Nga Xhuljo Ferzaj
Gjatë seancës së ditës së enjte pamë shpikjen më të madhe nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të frymëzuar nga fjala “Revolucion” mbushën çantat me miell dhe vezë për të sulmuar kryeministrin Edi Rama.
Iniciuesi i Revolucionit të miellit ishte Sali Berisha, duke keqpërdorur disa deputetë servilë që vdesin t’ia bëjnë qejfin liderit të vërtetë të PD-së, jo më kotë se poste nuk të jep njeri kollaj sot jo. Përderisa ka pasur revolucion me gurë, zjarr, heshta e pushkë por edhe me dy gishta nevojitej patjetër një shpikje e re. Madje për këtë ata duhet të krenohen para qytetarëve. Po! Po! Ata meritojnë të marrin një çmim siç do krijues revolucionesh, ne qytetarët e thjeshtë kemi nevojë për talente të tilla, ata ofruan pikërisht atë që kemi nevojë, madje siguruan duartrokitje nga mullixhinjtë dhe furrxhinjtë që ankohen se ngelën vetëm ata duke u marrë me miell gjithë jetën. Ja paska edhe të tjerë që e paskan talent punën e miellit madje ata kanë kostume mbi 2 mijë euro.
Disa nga bashkëmoshatarët e mi përpiqen të futen në politikë por ngecën që ngecën, lexojnë libra, bëjnë mastera, doktoratura madje më shumë se kaq angazhohen në politikë por ankohen se nuk çajnë dot nga politikanët që se lëshojnë kollaj karrigen. Po ja që lodheni kotë miqtë e mi, nëse doni të futeni në politikë nuk duhet dija se të quajnë budalla, për këtë nevojitet të jesh i aftë të fusësh miell dhe vezë në parlament. Nuk mjafton me kaq ka edhe një kriter tjetër, duhet të dish të godasësh në shenjë se ndryshe nuk thotë po doktor Berisha, të heq vizën, s’të merr as për sekser.
Berisha hapi thesin e miellit ndërsa disa deputetë për ti bërë qejfin mbushën duart me shpejtësi për ta hedhur në drejtim të kryeministrit Rama, i cili gjatë atij momenti ishte duke pirë ujë. Përveç miellit të hedhur nga deputeti i PD-së, Flamur Ndoka, pasuan disa të shtëna vezësh por dolën huq. Ndërkohë që grimcat e miellit fluturonin si re, deputetët e PD dhe LSI gëzonin dhe qeshnin si të ishin kalamaj në kopsht apo çerdhe, ia dolën të bënin aktin më të madh të servilizmit ndaj Sali Berishës. Tashmë ata do jenë deputetë, siguruan vazhdimësinë. Ky ishte kriteri që kërkohet të jesh deputet i PD.
Kryeministri Rama nuk reagoj dhe ky ishte një qëndrim dinjitoz, ata nuk hodhën në drejtim të tij miell por injorancë. 6 “deputetët” tashmë të përjashtuar treguan se me miellin tallen ndërkohë ka qytetarë që mund të kishin siguruar një vakt ushqim. Revolucionarët e LSI-ë kanë kritere të tjera, përveçse të jesh bandit është shtuar kërkesa e re që kur erdhi Monika Kryemadhi. Kryetarja aty kërkon të jesh një gjinkallë ose dele e të telendisësh këdo që të del para, të jesh mjeshtër i përdorimit të çizmes dhe vezëve, ndryshe të mbyll derën e selisë së LSI dhe ngele jashtë.
Ajo nuk të kërkon para për të blerë votat se ato i peshon me kile, të jep vetë mjafton të jesh bandit dhe të bën deputet. Gjatë seancës kryetarja e LSI për tu bërë qendra e vëmendjes hapi thesarin e fjalëve vulgare, ashtu siç dëgjohej në videon e regjistruar nga Taulant Balla. I vetmi gabim që bëri ish-profesori im i nderuar Ditmir Bushati është se kujtoi se ishte miell dhe i hodhi ujë për ta kthyer në brumë, por nuk rezultojë e tillë, ajo që u hodh te ty ishte injorancë nga revolucionarët e miellit. Injorancës nuk i hidhet uji profesor, ata nuk din të bëjnë as petulla, e vetmja gjë është të ndiesh keqardhje që ke koleg deputet njerëz të tillë.
Gjithsesi u tregove fisnik kur u kërkove falje qytetarëve për përfshirjen në këtë akt pa dashur.
Qytetarët prisnin nga opozita një alternativë, ndërsa pak ditë më para u ofrua revolucioni i gurëve, levave dhe benzinës teksa digjte vend pagesën në “Rrugën e Kombit”. Pas ngjarjes së “Rrugës së Kombit” patën kohë mjaftueshëm për të krijuar një shpikje të re, “Revolucionin e miellit” mohojeni po deshët. Kur të vijnë votimet mos u ankoni nëse deputetët e PD dhe LSI vijnë të blejnë votën me një thes mielli.Lexo.al