• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, May 4, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Rexhep Qosja sulmon kritikët e vizitës së Ramës në Beograd: “Kombi kosovar” ide feudale

by A R
21/10/2016 08:31
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

“Edhe unë do ta hiqja ndonjë fjali prej atij fjalimi, por në përgjithësi fjalimi i Edi Ramës ju po thoni para kryeministrit Vuçiç e unë do të thosha para opinionit serb, shqiptar e evropian ishte fjalim i menduar shumë mirë, fjalim me rrezatim të gjerë politik. Nuk ngurroj të them se fjalimet e Edi Ramës në Beograd me nivelin e tyre janë leksione politike”. Profesor Rexhep Qosja, e komenton me këto fjali vizitën dhe fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd. Në një intervistë për “GSH”, akademiku nga Kosova ndalet edhe tek kritikat e Prishtinës ndaj Tiranës zyrtare, pa qenë dakord me to, ndalet te “kombi kosovar” dhe tek ajo që po lexohet si përçarje Shqipëri-Kosovë. Për profesor Rexhep Qosjen, ideja përmbledhëse e kësaj interviste do të mund të ishte “Vetëkënaqësia feudale”.

– Profesor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u takua me kryeministrin e Serbisë, në Beograd. Si e perceptuat ju këtë takim?
– Meqenëse e njoh si trabant të dikurshëm të Vojisllav Sheshelit, i cili ishte pamatshëm i ngarkuar me shovinizëm ndaj kroatëve, ndaj myslimanëve dhe ndaj shqiptarëve, që e shprehte shumë egërsisht, unë nuk mund të kem kurrfarë mirëkuptimi politik a intelektual për takimet e politikanëve shqiptarë me kryeministrin e sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Por, populli serb e ka zgjedhur atë dhe shqiptarët si dhe kroatët a myslimanët duhet të hyjnë në bisedime me të! Takimet e kryeministrit Edi Rama me të, deshëm s’deshëm janë, prandaj, të kuptueshme dhe të nevojshme. Më shpesh se Edi Rama me të janë takuar dhe vazhdojnë të takohen (në Bruksel) prandaj edhe gjetiu disa nga zyrtarët më të lartë të Kosovës. Dhe, këto takime mund të quhen të domosdoshme e të rëndësishme për Kosovën, për Shqipërinë, për Serbinë dhe për rajonin në përgjithësi. Serbinë e kemi fqinje, kurse një numër të serbëve i kemi bashkëqytetarë të Kosovës, të cilëve duhet t’ua sigurojmë të gjitha të drejtat, që u sigurohen dhe siç u sigurohen edhe shqiptarëve në Serbi, në Maqedoni a në Mal të Zi. E kam thënë dhe po e përsëris: ne Serbinë nuk mund ta çojmë në Australi, kurse Serbia Kosovën nuk mund ta çojë në Indonezi a në Zelandë të Re. Me Serbinë do të jemi fqinjë gjithmonë dhe me fqinjët duhet të bëjmë çmos që të krijojmë marrëdhënie sa më të mira – për të mirën tonë dhe për të mirën e tyre.
Arsyeja tjetër pse e kuptoj takimin e kryeministrit Edi Rama dhe të zyrtarëve tanë me zyrtarët më të lartë serbë është edhe kjo: ne e kemi fituar luftën dhe, siç e ka thënë Uinston Çërçilli i mençur, fitimtari, gjithmonë e gjithkund duhet të tregohet shumë zemërgjerë.

– Si ju duk fjalimi i Edi Ramës në Serbi para Vuçiçit?
– Studiuesit e veprave të Shekspirit edhe në kryeveprën e tij, në “Hamletin”, mund të gjejnë ndonjë ide, ndonjë fjali, a ndonjë pamje, që do ta hiqnin prej saj. Edhe unë do ta hiqja ndonjë fjali prej atij fjalimi, por në përgjithësi fjalimi i Edi Ramës ju po thoni para kryeministrit Vuçiç e unë do të thosha para opinionit serb, shqiptar e evropian ishte fjalim i menduar shumë mirë, fjalim me rrezatim të gjerë politik. Nuk ngurroj të them se fjalimet e Edi Ramës në Beograd me nivelin e tyre janë leksione politike dhe intelektuale për klasën politike serbe dhe kjo e vërtetë e nderon politikën shqiptare në përgjithësi.

