Nga Qerim Ismeni
Sipas pohimeve të specialistëve të të gjitha niveleve, që nga sondistët e deri tek inxhinierët me grada shkencore, rezulton për keqadministrim të vend-burimit ose e thënë troç nga babëzia e kompanive private për një shfrytëzim intensiv (grabitje) të pasurisë tonë në një kohë sa më të shkurtër të mundëshme. Kompanitë e huaja apo “bashkaksionerët shqiptarë” nuk duan t’ia dinë për prespektivën, për shfrytëzimin Racional e të Qendrueshëm, për të ardhmen, për brezat që vijnë. Ato nqs do të kishin mundësi teknike, për shtetin shqiptar, gjithë rezervat e naftës shqiptare afër 40 mln. ton do ti nxirrnin për një muaj apo për një vit. Por është detyrë e shtetit – qeveritarëve, që pretendojnë se janë të zgjedhur nga populli dhe se për t’i shërbyer atij, që nëpërmjet institucioneve politike, administrative dhe shkencore të mbajnë nën kontroll oreksin e kapitalistëve në një shtet demokratik.
Faktet mbi ngjarjet në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë tregojnë se asnjë nga institucionet nuk ka vepruar në të mire të shtetit shqiptar (nënkupto të qytetarëve shqiptar). Vetë kontrata e nënshkruar nga qeveria shqiptare, ku ne (shteti shqiptar) poseduesi i kësaj pasurie të papërsëritëshme, që në gjuhën politike komerciale quhet “ari i zi”, megjithëse i kemi dorëzuar koncensionar-marrësit puse në shfrytëzim me infrastrukturë të ngritur e jo në një hapësirë gjeografike shkretinore pa infrastrukturë për ta studiuar për kërkim–zbulim me ndarje prodhimi (pasurie) 90 me 10 në favor të “Bankers Petroleum”. Për më tepër kjo kontratë me kërkesën dhe kontributin e “aksionerëve” vendas është riparë me VKM nr. 251 dt. 12.03.2009, nga qeveria meqënëse koncensioner-marrësit nuk i dilnin llogaritë dhe se është bërë ndërhyrje – ndryshim kontrate ku shifra 10%, që merrte shteti është ndarë përsëri në raport 90 me 10 % në favor të “Bankers-Petroleum”. Përfundimisht, ligjërisht sipas kontratës në fuqi shteti shqiptar ka përfituar nga 1.4 mln. ton naftë e nxjerrë në vitin 2014 vetëm 1%, shifër që edhe kjo është e dyshimtë nëse është arkëtuar ose jo. Sot ka vende në botë që ky raport është nga 30 deri në 70 % në favor të zotëruesit të hapsirës ku kërkohet të nxirret nafta. Shtrohet pyetja: Po tjetër cfarë ka fituar shteti shqiptar, ish-punëtorët e naftës, banorët e rajoneve naftëmbajtëse, që në shumicën e rasteve janë punonjësit e naftës? Sipas të dhënave të dokumentuara rezulton se “kolonizatorët e rinj” me emrin Bankers-Petroleum, që në fakt një pjesë e tyre janë politikanë shqiptar aksionerë na kanë dhënë këto “përfitime” shtesë si :
1. Pushimin nga puna të më shumë se 1100 punonjëve, nga ku 410 prej tyre nuk u janë paguar as detyrimet minimale që jep Kodi i Punë dhe që sorollaten gjyqeve për afro një vit.
2. Tmerri psikologjik mbi banorët lokal (të jetosh me frikën) se:
a) Gjatë zhvillimit të lëkundjeve sizmike të krijuara nga procesi i nxjerrjes së naftës do t’u rrezikohet jeta nga shembjet e objekteve jetësore –shtëpi, objekte tregtare, industriale etj.
b) Se gjatë shpërthimit të gazit si Fontana P29/A e dt.1.04.2015 në Marinzë mund të asfiksoheshin e helmoheshin të gjithë banorët.
3.Shkatërrimin e gjithë ndërtesave si shtëpi, objekte tregtare, industriale etj.
