Nga Fatos Tarifa
Në të kaluarën, në Shtetet e Bashkuara koncepti “eksepsionalizëm” ka qenë përdorur në diskursin akademik kryesisht nga studiues të shkencave shoqërore dhe, më pak, nga historianë dhe ekspertë të studimeve amerikane. Në dekadat e fundit, ai ka filluar të përdoret gjerësisht në fjalime politike, në shtypin e shkruar dhe në blogosferë. “Eksepsionalizmi”—i kuptuar dhe përdorur në mënyra të ndryshme, shpesh herë edhe kundërthënëse—është bërë sot një koncept polarizues, i cili mendohet se në politikën amerikane ndan liberalët nga konservatorët.
Në të vërtetë, është vështirë të thuhet nëse kanë qenë republikanët, pra konservatorët, ata që e kanë vënë nocionin e “eksepsionalizmit amerikan” në qendër të retorikës së tyre, për të mobilizuar e tërhequr rreth agjendës së tyre kontigjente të gjera të publikut amerikan, apo, në të kundërt, janë demokratët, pra liberalët, ata që e kanë përdorur këtë koncept për të diskredituar konservatorizmin e republikanëve.
Nga vëzhgimet dhe hulumtimet e mia, rezulton se referimi ndaj “eksepsionalizmit amerikan” në formulimin e një politike strategjike nuk ka qenë e nuk është një dukuri e partishme, vetëm (ose kryesisht) republikane apo demokrate, edhe pse Partia Republikane pretendon se sentimentet patriotike në radhët e saj dhe te përfaqësuesve të saj janë më xhenuine.
Ndërsa në politikat e tyre të brendshme administratat e presidentëve republikanë dhe atyre demokratë kanë dalluar e dallojnë dukshëm, politika e tyre e jashtme, me ndonjë përjashtim të rrallë, ka qenë një vazhdimësi nga njëra administratë te tjetra. Fjala vjen, dihet se në politikat e brendshme, konservatorët amerikanë kërkojnë një administratë shtetërore të kufizuar, si themelin e të gjitha lirive, dhe shprehen për një formë të tillë të ekonomisë, në të cilën të ardhurat pasqyrojnë forcat e tregut, jo vendimet e qeverisë. Thomas Jefferson besonte se “më mirë qeveris ajo qeveri që qeveris më pak” (That government is best which governs least). Ronald Reagan, gjatë presidencës së tij, u bë sinonim i një administrate shtetërore të vogël. Ai besonte se “një qeveri më e vogël është një qeveri më e mirë” (Less government is better government).
Në politikën e jashtme, konservatorët e shohin Amerikën si fuqinë e parë të globit, që ka për mision të ruajë paqen dhe stabilitetin në botë dhe që, për këtë arsye, mundet edhe të mos u nënshtrohet të njëjtave norma dhe rregulla që u nënshtrohen vendet e tjera. Donald Trump, me politikat e tij unilateriste dhe izolacioniste, të frymëzuara nga parimi “America first”, ishte rasti më tipik, edhe pse, siç argumentij më poshtë, një devijacion.
Liberalë/demokratë dhe konservatorë/republikanë
Përgjithësisht, studiuesit liberalë në Shtetet e Bashkuara kanë qënë e janë më skeptikë ndaj konceptit “eksepsionalizëm amerikan” dhe më të rezervuar në përdorimin e tij. Ata përpiqen ta shohin Amerikën si një vend më “të zakonshëm” nga sa e përfytyrojnë atë konservatorët dhe si një demokraci që më shumë ngjason, se sa dallon nga demokracitë e tjera perëndimore. Në politikën e brendshme, “i zakonshëm” për ta nënkupton zgjerimin e shtetit të mirëqenies dhe të politikave sociale që krijojnë më shumë barazi në shpërndarjen e të ardhurave e të shërbimeve, ndërsa në politikën e jashtme, vizioni liberal përkthehet në një marrëdhënie të tillë me vendet e tjera dhe me botën në tërësi, që karakterizohet jo nga diktati amerikan, por nga raporte dhe politika multilaterale me interes të përbashkët për të gjitha palët.
