origjinës dhe për këtë u nevojitet mbrojtje, dhe atyre që nuk janë viktima të përndjekjes për çfarëdo arsyeje, të cilët duhet të kthehen në atdheun e tyre. Dhe ky është dhe rasti shqiptar.
Francë
Pikërisht këto ditë Senati francez po shqyrton projektligjin e paraqitur nga qeveria për reformimin e sistemit të azilit në Francë, i cili parashikon një sistem më të ashpër dhe më pak “tërheqës” për kandidatët për azil.
Franca në mënyrë zyrtare ka paraqitur një raport të përgatitur nga senatori Bernard Fournier, anëtar i Grupit të Miqësisë, për miratimin nga Senati të protokollit të nënshkruar mes Francës dhe Shqipërisë më 2013, për zbatimin e Marrëveshjes së Ripranimit, nënshkruar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian më 2005 dhe hyrë në fuqi më 2006. Pritet që brenda pak ditësh Senati francez të miratojë protokollin e zbatimit, çka përmbyll procesin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga Franca, duke sjellë një instrument shtesë mes dy vendeve në adresimin e fenomenit të azil-kërkimit.
Holandë
Refuzimi i i strehimit të azil kërkuesve po shkakton krizë në koalicionin qeverisës. Bisedimet e koalicionit po zhvillohen në kuadër të vendimit të Këshillit të Evropës, sipas të cilit refugjatëve pa dokumente shteti duhet t’u sigurojë shtretër e ushqim, ndërkohë që janë vetë qytetarët holandezë që duhet të vendosin në se do ta zbatojnë vendimin.
Politika zyrtare është në favor të dëbimit të personave të cilët nuk kualifikohen si refugjatë në qendrat përkatëse dhe për inkurajimin e kthimit të tyre. Partia Laburiste e koalicionit kërkon t’u japë këtyre personave strehim emergjent, ndërsa partitë e tjera shprehen kundër, pasi ky qëndrim do të inkurajonte ardhjen e refugjatëve të tjerë. Aktualisht në Holandë ndodhen 60 000 persona, të cilët kanë qenë fillimisht azil kërkues.
Suedi e Finlandë
Në datë 21 prill 2015, Frontex organizoi një operacion për riatdhesimin e e 66 shtetasve shqiptarë. Operacioni i FRONTEX i datës 21 prill është i pari për këtë vit i kryesuar nga Suedia dhe me pjesëmarrjen e Finlandës, Gjermanisë dhe Francës. U riatdhesuan 26 shtetas shqiptarë nga Suedia, 12 shtetas shqiptarë nga Finlanda, 22 shtetas shqiptarë nga Gjermania dhe 6 shtetas shqiptarë nga Franca. Numri i azilkërkuesve në përgjithësi është mjaft më i ulët në Finlandë në krahasim me Suedinë. Zbatimi me rigorozitet i “Rregullores se Dublinit”, kërkesa më të “ashpra” gjatë dorëzimit të aplikimit dhe procedimi i shpejte i aplikimeve janë disa nga arsyet kryesore të cilat kanë krijuar këtë diferencë në numrin e azilkërkuesve midis dy vendeve nordike.
Zvicra
Sipas Sekretariatit të Migracionit Zvicerian, nuk ka asnjë tendencë shqetësuese për rritje të numrit të azilkërkuesve shqiptarë. Për qeverinë zviceriane përbën shqetësim hyrja e paligjshme e emigrantëve nga Kosova në territorin e saj. Duke ju referuar statistikave, gjate muajve Janar – Mars 2015 kanë hyrë ilegalisht ne Zvicër 369 kosovarë, duke zënë kështu vendin e dytë pas azilkërkuesve afrikanë. Sipas statistikave zyrtare në Zvicër jetojnë rreth 175.000 kosovarë të cilët kontribuojnë më 12% të GDP-së zviceriane. Në mediat zviceriane Kosova cilësohet si një nga vendet më të varfra në Europë, ku rreth 40 për qind e popullsisë jeton në varfëri.
Të larguarit në shifra
Nga viti 2012 me 7760 të larguar, në vitin 2014 me 17185 shqiptarë që kanë kërkuar azil, shifrat kanë një trend rritës. Me një projeksion të thjeshtë, i bie që i njëjti tred të ruhet edhe në këtë vit. Pesë vendet më të kërkuar nga shqiptarët janë Britania e Madhe, Suedia, Franca, Belgjika dhe Gjermania. Në tre mujorin e parë të vitit 2015, vendin e parë e zyri Gjermania, e cila ka një emigracion të vjetër shqiptar që të vitit 1990.
