Nga Moikom ZEQO
Para disa ditësh në një emision me gazetarin Rezart Xhaxhiu, në “24 NEWS” kam folur në mënyrë reduktive dhe induktive për politikën shqiptare si dhe për klasën e pa emancipuar shqiptare të këtyre 26 vjetëve. Është e pamundur t’i shmangesh subjektit të protestës së vijmësuar të opozitës, si dhe të simbolikës rebeluese të çadrës në bulevard. Disa në mënyrë patetike e kanë quajtur “çadra e lirisë”. Kërkesat e opozitës janë dy: e para, qeveri teknike dhe e dyta, një “Republikë e Re”.
Për sa i përket kërkesës për një qeveri teknike, kjo është një çështje që nuk varet nga asnjë lloj analisti i politikës, por nga vullneti afirmativ, apo mohues i kryetarëve të partive, por dhe qëndrimit politik integrues të partnerëve ndërkombëtarë. Kërkesa për qeveri teknike bëhet duke kërcënuar. Kërcënimi metaforizohet si një bojkot kombëtar (duhet thënë i opozitës) dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet politike.
Dua të sqaroj këtu diçka thelbësore. Diçka që nuk varet as nga opozita, as nga partitë qeverisëse dhe as nga unë artikuluesi modest i këtyre rreshtave për politikën. Zgjedhjet e përgjithshme politike nuk kanë karakter fakultativ. Ato janë përcaktuar në Kushtetutë si një detyrim i pashmangshëm dhe i patjetërsueshëm ligjor. Nuk ka në Kushtetutë as më të voglin ambiguitet apo dyzim nocioni për zgjedhje të përgjithshme politike, as planin A, as planin B për realizmin e zgjedhjeve të përgjithshme politike.
Absolutisht jo. Në Kushtetutë zgjedhjet e përgjithshme politike janë detyrim ligjor për të gjitha partitë, më kryesore për të gjithë shtetasit, qoftë për ata që kanë prirje partiake, qoftë dhe për ata qytetarë që s’duan t’ia dinë dhe nuk kanë asnjë afërsi mendimi dhe mendjeje me programet e partive politike. Në këto zgjedhje nuk thuhet se realizohen apo nuk realizohen, sepse duan apo nuk duan partitë. Zgjedhjet janë mbi partitë. Nuk janë partitë mbi zgjedhjet. Ky është ligji kushtetues. Dhe unë nuk di nëse ka ndonjë ligj tjetër. Nëse ka ndonjë ligj tjetër, le të ma thotë dikush dhe të ma hedhë poshtë këtë ide kushtetuese. Kushtetutshmëria e zgjedhjeve politike është e padiskutueshme. Të gjitha rastet e bojkotit të kërkesave in extremis, me karakter politik, nuk funksionojnë në shtetet demokratike. Por funksionon respektimi juridik i mandateve kohorë të qeverisjes.
Shikoni ç’ndodhi në Maqedoni. Çfarë nuk bëri opozita në Maqedoni. Vetëm zgjedhjet politike afrojnë humbjen e një mandati apo fitoren e një mandati qeverisës. Nuk ka rrugë të mesme. Tjetër gjë është çështja e formulimit apo riformulimit të koalicioneve. Ndërsa zgjedhjet politike janë juridike, koalicionet janë politike.
Pyes: A ka Shqipëria një krizë konstitucionale (kushtetuese)?
A ka Shqipëria një krizë institucionale? Jo, Shqipëria ka një krizë të egër politike.
Por kriza politike nuk është aty për t’u ngritur mbi përcaktimet kushtetuese. Por ç’do të thotë “Republika e Re” që kërkon Basha, Kreu i PD-së? A ka të drejtë ai ta kërkojë këtë gjë? Çdo njeri ka të drejtë të kërkojë një projekt të ri politik. Nuk e ndalon askush në fushën e idesë që politikanët të kenë projekte. Por nga pikëpamja shkencore dhe juridike artikulimi i desh së një “Republike të Dytë” është e pasaktë. Krejtësisht një variant diletant i semantikave dhe strategjisë politike.