– A mendoni se bëri mirë kryeministri Edi Rama që promovoi “Kurbanin” e tij në Beograd, një libër e rrëfim përplasjesh në Tiranë?
– Edi Rama nuk është vetëm kryeministër, nuk është vetëm politikan, por Edi Rama është edhe intelektual e krijues, është piktor e grafist, edhe publicist e eseist i rendit të parë. Mund të keni vërejtur se në Evropë, kudo e kurdo është në vizita zyrtare, tregohet nderim për Edi Ramën kryeministër i Shqipërisë njëkohësisht duke pasur parasysh edhe prestigjin e tij intelektual, të treguar, të shprehur, natyrshëm, në të gjitha paraqitjet e tij.
Le të dihet se botuesi i “Kurbanit” të Edi Ramës ka botuar edhe romanin e Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”.
Nuk duhet të befasoheni me përurimin e veprës së Edi Ramës, “Kurbani”, në Beograd. Serbia ka shumë traditë në përurimet e veprave të politikanëve e të shtetarëve të vdekur e të gjallë të popujve të ndryshëm evropianë e botërorë në përgjithësi në prani a në mungesë të tyre. Po ashtu, mund t’ju përkujtoj se para një kohe, nuk e mbaj mend para një viti a ndonjë muaj më pak, në Beograd u përurua edhe romani i Veton Surroit “Ambasadori i Melkizedekut”.
Përurimi i librit publicistik të Edi Ramës me vlera të theksuara edhe letrare “Kurbani” mua më bëri përshtypje të veçantë, qoftë edhe pse në këtë mënyrë u tregua sipëria e politikanit tonë, e kryeministrit tonë, jo vetëm në krahasim me kryeministrin Vuçiç.

– Po deklaratën për Trepçën, kur Rama tha se nuk mund ta nxjerrim nga Kosova, si e lexuat?
– Me atë deklaratë kryeministri Edi Rama, me dhuntinë e tij krijuese, ia tha Serbisë dy të vërteta të mëdha, shumë të mëdha: e para, i tha Serbisë se Trepça është resurs i madh, tepër i madh, natyror, që kurrsesi, me kurrfarë mjetesh, nuk mund të nxirret prej vendit natyror, gjeografik, ku gjendet – prej Kosovës dhe, e dyta, se Kosova është shtet i pavarur dhe më vete, që vendos vetë, pavarur, për të gjithë dhe të gjitha, që janë në hapësirën e saj gjeografike, njerëzore e shtetërore.

– Pati reagime nga Prishtina zyrtare, ku në njëfarë mënyre iu kërkua Tiranës të mos ndërhyjë, apo reagimi u perceptua keq?
– Ndaj paraqitjes zyrtare dhe intelektuale të Edi Ramës në Beograd dhe në Nish, domethënë në Serbi, pati shumë, vërtet shumë reagime të zyrtarëve, të medieve dhe të individëve të ndryshëm në Prishtinë e në Kosovë në përgjithësi dhe pati shumë reagime në Tiranë si ndaj asaj paraqitje të Edi Ramës në Serbi ashtu edhe ndaj atyre reagimeve në Prishtinë. Numër i madh i këtyre reagimeve në Prishtinë e në Tiranë ishte i pushtuar prej idesh, mendimesh, ndjenjash, pasionesh të pakontrolluara, pothuaj iracionale, megjithëse disa ishin paramenduar si shumë “racionale”! Për shumëkënd këto reagime në Prishtinë e në Tiranë mund të jenë befasi e madhe, e papritur e madhe! Si është e mundur që komunikimi midis Prishtinës e Tiranës, qoftë intelektual qoftë politik, të çoroditet, të degradojë, të fundoset deri në atë shkallë? E nuk do të duhej të befasoheshim aq shumë për shkak të atij kaosi që u tregua në këmbimet e mospajtimeve ndërmjet Prishtinës zyrtare e jozyrtare dhe Tiranës kryesisht jozyrtare për paraqitjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi. Ide, mendime, ndjenja, që më përshtrirshëm e më vrazhdë u shprehën kësaj radhe, janë shprehur, por në trajtë më të rrudhur e më të zbutur edhe më përpara dhe janë shprehur prej disa individëve e përmes disa individëve edhe prej disa institucioneve kryesisht shkencore, arsimore e kulturore.
Por, të lëmë anash fyerjet, paragjykimet dhe marrëzitë që arrijnë deri në mosdurim, të mos them deri në urrejtje, në disa reagime të disa gazetarëve, publicistëve, pedagogëve universitarë dhe të thuhen pak fjalë për dy çështje: e para, për “përzierjen” e Shqipërisë në punët politike të Kosovës dhe, e dyta, për idenë e krijimit të kombit kosovar.
Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës u thanë, përpos të tjerash, edhe këto fjalë: “Përsa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA-ja ose BE-ja. Prandaj, ne në raport mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë instrumente që të ushtrojnë ndikim”./GSH/a.m.