Shqipëria vazhdon të jetë një vend origjine për emigracionin, por njëkohësisht është bërë edhe vend pritës për të. Kryesisht si një trampolinë për të depërtuar që këtu në vende të tjera të BE-së. Sipas të dhënave të Policisë Kufitare dhe Migracionit gjate vitit 2014, në Shqipëri kanë kërkuar azil 111 shtetas te vendeve të treta. Sipas shtetësive të tyre ata janë: 91 vetë nga Siria, 9 nga Eritrea, 3 nga Gambia, 3 nga Sudani 3 nga Iraku 2 nga Afrika e Jugut dhe Senegali e Kameruni me nga 1 shtetas.
Tab, 1
| 2012 | 2013 | 2014 | |
| Azilkërkues shqiptar | 7760 | 11400 | 17185 |
Shqipëria ka vazhduar të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Ripranimit me Komunitetin Evropian, që ka të bëjë me ripranimin në vend të shtetasve shqiptyarë që kanë shkelur procedurat e parashikuara në ligjin për të huajt. Që nisin që me hyrje ilegale në një vend të BE-së, në mosrespektim të afateve të qëndrimit, në mos justifikim të qëndrimit apo dhe në punësim të paligjshëm. Me përjashtim të vitit 2012, numri i të kthyerve është rritur nga viti ne vit. Rreth 75 për qind e të kthyerve vijnë nga Greqia.
Tab 2
| Nr. | Viti | Ripranuar |
| 1. | 2011 | 11650 |
| 2. | 2012 | 10105 |
| 3. | 2013 | 15258 |
| 4. | 2014 | 21142 |
Për periudhën Janar – Mars të vitit 2015 janë ripranuar në Shqipëri, 4644 shtetas. Nga këta, 490 janë kthyer në Shqipëri me fluturime charter kryesisht nga Gjermania, Franca dhe Anglia.
Në Pikat e Kalimit Kufitar, policia kufitare ka refuzuar dhe po vazhdon të refuzojë daljen nga Shqipëria të shtetasve shqiptar të cilët janë ripranuar në Shqipëri për arsye se kanë abuzuar me mundësinë e lëvizjes e lire ne hapësirën Shengen . Po ashtu ushtrohet kontroll fizik dhe kontrollohen bagazhet e shtetasve që kanë tentuar të hyjnë më parë me dokumente të falsifikuara në vendet e BE-se për te konstatuar dokumente te falsifikuara.
Tab. 3
| Nr | Viti | Numri i refuzimeve |
| 1 | 2012 | 5143 |
| 2 | 2013 | 7308 |
| 3 | 2014 | 11923 |
Për periudhën Janar – 18 Prill 2015 u është refuzuar dalja rreth 4500 shtetasve. Në këtë shifër janë të përfshirë edhe të afërmit e shtetasit që i refuzohet dalja nga vendi, të cilëve ju është refuzuar gjithashtu largimi nga vendi, për arsye që lidhen kryesisht me mos justifikimin e qëllimit të udhëtimit, tejkalim të afateve të qëndrimit në zonën Schengen, mungesë të mjeteve financiare apo që janë refuzuar të hyjnë në vendet e Schengen-it.
Hataja në portin e Vlorës
Ndodhi krejt papritur në dhjetor të vitit të kaluar, njëlloj sikur u shpik nga hiçi. Një numër autobuzësh të katër shoqërive turistike u shfaqën në portin e Vlorës duke krijuar dyshime për atë që pritej të ndodhte. Ishin familje të tëra me destinacion fillestar Italinë e më pas, Gjermaninë. Dyshime të arsyeshme nga policia në fillim dhe më pas edhe hetime më të thelluara, krijuan idenë e një trafiku të organizuar që do të përfundonte më kërkim azili në Gjermani. Plot 265 shtetasve shqiptarë të cilët udhëtonin me këto shoqëri, ju refuzua dalja nga vendi sepse nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. U arrestuan në flagrancë 3 shtetas nën akuzën e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve në bashkëpunim,falsifikimit të dokumenteve pasi dyshoheshin se në bashkëpunim me njëri- tjetrin kishin mundësuar kalimin e paligjshëm të kufirit, të një numri të konsiderueshëm qytetarësh nga Shqipëria për në Gjermani si dhe u realizua arrestimi i dy shtetasve të tjerë pasi dyshoheshin se kanë patur dijeni për trafikimin e shtetasve në drejtim të Gjermanisë dhe moskallëzimi i krimit”.
Dy urdhëra që ndalojnë
Eshtë përgatitur dhe miratuar plani i veprimit i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit i majit 2014, “Për parandalimin e rasteve të kërkimit të azilit në mënyrë të paligjshme nga shtetasit shqiptarë për në vendet e Bashkimit Evropian”. Në këtë plan parashikohen masa konkrete për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit për minimizimin e këtij fenomeni. Po kështu, është miratuar Urdhër i Përbashkët i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Social Shtetëror i marsit 2014, “Për marrjen e masave për pritjen dhe trajtimin social të të miturve të pashoqëruar që kthehen/ripranohen nga vendet e tjera”.
