Nga Ervin Lera*
Jemi vetizoluar të gjithë, lajmë duart, hapim dritaret të ajrosim shtëpinë, shkëmbejmë meme, ndjekim lajmet dhe presim. E gjitha kjo e shkruar kaq shkurt duket e thjeshtë për t’u bërë, e bukur për t’u kaluar, por, jo, e gjitha kjo është shumë stresuese, e vështirë dhe kërkon më shumë se vullnet për t’u perballur.
Gjithsecili nga ne ka sajuar një mënyrë të vetën për të kaluar kohën. Më e frekuentuara nga të gjitha është shpërndarja e qyfyreve nga rrjeti, më pas vjen shpërndarja e të rejave nga vendi dhe bota, përditësimi me arritjet dhe rezultatet e kërkimeve për kurën apo vaksinën dhe pse jo edhe me masat e marra nga qeveritë e ndrzshme dhe ajo e jona për përballimin e situatës sot por edhe nesër kur e gjitha kjo të ketë kaluar dhe të jetë harruar.
Unë për vete çdo mëngjes i çoj një mesazh audio një grupi miqsh: Mirmëngjes, Edi jam…, dhe vazhdoj sipas batutës së ditës. Miq të tjerë të mi më çojnë video, foto, meme dhe unë i shpërndaj në të tjerë e kështu është krijuar një zinxhir komunikimi që ndoshta shtrihet shumë më gjerë nga sa na çon imagjinata.
Presim mesditën të informohemi nga FISNIKËT e FORTË dhe të NDERUAR, për situatën në vend lidhur me rastet e reja dhe ecurinë e rasteve te konfirmuara tashmë të infektuara. Flasin autoritete të shëndetit publik, mjekë, ndonjëherë edhe vetë ministrja e shëndetsisë dhe, para të gjithëve këtyre, përveç se jemi të vëmendshëm jemi edhe admirues. Respektojmë, madje më shumë se kaq, sublimojmë përkushtimin e tyre dhe sado thellë secili prej nesh, dëshiron të jetë një sekondë të vetme krah tyre.
Nga njëra anë, del Kryeministri me murin e tij beton arme ta llustruar dhe, përsërit masat e marra, ndërkohë që në terren janë edhe disa heronj të tjerë, të cilët janë të shqetësuar se si do t’i gjejnë familjarët kur të kthehen në shtëpi pas shërbimit dhe kanë të shqetësuar në shtëpi familjarët që i presin me ankth se si dotë kthehen pas shërbimit.
Kryeministri bën edhe krahasimin mes shpejtësisë që janë marrë masat në Shqipëri dhe ngadalësisë që janë marrë masat në vende me të cilat ne as nuk e kemi të drejtë jo të krahasohemi por as t’ju referohemi. Ndërkohë, kryeministri harron të krahasojë se si masave të marra nga qeveria Italiane me 25 miliardë euro, Kancelarja Merkel me 500 miliardë euro, ne vetëm me shtyrjen e pagesës së këstit të kredisë dhe kjo masë e marrë nga Banka e Shqipërisë, institucion tërësisht i pavarur. Do të na ndihmonte më shumë psikologjikisht të dinim më shumë për atë që do të na ofrohet nesër, do të ndjeheshim më të gatshëm të respektojmë masat e marra dhe kushtet e izolimit po ta dinim se nesër don të jemi të pacënueshëm për kthimin në normalitet.
Nga an tjetër, në një demonstrim të njëjtë të kompleksit dhe autoritarizmit të vet të shfrenuar të njëjtë me atë të Kryeministrit del edhe Kryetari i PD, me veshje zyrtare brenda shtëpisë së tij (sa për këtë Kryeministri është më natyral), me një bibliotekë shumë të bukur e të pasur si sfond (dhëntë perëndia t’i ketë lexuar të gjithë ata libra ose të paktën një pjesë), me asnjë titull mjekësor, flet në emër të masave mjekësore të marra të mangëta dhe të vonuara (ndërkohë që heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve nuk i thonë këto) dhe përcjell porosi mjekësore ndërkohë që në stafin e tij të ngushtë ka edhe dy mjekë me të cilët është shfaqur shpesh në televizione (të paktën njëri prej tyre, zoti Tritan Shehu, një reanimator me një karrierë të shkëlqyer si reanimator dhe reanimatorët në këtë rast mund të bëjnë shumë). Na flet për shkelje administrative dhe ligjore të qeverisë dhe na e nxjerr qeverinë si armikun e momentit (vallë e bën për të na ngritur lart moralin dhe duke u marrë me politikë të harrojmë stresin dhe ankthin e panikun?).
