Nga Kristaq Xharo
Në nenin 1, pika 1 thuhet që ‘Shqipëria është Republikë……’ data mbetet ende e panjohur. Ne që festojmë ngjalljen dhe ikjen e Jezuit, Bajramin e Madh dhe të Vogël, pa harruar Ditën e Ashures, apo trëndafilat e San Valentinon, apo të tramkosur për datën e çlirimit… të kapur në kompleksin e interpretimit të historisë e kemi lënë republikën pa datë… Historia është një kronikë udhëkryqesh, ku dëshira e vullneti për liri dhe drejtësi ka pasqyruar sfidat dhe shpresat e kohërave. Republika, që në fillesat e saj, përfaqëson një testament të përbashkët për ndërtimin e një rendi të bazuar në drejtësi dhe barazi.
Për Shqipërinë, datat 21 janar 1925 dhe 11 janar 1946 simbolizojnë vullnetin e popullit për të jetuar në një shtet me baza në vlera republikane. Edhe pse të ndara nga kontekste të ndryshme politike dhe shoqërore, të dy këto data bartin mesazhin e përbashkët: dëshirën për një shtet që mishëron vullnetin e popullit. Pa të parën dhe të dytën vetë nuk do të dihej si të quheshim, por dhe të tjerët vështirë të gjenin si do të na thërrisnin. ‘Republika’ nuk është shpikje ‘ala shqiptarçe’, por renditje në kulturën evropiane.
Në Romën e lashtë, fjala “res publica” përfaqësonte të mirën e përbashkët, një sistem ku qytetarët ishin pjesëmarrës aktivë në qeverisje. Republika Romake, e themeluar në vitin 509 para Krishtit, u ndërtua mbi parimin e përfaqësimit dhe sundimit të ligjit, duke shërbyer si një model për brezat e ardhshëm shprehet Ciceroni (Marcus Tullius Cicero,) një nga figurat më të shquara të Romës së Lashtë. Ajo, republika, nuk ishte perfekte, por përpjekja për të barazuar të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve përbënte një hap të madh në historinë politike. Koha tregoi se ky ideal republikan ishte më tepër se një sistem politik; ai ishte një frymëzim. Ndërsa bota e lashtë dhe më vonë, kaloi nëpër periudha të errëta, koncepti i republikës mbeti një dritë për ata që kërkonin liri dhe drejtësi. Në këtë frymë, dëshira për një republikë u rigjallërua gjatë Iluminizmit dhe frymëzoi revolucionet më të mëdha të historisë moderne, si Revolucioni francez, apo më vonë edhe atë amerikan. Edhe Shqipëria, ndonëse me mjaft vonesë historike, ndjeu thirrjen për të ndërtuar një shtet të bazuar mbi vlerat republikane.
Kur Shqipëria u shpall republikë më 21 janar 1925, ishte në mes të një prej periudhave më të trazuara historike. Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe përpjekjeve për të ndërtuar shtetin, vendi gjendej përballë sfidave të mëdha politike dhe ekonomike. Shpallja e saj ‘republikë’ synonte të siguronte stabilitet dhe përparim. Edhe pse , kjo republikë nuk arriti të mishëronte idealet e larta të përfaqësimit dhe barazisë ajo përsëri mbeti një gur kilometrik në historinë mjaft të re të shtetit shqiptar. E rrëzuar 3 vite më pas nga monarkia, ky dështim nuk e zbehu rëndësinë e 21 janarit si një datë simbolike, por përsëri e vendosi këtë datë në hijen e historisë. Më 11 janar 1946, Shqipëria u shpall për herë të dytë republikë, duke marrë emrin Republika Popullore e Shqipërisë. Kjo datë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik, pasi shënoi fundin formal të periudhës monarkike dhe nisjen e një epoke të re institucionale, duke reflektuar transformimet politike të vendit pas Luftës së Dytë Botërore. Për këtë arsye, vlera e kësaj date vjen si një pikë referimi historike për transformimin institucional të Shqipërisë dhe një kujtesë për sfidat e ruajtjes së demokracisë dhe sovranitetit popullor.
Pavarësisht përfundimeve të tyre historike, 21 janari 1925 dhe 11 janari 1946, si data që dëshmojnë rrugëtimin e vështirë të vendit drejt ndërtimit të një shteti modern ndajnë një mesazh të përbashkët: përpjekjen e popullit për të krijuar një shtet të bazuar në sovranitet dhe drejtësi,. Nëse 21 janari përfaqësonte një përpjekje për modernizim dhe stabilitet, 11 janari reflektonte një moment të ripërtëritjes së një vendi të dalë nga lufta me optimizmin për një shtet modern edhe pse i trysnuar nga ideologjia. Harresa e këtyre datave tashmë vjen si një tregues dilematik i ndërgjegjes së ndarë historike të kombit shqiptar. Historia e republikës, me data ‘të harrura’ nuk mund të shihet thjesht një kapitull i mbyllur, sepse ato janë urë që lidh të kaluarën me tashmen e të ardhmen. Siç thoshte filozofi dhe mendimtari i madh francez Montesquieu, “Liria nuk ekziston pa sundimin e ligjit.” Në këtë frymë, idealet e republikës janë gjithmonë të rëndësishme për një komb që synon të mbështetet në vlerat demokratike.
Për Shqipërinë, rikthimi i këtyre datave në vëmendjen kombëtare nuk është vetëm një akt simbolik, por një mundësi për të forcuar lidhjen mes qytetarëve dhe historisë së tyre. Përveç një republike të humbur dhe të rigjetur, kujtesa e këtyre datave, pavarësisht nga konteksti i tyre historik, mbartin pjesë të shpirtit të kombit. Në 21 janarin e 1925 dhe në 11 janarin e 1946, pavarësisht dilemave dhe vështirësive të kohës , populli shprehu dëshirën e tij për një shtet të bazuar në vlera universale. Në mos festimi, kujtimi i tyre, përveç konceptit ’republikë’ dhe realizuesve të saj mund të vlejë si një reflektim i përpjekjeve për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të lirë. Ndoshta, disa, të ‘trembur’ nga kujtimi i janarit 1946 degdisën në ‘harresë’ edhe janarin 1925. Në kohën që këto mund dhe duhet të rikthehen si simbole frymëzuese, jo për të glorifikuar figurat politike apo për të përligjur sistemet e kohës, por për të njohur dhe respektuar betejat e një kombi për drejtësi dhe sovranitet.
Kujtesa për datat e republikës nuk është thjesht një reflektim mbi të kaluarën, por shikim për të pastajmen. Duke i dhënë vendin dhe rendësin këtyre datave, ringremë lidhjen tonë me historinë dhe sigurohemi që ajo nuk është domen i paragjykimeve të askujt. E ndërsa republika është simbol, që nuk i përket vetëm një kohe, po aq edhe datat 11 e 21 të janarit vijnë si gurë të rëndë që duhet të rikthehen në altarin e kujtesës kombëtare.