4. Ndotje ajri nga gazet hidrokarbure me bazë Metani dhe bashkëshoqërues Etan, Propan, Butan, gaz sulfuror, oksid azot, monoksid karbon, gaz fluorhidrik, gaz sulfhidrik, Naphthalene, 1.3 -Butadiene, Benzen dhe VOC, Fenol etj. Ndër këto gaze H2S falë natyrës së naftës shqiptare është në sasi të konsiderueshme. Të gjithë këto përbërës janë helme për njerëzit dhe gjallesat e tjera. Është për t’u theksuar se gazi sulfhidrik (H2S) është i tretshëm në ujë dhe për pasojë është prezent për kohë të gjatë në tokë e në ujë me pasoja të rënda në shëndet me impakt direkt në sistemin nervor, atë të frymëmarrjes si dhe në gjak dhe se në prezencë të gazeve të tjerë hidrokarbur në bashkëshoqërim veprojnë si katalizator për njëri tjetrin dhe se efekti shumar në shëndet është shumë herë më i madh se shuma e efektit të veprimit të secilit veç e veç. Pra në rastin konkret kemi helmim të menjëhershëm të banorëve dhe punonjësve të naftë, gjë që i detyroi t’i drejtoheshin shërbimit shëndetësor. Kjo për shkak të koncentrimit të lartë të gazit në ambientin jetësor. Megjithatë duhet të kemi parasysh faktin se helmimi akumulativ, depozitimi i Fenolit në gjak, i ngadaltë, që realizohet në periudha të gjata kohore për koncentrime të ulëta është edhe më i rrezikshëm sepse ka veprim invalidizues deri në kancer mbi njerëzit dhe se kur të konstatohet është i pareabilitueshëm, “qemonia e Nastradinit”. Në këtë kontekst desha të sjell në vëmendje se pikërisht ministri, që ngriti moshën e pensionit të naftëtarve në 67 vjeç dhe vjetërsinë e punës nga 35 në 40 vjet, që mohoi të drejtën për të marrë pjesë nga kontributi i tyre në arkën e Sigurimeve Shoqërore, propozohet për të qeverisur Tiranën.
5. Ndotja e ujrave nëntokësore me hidrokarbure duke i bërë ato të papërdorshme për asnjë lloj qëllimi, por dhe të dëmshme për të gjitha gjallesat dhe bimët kudo ku kalojnë deri në derdhjen në det.
6. Kontaminimi i tokës bujqësore dhe kullotave me mbetje nafte dhe squfuri, ku asnjë gjallesë nuk mund të rezistojë, ku asnjë produkt bujqësor nuk mund të merret dhe se reabilitimi kërkon më shumë se 1 deri në 2 vjet.
7. Mbulimi i shtresës produktive të tokës me argjila të dala nga thellësitë e tokës, në trashësi deri në 0.5 metër, që nuk përmban as gjurmë humusore përveç mbetjeve hidrokarbure, gjë që kërkon kosto dhe kohë për reabilitim. Edhe pa fontanën P29/A të dt.1.04.2015 fusha naftëmbajtëse Patos-Marinzë ka qenë e listuar në 31 Hot-Spotet Mjedisore të vendit tonë. Pra sa më sipër u mundova që të përshkruaj “përfitimet”, që siguron shteti shqiptar për vete dhe për qytetarët e tij nga konçensionet e nënshkruara nga qeveritar të korruptuar deri në makutëri, që janë të gatshëm të ngrejnë lavdinë e tyre mbi mjerimin e popullit. Pikërisht për këto arsye në pamundësi për të ndryshuar diçka po ikën prej Shqipërisë si prej murtajës. Qeveritarëve tanë u janë errur sytë aq shumë sa që kërkojnë të na e shesin ne sapunin për djathë, ndërsa makutërinë e tyre si sakrificë për zhvillimin dhe mirëqënien tonë. Janë koncensionet dhe privatizimet skllavëruese e kriminale të pasurive kombëtare, është mosndëshkimi dhe gradimi i atyre qeveritarëve që i bënë, është mbështetja sociale jo profesionale, është mungesa e sigurisë minimale e jetës për mungesë ushqimi, shërbimi shëndetësor apo rendi dhe jo kërkesa për pagesën e energjisë elektrike, ujit apo transportuesit që po nxisin eksodin, braktisjen e Shqipërisë. Ndaj, mendoj se është për t’u përshëndetur fillimi i hetimit nga Prokuroria e Fierit ndaj kompanisë “Bankers-Petroleum”, por mendoj se ky proces i kalon përmasat e një hetimi lokal sepse këtu bëhet fjalë për një hetim kompleks që duhet të nisë që nga aktet ligjore administrative që kanë favorizuar këtë shfrytëzim barbar në dëm të shtetit e popullit shqiptar dhe në veçanti në dëm të popullatës lokale. Si për ironi të fatit nga gjithë bëmat e qeverisë deri më tani nuk ka patur asnjë zgjidhje; as për punonjësit e pushuar nga puna, as për infrastrukturën e dëmtuar nga tërmetet e provokuara, as nga shpërthimi i fontanës, por vetëm demagogji, ngritje grupesh pune, takime e premtime.
Mbetemi me shpresë se avaria e ddatës 1 Prill do të shënojë një pikë kthese në marrëdhënien qeveri – Bankers Petroleum.