Protagonizmi dhe autoritarizmi i dështuar nuk mbaron me kaq, sepse ka ende të tjerë që me logo partie në sfond dalin dhe përzjejnë në kazanin protagonist dhe autoritarist të të gjithëve atyre që duhet të mendojnë secili për detyrimin e vet qytetar dhe, pasi bëjnë një thirrje falenderuese të vakët për mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët, policët, ushtarët dhe këdo tjetër që gjindet në terren dhe kujdesen që ne të tjerëve në shtëpi mos të na ndodhë asgjë, fillon avazin “patriotik” të denoncimit të politikave dhe masave të mangëta të marra nga qeveria dhe abuzimeve.
Unë dhe rrethi i miqve të mi me të cilët në këto ditë kemi krijuar një harmoni pothuajse perfekte telekomunikative, kemi vendosur që për të përballur stresin, virusin, ankthin dhe për të dalë kryelartë e të buzëqeshur nga e gjitha kjo, jemi të vendosur t’u bindemi dhe të dëgjojmë vetëm mjekët e rikthyer në shërbim pa menduar aspak komoditetin e vet, infermierëve të vjetër e të rinj të angazhuar dhe të përballur ballë për ballë me virusin dhe me vështirësitë, mjekëve me poste të veçanta dhe specialistëve të shëndetit publik, të cilët kanë marrë përsipër përgjegjësinë dhe detyrimin të kujdesen dhe të kurojnë të gjithë ata që vuajnë sot si shkak i virusit, por edhe të na orientojnë ne të tjerëve se si të ruhemi e të mbrohemi.
Kemi dëgjuar e madje kemi shkëmbyer me njëri tjetrin në telekomunikimin tonë të këtyre ditëve, krahasimin e situatës në terma shkencore dhe statistikore mes vendeve të ndryshme. Sado të ngjashme dhe të përafërta të jenë të dhënat dhe situatat, një gjë është e sigurtë, asnjjë vend nuk ka kronologji të njëjtë me një vend tjetër, fataliteti apo suksesi nuk është askund i njëjtë. Nga Kina në Itali, nga Irani në Kore, nga Gjermani në Francë, nga Greqia në Maqedoninë e Veriut, nga Turqia në Rusi, të dhënat (të vërteta apo të manipuluara qofshin) nuk janë të njëjta, masat nuk janë të njëjta, mundësitë nuk janë të njëjta, kapacitetet nuk janë të njëjta. Vetëm një gjë është e njëjtë në të gjithë botën, coronavirus.
O miq telekomunikativ, le të merremi me njëri tjetrin, me qyfyret dhe memet, me barsaletat dhe videot gazmore. Nuk jemi të kërcënuar nga vdekja, jemi të kërcënuar nga një virus dhe duhet të mbrohemi dhe të ruhemi që të mos prekemi nga virusi.
Kjo është ajo që duhet të dimë më mirë në këto momente që të mund të përballojmë izolimin dhe ankthin që na shkakton izolimi dhe pandemia. Le t’i bëjmë vetë llogaritë dhe kalkulimet qoftë për prekshmërinë qoftë për fatalitetin që shkakton pandemia, le t’u bindemi atyre heronjve që dolëm e duartrokitëm nga ballkonet dhe të vazhdojmë t’i duartrokasim e falenderojmë duke i shprehur mirënjohjen çdo sekondë dhe t’i lëmë ata të tjerët të mbyten në protagonizmin dhe autoritarizmin e vet të dështuar.
Me heronjtë e shëndetësisë dhe atyre të tjerëve që kujdesen në terren do t’ja dalim dhe do ta harrojmë këtë ëndërr të keqe.
*Regjisor