Armando Meta
SPECIALE JAVANEWS/ Teksa po numërohen kutitë e fundit për zgjedhjet parlamentare të datës 25 qershor 2017, është figuruar qartazi tashmë edhe rezultati që partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje kanë arritur të marrin. Ajo që vihet re është fakti se në zgjedhjet e 25 qershorit, në shkallë vendi, PS ka arritur ta shtojë numërin e votuesve në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 me afro 25 mijë, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe një avantazh elektoral krahasuar me subjektet e tjera politike pjesëmarrëse në zgjedhje. PS arriti të shtojë numrin e mandateve me 9 krahasuar me zgjedhjet e 2013, duke arritur në këtë mënyrë të ketë aktualisht 74 mandate.
Ajo që bie në sy në zgjedhjet e 2017 është fakti se PD ka rënie të numërit të votuesve në shifra gati 85 mijë zgjedhësish krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013. Ulja e numërit të votuesve ka prodhuar edhe një rezultat shumë negative për këtë forcë politike. Nisur nga të dhënat PD ka humbur 14 mandate në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e 2013. Ajo ka tani 43 mandate nga 57 që kishte katër vite më parë.
Në kontrast me këtë LSI ka arritur të forcojë pozitat e saj në raport me numërin e votuesve në zgjedhjet e 2013. Në zgjedhjet e 2017 LSI e rriti numërin e votuesve me afro 38 mijë, duke i shtuar vetes në këtë mënyrë edhe një mandate deputeti më shumë krahasuar me ato që mori në zgjedhjet e 2013. LSI shkoi nga 18 mandate në 19.
Rritje sa i përket votuesve në këto zgjedhje ka pasur edhe PDIU me afro 29 mijë votues. Por në dallim me zgjedhjet e vitit 2013 numëri i mandate të prodhuara në këto zgjedhje është më i ulët, me vetëm 3 mandate, krahasuar me 4 që mori në zgjedhjet e 2013.
Ajo që bie në sy është edhe rikthimi i PSD në Kuvend në zgjedhjet e 25 qershorit pas 8 vitesh. Ajo arriti të shtojë me 4 mijë numërin e votuesve për këtë subjekt politik duke prodhuar në këtë mënyrë edhe një mandate deputeti.
Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 numëri i partive pjesëmarrëse në zgjedhje është më i ulët. Mjaft parti që morën pjesë në zgjedhje para 4 vitesh nuk garuan, ose në rastin më të mirë iu bashkangjitën PS dhe PD, por pa formuar koalicion. Subjekte të tjera elektorale në zgjedhjet e 2017 arritën rezultate mjaft të dobëta duke zbehur në këtë mënyrë jo vetëm ‘shkëlqimi’ elektoral që u përpoqën t’i japin vetes në këto zgjedhje, por nga ana tjetër duke mbetur thjeshtë një statistikë në renditjen e fletës së votimit.
2013- 2017/ Tabela krahasuese e rezultateve
REZULTATI 2013 REZULTATI 2017
PS, 713,407 vota, 65 mandate – 738639 vota, 74 mandate
PD, 528, 373 vota, 57 mandate – 440934 vota, 43 mandate
LSI, 180, 470 vota, 16 mandate – 221010 vota, 19 mandate
PDIU, 44,957 vota, 4 mandate – 71367 vota, 3 mandate
PSD, 10,220 vota, 0 mandate – 14895 vota, 1 mandat