Rreth 2600 studentë që do të banojnë në godinat e “Qytetit Studenti” këtë vit do të kenë kushte më të mira. Pesë prej tyre janë rikonstruktuar me financim të qeverisë gjermane.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj bashkë me ambasadorin e BE, zëvëndës ambasadorin gjerman dhe përfaqësuesin e Bankës Gjermane për Zhvillim përuruan konviktet e rikonstruktura në “Qytetin Studenti”.
“Po shikoja para ca ditësh një postim, në një nga këto faqet, ku një studente e një prej konvikteve tona të reja kishte postuar një tiganë dhe pjata të palara, që kishin zënë krimba. Qeveria, bashkia, ambasada, BE, KfW, mund të investojë deri në njëfarë mase, por nuk ka bashki, qeveri, apo ambasadë në botë që të lan pjatat. Gjysmën e pagesës prej 65 mijë lekësh të konvikteve, e paguan bashkia; pra, çmimi tashmë është i subvencionuar, por aty nuk përfshihet edhe larja e enëve, as rregullimi i krevatit. Ky nuk është një hotel, por është një shtëpi, shtëpia jonë e përbashkët dhe duhet të kujdesemi për këtë”.
Studentët sipas kryetarit të bashkisë mund të përdorin aplikacionin Tirana ime për të rezervuar një dhomë në “Qytetin Studenti”.
“Lajmi i mirë është se duke filluar nga sot, te aplikacioni “Tirana ime”, siç rezervohet një hotel online, ashtu mund të rezervohet edhe një dhomë në “Qytetin Studenti”. Besoj se është mënyra më transparente e asaj që quhet kush aplikon i pari, shërbehet i pari, dhe besoj se është një mënyrë ideale edhe për t’i përdorur këto lehtësira”
“Rehabilitimi me efiçencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri” program i qeverisë gjermane përfshinë rikonstruksionin e 15 godinave në “Qytetin Studenti”