Historikisht Shqipëria e shpalli pavarësinë e saj më 28 nëntor 1912. Ismail Qemali, Babai i Shtetit modern shqiptar, pavarësisht se vinte nga strukturat perandorake të Shtetit Osman në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, formuloi një strukturë qeverisë të tipit republikan të përcaktuar nga termi Pleqësia, e zgjedhur nga populli.
Por është Konferenca e Londrës më 1913, e cila përcaktoi kufijtë shtetërorë të sotëm të Shqipërisë (ndaj në kuptimin juridik dhe kombëtar ne quhemi Shqipëria Londineze) dhe formën qeverisëse monarkike si Mbretëria e Shqipërisë me kryetar Princin Vid. Mbas rënies se Princit Vid Shqipëria përjetoi sipas strukturimit të Kongresit të Lushnjës një formë qeverisëse republikane. Pra, kjo ka qenë Republika e Parë, me President Ahmet Zogun. Ky e prishi republikanizmin dhe zgjodhi një formë më arkaike dhe autoritariste që ishte mbretëria shqiptare, duke u vetëshpallur mbret.
Në vitet 1944-1991 regjimi komunist krijoi Republikën e Dytë. Kalimin nga mbretëria në republikë e bëri Kuvendi i Shqipërisë më 11 janar 1946. Nga viti 1992 dhe deri më 2017 ne jemi Republika e Tretë, e tranzicionit të rëndë dhe të ngatërruar kapitalist dhe të kaosit politik. Republika e Tretë, ndryshe nga Republika e Dytë e totalitarizmit nga drejtimi i centralizuar i shtetit dhe të monizmit partiak, çoi në një strukturë të Republikës Parlamentare dhe pluralizmit politik dhe të përcaktimit kushtetues të zgjedhjeve për përfaqësimin demokratik të simboleve politik të elektorateve të ndryshme. Karakteri republikan dhe parlamentar i shtetit dhe i shoqërisë shqiptare për mua ka pasur një konotacion pozitiv si formë, por shumë defekte, realizime dhe retrograde në përmbajtje.
Është shumë e habitshme, që po t’i referohemi fakteve të konstatojmë se si Presidenti Sali Berisha i zgjedhur në 1992, papritur kërkoi ta shkatërronte Republikën Parlamentare, për ta shndërruar dhe konstruktuar në një Republikë Presidenciale. Ambicia e Berishës qe kaq e madhe dhe bindja e tij qe aq halucinante sa ai ndërmori nismën e një Referendumi Kombëtar për Kushtetutën në 1994. Pra, Republika Parlamentare e viteve 1992-1994 kërcënohej të shkatërrohej dhe të bëhej Republikë Presidenciale nëse fitonte kërkesa e Berishës për shkatërrimin e Republikës së Tretë për të bërë një Republikë të Katërt.
Në librin tim me ese politike “Purgatori shqiptar”, botuar më 1995, unë kam një numër shkrimesh që pasqyrojnë pikërisht kundërvënien e drejtë dhe madhështore të opozitës së PS-së dhe të popullit shqiptar për të rrëzuar poshtë projektin autoritarit të Republikës së Katërt të ëndërruar kaq etshëm dhe marrëzishëm nga Berisha.
Por ndodhi ajo që duhet të ndodhte. Populli votoi kundër Republikës së Katërt.
Me të drejtë, duke larguar dhe shmangur një rrezik të madh të keqpërdorimit dhe manipulimit të pushtetit qendror, për të denatyruar Kushtetutën Demokratike dhe raportin ekuilibrues dhe balancues të pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Prishja e projektit berishian të ndryshimit të Kushtetutës ka qenë fitorja më e madhe e PS-së, forcave progresive dhe popullit shqiptar. Tani flitet për një “Republikë të Re”, e cila në rrafshin historik s’ka se si të quhet Republikë e Dytë.