Opinioni sundues ka qenë e mbetet se, në përgjithësi, liberalët janë anti-eksepsionalistë. Stephen Walt, profesor në Universitetin e Harvardit, e sheh “eksepsionalizmin” amerikan të lidhur kryesisht me republikanët konservatorë dhe me politikat e tyre, duke thënë se ai është një mit që e bën “më të vështirë për amerikanët që të kuptojnë përse të tjerët janë shpesh herë të alarmuar nga politikat e Shteteve të Bashkuara” dhe të irrituar nga ajo çka ata e konsiderojnë si arrogancë dhe “hipokrizi amerikane”.
Një pikëpamje e tillë nuk është tërësisht e vërtetë dhe duhet marrë me rezerve, sidomos kur bëhet fjalë për ndikimin që historikisht ka pasur ideja e “eksepsionalizmit” në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Të gjithë presidentët amerikanë kanë promovuar një strategji që synonte ruajtjen e hegjemonisë e të lidershipit të Shteteve të Bashkuara për shkak të misionit “eksepsional” që ka ky vend si një indispensable nation. Përdorimi prej tyre i retorikës eksepsionialiste nuk ka qenë e nuk është thjesht një taktikë diskursive, por një besim i fortë bipartizan në eksepsionalizmin amerikan dhe në misionin e Amerikës. Vendet e tjera thjesht duhej t’i bashkoheshin Amerikës në misionin e saj për të përmbushur qëllimin final të histories.
Historikisht, presidentët amerikanë e kanë përdorur retorikën “eksepsionaliste” jo vetëm në fjalimet e tyre në Uashington dhe brenda Amerikës, por edhe jashtë saj, duke e konsideruar vendin e tyre mbi të tjerët, qofshin këta edhe partnerët dhe aleatët e tyre të ngushtë. Qysh nga viti 1945, shumica e tyre në mënyrë të përsëritur, i janë kthyer e rikthyer retorikës eksepsionaliste për të “përforcuar nocionet mitike të Amerikës si lideri i padiskutueshëm i një rendi botëror të qëndrueshëm”.
Narrativa eksepsionaliste ka përbërë bazën çdo debati mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në të dyja partitë e mëdha politike të atij vendi, duke influencuar pikëpamjet dhe retorikën mbi politikën e jashtme të çdo kandidati për president dhe të çdo presidenti në detyrë. Pikëpamjet e republikanëve e të demokratëve mbi rendin ndërkombëtar në vitet 1990 dhe mbi rolin e Amerikës në të kanë qenë shumë më të ngjashme nga sa mund të mendohej në atë johë. Përshkrimi që u ka bërë Hans Morgenthau (1946) liberalëve willsonianë në fillim të shekullit të 20-të u përshtatej thuajse njëlloj si internacionalistëve liberalë, ashtu dhe neokonsevatorëve në fund të atij shekullit. Si njëra palë, ashtu dhe tjetra, besonin se një rend i ri botëror paqësor do të sillte “fundin” e historisë siç e kishim njohur deri në atë kohë sapo të gjitha vendet e botës të adoptonin modelin e demokracisë liberale.
Fundi i Luftës së Ftohtë dhe iluzionet e një bote të re
Ndikimi i “eksepsionalizmit amerikan” në formulimin e përmbajtjes e të strategjisë së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara mori tone të reja dhe më shumë rëndësi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në fakt, ishin të shumtë në Amerikë ata që fundin e Luftës së Ftohtë e kuptuan si një riafirmim të “eksepsionalizmit amerikan”. Në fjalën e tij para Kongresit mbi gjendjen e kombit amerikan, në janar të vitit 1992, presidenti George H. W. Bush deklaroi se: “Me vullnetin dhe ndihmën e Zotit ne e fituam Luftën e Ftohtë” (By the grace of God we have won the Cold War).
Cilatdo që të kishin qenë më parë pyetjet apo dilemat në shkallë globale mbi sistemin politik më të mirë, mbi teoritë ekonomike më të mira apo mbi idealet shoqërore më të mira, u duk se, me përfundimin e Luftës së Ftohtë, ato pyetje kishin marë tashmë një përgjigje përfundimtare dhe kjo përgjigje ishte se, në politikën ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara ishin shëmbulli më i mirë në botë.
