Ricky Martin rikthehet në ekranin e madh me filmin e ri të Gael García Bernal

Pas një shkëputjeje prej më shumë se dy dekadash, Ricky Martin do të rikthehet në kinematografi me një rol në filmin e ri të Gael García Bernal, “Hombre al Agua”. Përveç interpretimit, këngëtari portorikan është angazhuar edhe si producent ekzekutiv i projektit.

Produksioni pritet të prezantohet për herë të parë në botë dhe në Amerikën e Veriut gjatë Festivaleve të Filmit në Venecia dhe Toronto, të cilat zhvillohen muajin e ardhshëm. Sipas “Deadline”, Martin iu bashkua kastit pak para fillimit të xhirimeve në Meksikë.

“Hombre al Agua” cilësohet si një komedi dramatike me nuanca sureale dhe shënon filmin e tretë artistik të drejtuar nga Gael García Bernal. Bernal ka gjithashtu rolin kryesor, ka marrë pjesë në shkrimin e skenarit dhe është përfshirë në prodhimin e filmit.