Meqenëse nuk u realizuar Republika e Katërt berishiane, duan të realizojnë Republikën e Katërt të Bashës. Kjo ide e hedhur rrëmbimthi, mes apoteozave vetjake dhe anatemave të një negativizmi absolut në Shqipëri nuk është as ide konstitucionale, as reale, madje nuk është as një ide metaforike. Këtu nuk duhet ngatërruar fakti që ka ndodhur dhe në vende të tilla siç është Italia, Spanja, Greqia, ku është thyer monopoli i partive politike tradicionale, është kritikuar dhe është tentuar të rrëzohet establishmenti politik. Me tezën e rrëzimit të establishmentit të vjetër politik në SHBA habitërisht fitoi dhe u bë President edhe Trump.
Është e vërtetë që establishmenti politik i partive në Shqipëri këto 26 vjet ka qësuar një disfatë të madhe konceptuale. Për këtë pikë unë kam shkruar shpesh se klasa politike shqiptare është e dështuar. Këtë e them me dhimbje, por edhe me shqetësim. Por shkencërisht kjo tezë është e saktë.
Klasa politike shqiptare në 26 vjet nuk arriti të krijojë as idenë e një shteti funksional, nuk arriti të strukturojë një ekonomi efikase, të luftojë papunësinë, të ndalojë emigracionin, të ndalojë jo vetëm drogën, por dhe prostitucionin shqiptar, të kontribuonte në përfaqësimin politik në Kuvend me personalitete të vërtetë dhe jo me një grumbull të pasurish, të paditur dhe shpesh frikërisht injorantë dhe arrogantë dhe kjo është absolutisht e vërtetë.
Tre arritjet e mëdha të këtyre 26 vjetëve janë: futja në NATO, liberalizimi i vizave dhe vetingu.
Të tria këto gjëra madhore janë stimuluar nga partnerët ndërkombëtarë. Kurse klasa politike shqiptare ka treguar rezistencë arkaike ndaj këtyre arritjeve. Shikoni pasurinë e kryetarëve të partive dhe të deputetëve në vitet 1992-1996. Krahasojini me pasurinë marramendëse dhe të manipuluar të klasës politike në vitin 2017. Ata të cilët e luftojnë vetingun e dinë mirëfilli se kjo pasuri e llahtarshme dhe e paligjshme është shkaku kryesor.
Ndaj vazhdoj të them publikisht dhe konceptualisht se unë kam besim tek vetingu dhe duan apo s’duan politikanët të të gjithë krahëve për të mirën e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj, Vetingu do të funksionojë. Nëse do të artikulonim idenë e dënimit dhe anatemimit të establishmentit të vjetër politik në Shqipëri, siç ka ndodhur në Lëvizjen e 5 yjeve në Itali, apo dhe në Greqi etj., nuk kemi pse të kërkojmë një tjetër “Republikë të Re”. Në aspektin kushtetues, ç’do të thotë “e Re”? Të anulojmë statusin parlamentar të Republikës? Të krijojmë Republikën Presidenciale? Kjo është e habitshme kur e mendon! A nuk tha Luli në fillim të protestës para ithtarëve të tij se unë dua t’ju them një gjë që nuk duhet mbajtur sekret, që do të jem unë që do t’ju çoj drejt një Shqipërie të Re? Por ky është një ton mesianik. Kjo gjë s’ka të bëjë me politikën.
Ne nuk kemi nevojë të krijojmë një Republikë të Re. Por kemi nevojë të ndryshojmë substancialisht deformimet e kobshme të Kushtetutës të vitit 2008, të hiqet monopoli i listave të deputetëve të zgjedhura nga kryetarët e partive, të forcohen institucionet dhe të zgjidhen personalitete me integritet politik dhe moral për tre pushtetet kryesore: atë parlamentar, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pikërisht është vetingu ai që mund të çojë në rikonceptualizim dhe ndryshim progresiv të përmbajtjes juridike të Republikës që kemi sot.
Por kjo kërkon një përkushtim të madh. Kjo kërkon politikanë të ditur, me vizion dhe altruist të vërtetë. Pra, kërkon një racë të re politikanësh. Njerëz të tillë ka në popull. Po a do të dali ndonjë prej tyre deputet në zgjedhjet e vitit 2017?
Kjo është enigma e Sfinksit për demokracinë shqiptare.
*Marrë nga Gazeta Shqiptare, titulli JavaNews