Shumë politikanë, teoricienë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara menduan në atë kohë se fundi i Luftës së Ftohtë shënoi jo thjesht një ngjarje epokale, por provoi, gjithashtu, se kapitalizmi demokratik, i mishëruar në modelin amerikan, është modeli më i suksesshëm për zhvillimin e çdo shoqërie dhe se, paskëtaj, çdo vend do të zgjidhte këtë model.
Ngaqë u duk sikur liberalizmi kishte triumfuar përfundimisht në betejën e ideve, Francis Fukuyama formuloi tezën e famshme—por tashmë të diskredituar—se “me mbarimin e historisë [lexo: Luftës së Ftohtë], nuk kanë mbetur më konkurrentë ideologjikë seriozë ndaj demokracisë liberale”.
Në vitin 1989 Fukuyama botoi në revistën The National Interest një artikull titulluar “Fundi i historisë?”, që e bëri atë thuajse overnight të famshëm dhe, për një kohë, njërin prej autorëve më të cituar. Në atë artikull, Fukuyama u përpoq të shpjegonte tiparet esenciale të epokës së re që nisi në historinë e njerëzimit me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Sipas tij, ngjarjet e vitit 1989 bënë të mundur që ne të besojmë se historia po marshon në drejtim të Lirisë, dhe se demokracia liberale po provohet se është forma më e lartë dhe zgjidhja e fundit e eksperimentit të gjatë të njerëzimit në politike. Fukuyama deklaronte se ajo çfarë po shohim të ndodhë sot është “jo thjesht fundi i Luftës së Ftohtë, ose mbarimi i një periudhe të caktuar në historinë e pasluftës”, por “fundi i historisë si e tillë, që do të thotë, fundi i evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizimi i demokracisë liberale perëndimore, si forma përfundimtare e organizimit politik të shoqërisë”.
Me këtë tezë paradigmatike, Fukuyama u shfaq si një hegelian i ri, madje si një rehabilitues i Hegelit (për disa edhe si një neomarksist), në një kohë kur në shkencat sociale dukej se kishte humbur besimi ndaj të gjitha teorive grandioze mbi progresin historik. Ashtu si Hegeli dhe Marksi, që besonin se zhvillimi i historisë njerëzore tenton të arrijë realizimin final të një rendi politik ideal—për Hegelin ky rend mishërohej në monarkinë kushtetuese të vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore, si “forma më e lirë e qeverisjes”, ndërsa për Marksin ai ishte komunizmi—edhe Fukuyama besonte se mbarimi i Luftës së Ftohtë sinjalizoi triumfin përfundimtar të liberalizmit, si ideologji, dhe të demokracisë liberale, si sistem politik.
Ky interpretim fukuyaman mbi ndryshimet “epokale” që solli fundi i Luftës së Ftohtë ishte, në thelb, një interpretim ekseptionalist. Ai ushqeu iluzionin (që zgjati për afro një dekadë) të një demokracie liberale triumfaliste, apo të një “holiday from history”.
Retorika eksepsionaliste e republikanëve
Sa thashë më sipër gjen konfirmimin më të mirë në retorikën e kandidatëve në fushatat elektorale për postin e presidentit dhe për Kongresin amerikan. Në kohë fushatash të tilla, në radhët e kandidatëve konservatorë e të qarqeve që i mbështesin ata retorika eksepsionaliste ka qenë dhe bëhet më e theksuar.
Gjatë fushatës për zgjedhjet në Senatin amerikan në vitin 2010, senatori republikan Marco Rubio e bëri “eksepsionalizmin” amerikan temë qendrore të fushatës së vet. Në fjalën e tij të mbylljes në atë fushatë, të cilën ai e fitoi, Rubio u shpreh se Amerika është “një vend që nuk krahasohet me asnjë vend të tjetër në të gjithë historinë e njerëzimit”, ndër të tjera, edhe për shkak se, “pothuajse në çdo vend tjetër të botës…ajo çfarë ti bëhesh kur rritesh është e përcaktuar qysh nga lindja”. Përsa i përket rolit të Amerikës në botën e sotme dhe politikës së saj të jashtme, Rubio është shprehur se: “Amerika vazhdon të jetë e pazëvendësueshme për të siguruar e garantuar lirinë, prosperitetin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Bota është më e sigurt kur Amerika është vendi më i fortë mbi dhé”.