Next Post
Liverpool e Totenham interesohen për Insignen, Napoli kërkon 50 mln euro

Liverpool e Totenham interesohen për Insignen, Napoli kërkon 50 mln euro

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Politika shqiptare dhe teoria e “lojës”

SONDAZHI / Cila parti ka punuar më shumë për shtresën e varfër dhe të mesme? Ja si përgjigjen shqiptarët

May 4, 2026
“E quante veten Bisha!”, Artan Hoxha flet për autorin e tragjedisë në Durrës, ku vdiqën dy fëmijë

“E quante veten Bisha!”, Artan Hoxha flet për autorin e tragjedisë në Durrës, ku vdiqën dy fëmijë

May 4, 2026
“Darka e Ramës kushtoi 10 mijë dollarë?”/ Spahiu: Kam verifikuar menunë e restorantit

“Ndërhyrja e GJL për paraburgimet, e drejtë”, Spahiu: Shqipëria ka treguar paradoks me korrupsionin…

May 4, 2026
Braktisi listën e Elbasanit, Balliu hedh akuza të forta: Noka dhe Boçi na vodhën votat e primareve

“Punon në administratë”, Balliu replikon me Gjin Gjonin: E sfidoj ish-gjyqtarin e korruptuar të Sali Frikacakut…

May 4, 2026
Për të tretën ditë, Hashim Thaçi del sërish sot para Dhomave të Specializuara në Hagë

“Më është mbyllur goja…”! Si është dita në izolim? Thaçi thyen heshtjen nga Haga

May 4, 2026
Salianji padit në Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Lartë për dënimin e tij

Akuza e fortë e Salianjit: Gjyqtarët që më dënuan mua, të njëjtët që i dhanë të drejtë Berishës…

May 4, 2026
“Po na vrasin për të dytën herë”, gjyshi i fëmijës 6 vjeç që u vra në aksident: Bënë fajtor nipin tim!

“Po na vrasin për të dytën herë”, gjyshi i fëmijës 6 vjeç që u vra në aksident: Bënë fajtor nipin tim!

May 4, 2026
“Shoqëri rrugaçe”, Llakaj i prekur për rastin e Durrësit: Mbetëm me sytë nga ekrani për të mësuar viktimën e radhës

“Shoqëri rrugaçe”, Llakaj i prekur për rastin e Durrësit: Mbetëm me sytë nga ekrani për të mësuar viktimën e radhës

May 4, 2026
SHBA dhe vendet e Gjirit hartojnë rezolutë të re në OKB kundër Iranit

SHBA dhe vendet e Gjirit hartojnë rezolutë të re në OKB kundër Iranit

May 4, 2026
“Bilanc lufte” në rrugë, Çepani ngre alarmin: 282 aksidente në tre muajt e parë të 2026-ës

“Bilanc lufte” në rrugë, Çepani ngre alarmin: 282 aksidente në tre muajt e parë të 2026-ës

May 4, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In