Pesë vjet pa viza
Doktor Elona Gjebrea Hoxha është zëvendësministre e brendshme dhe e fokusuar më së shumti në çështje që lidhen me trafikun e qënieve njerëzore. Në shkrim për revistën Java ajo sqaron situatën e krijuar dhe afron një pasqyrë historike të këtij problemi.
Në datën 15 dhjetor 2010 qytetarët shqiptarë filluan lëvizjen pa viza në drejtim të vendeve Schengen, lëvizje e cila ishte fryt i përpjekjeve të vazhdueshme për të përmbushur në kohë detyrimet e parashikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në aspektet e pajisjes me dokumente udhëtimi biometrike, menaxhimin e kufijve shtetërorë, migracionin dhe luftën kundër krimit të organizuar. Lëvizja pa viza e shtetasve shqiptar në hapësirën BE/ Schengen u parapri nga një fushatë sensibilizimi e shtetasve shqiptarë nëpërmjet fushatave televizive në televizione private kombëtare, lokale dhe shtetërore, fletëpalosjeve të shpërndara në pikat e kalimit kufitar për të drejtat dhe detyrimet qe kanë shtetasit shqiptar për të hyrë dhe qëndruar në zonën Schengen, si dhe njohjen me masat shtrënguese që këto shtete do të merrnin nëse abuzohej me liberalizimin e vizave. Efekti pozitiv i këtij procesi u vërejt menjëherë gjatë vitit 2011, ku numri i daljeve u rrit me rreth 54 për qind, me një shifër prej mbi 4 100 000 dalje nga Shqipëria. Një vit më parë numri daljeve arrinte diku tek 2 700 000 qytetarë. I njëjti trend, në dalje është vërejtur edhe për vitet në vijim ku vërehet një mesatare prej 4 milion daljesh në vit nga Shqipëria.
Efektet pozitive të lëvizjes pa viza janë më se evidente, por a respektoheshin nga të gjithë qytetarët shqiptar rregullat e udhëtimit në drejtim të vendeve Schengen? Rregulla të cilat lidhen me qëllimin e udhëtimit dhe qëndrimit, respektimin e afateve të qëndrimit, e të tjerë? Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve, lindi e nevojshme që menjëherë pas heqjes së vizave të fillojë edhe procesi i monitorimit të shtetasve shqiptar i cili kishte si qëllim kryesor analizimin e indikatorëve të ndryshëm që tregonin ecurinë pozitive ose jo të këtij procesi. Duhet theksuar se pas afro 4 vjet e gjysmë vërehet se qytetarët shqiptarë në tërësinë e tyre vazhdojnë të respektojnë me korrektësi mundësinë e udhëtimit pa viza. Megjithatë, vërehet se vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre e përdor këtë mundësi për punësim të parregullt, tejkalim të afateve të qëndrimit si dhe për të kërkuar azil në disa prej shteteve të hapësirës Shengen. Nëse analizojmë të dhënat që lidhen me ripranimin në Shqipëri të shtetasve shqiptar të cilat kanë shkelur procedurat e parashikuara në ligjin për të huajt (hyrje ilegale, afte qëndrimi, mos justifikim te qëndrimit, punësim i paligjshëm etj) rezulton se numri i të kthyerve është rritur nga viti ne vit me përjashtim të vitit 2012. Gjatë vitit 2013 janë ripranuar 15258 shtetas ndërkohë që numri i tyre ka arritur në 21142 në vitin 2014, me një rritje prej rreth 38 për qind krahasuar me vitin 2013. Po ashtu, për periudhën Janar – Mars të vitit 2015 janë ripranuar/ kthyer në Shqipëri, 4644 shtetas ku 490 prej tyre janë kthyer në Shqipëri me fluturime charter kryesisht nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.
Një indikator tjetër që duhet të merret në konsideratë është edhe rritja e vazhdueshme, vit pas viti e kërkesave për azil. Në vitin 2012, kërkesat për azil në vendet BE/ Schengen kanë qenë 7760 ndërkohë që gjatë vitit 2013 ato arritën 11400 kërkesa. Situata ka vazhduar me një trend në rritje edhe përgjatë vitit 2014 duke arritur në 17185 kërkesa ose 51 për qind më shumë se viti 2013.
I gjithë ky proces monitorimi, i konsoliduar tashmë prej kohësh, ka si qëllim të ofrojë informacionin e duhur autoriteteve shqiptare lidhur me abuzimin që shtetasit shqiptar mund të bëjnë duke patur mundësinë e lëvizjes pa viza për të marrë masat e nevojshme reduktimin e kësaj lëvizjeve që nuk çon askund.