Po kështu, dy prej kandidatëve republikanë në garën për kreun e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2011, Newt Gingrich dhe Mitt Romney, i mbështetën fushatat e tyre në idenë e “eksepsionalizmit” dhe në premtimin që ofron besimi në këtë ide për rolin e Shteteve të Bashkuara në botën e sotme. Atë vit, Gingrich botoi një libër të titulluar Një komb si asnjë tjetër: Pse eksepsionalizmi amerikan është i rëndësishëm.
Mitt Romney, e ndërtoi platformën e tij të politikës së jashtme mbi të njejten ide. Në një fjalim mbajtur në tetor të vitit 2011, Romney deklaroi: “Amerika duhet të udhëheqë botën…Unë besoj se ne jemi një vend eksepsional, me një fat dhe një rol të veçantë në botë…Ky është momenti i Amerikës…Unë kurrë nuk do të kërkoj ndjesë për [atë që bën] Amerika”.
Në vitin 2012, Partia Republikane e përfshiu konceptin mbi “eksepsionalizmin amerikan” në platformën e saj, duke nënvizuar se ky koncept shpreh “bindjes se vendi ynë ka një vend unik në historinë e njerëzimit”.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi New York dhe Pentagon, “lufta kundër terrorizmit” u bë jo thjesht një slogan, por edhe narrativa politike kryesore në rrethanat e reja në të cilat shtroheshin çështjet e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në atë kohë e më pas. Kjo narrativë, sidoqoftë, nuk do të kishte rezonuar aq fort në radhët e publikut amerikan dhe nuk do të kishte gjetur atë mbështetje bipartizane që gjeti në Kongres nëse nuk do të përputhej me metanarrativën e politikës së jashtme të Uashingtonit, që e sheh Amerikën si një vend “eksepsional”, që ka një mision moral për ta bërë botën më të mirë për të gjithë.
Në narrativën e administratës së presidentit George W. Bush, arsyeja pse terroristët islamikë sulmuan Shtetet e Bashkuara dhe vranë mijëra amerikanë të pafajshëm ishte urrejtja e tyre për Amerikën, për sistemin demokratik dhe madhështinë e saj, si një vend “eksepsional”. “Pse na urrejnë ata? Ata na urrejnë për atë që shohim pikërisht në këtë sallë”, u tha presidenti Bush anëtarëve të Kongresit amerikan më 20 shtator 2001. “Ata urrejnë liritë tona, lirinë tone të fesë, lirinë tone të fjalës, lirinë tone për të votuar, për t’u mbledhur e për të mos rënë dakord me njëri-tjetrin”.
Katër vite më vonë, në fjalën e tij të inaugurimit për një mandat të dytë si president i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush theksoi se “lufta kundër terrorizmit” ishte vazhdim i misionit të përhershëm të Amerikës: “Nga dita e themeluesve [të kombit tonë] ne kemi shpallur se çdo burrë dhe çdo grua mbi dhé kanë të drejta, dinjitet dhe vlera që s’mund të krahasohen me asgjë, sepse ato janë shëmbëlltyra të Krijuesit të Parajsës e të Tokës. Për gjenerata të tëra ne kemi shpallur domosdoshërinë për t’u vetqeverisur, pasi askush nuk është aq i zoti sa të sundojë dhe askush nuk meriton të jetë skllav. Avancimi i këtyre ideve është misioni për të cilin kombi ynë është krijuar”.
Një libër i botuar nga dy prej përfaqësuesve më në zë të neokonservatorëve amerikanë, Dick Cheney dhe vajza e tij Liz Cheney, titulluar Eksepsional: Pse bota ka nevojë për një Amerikë të fuqishme (2015), përligj pikërisht këtë shqetësim. Duke i thurrur himn “mirësisë” dhe “madhështisë” së Amerikës, ata i konsiderojnë thuajse të pagabueshme politikat e saj dhe nuk pranojnë që Amerika të ketë gabuar ndonjëherë. Sipas tyre, lufta në Irak, ashtu si dhe lufta në Vietnam, kanë qenë vendime strategjike të domosdoshme dhe të drejta të administratës ameriane. Po kështu, përdorimi i torturës nga admanistrata e presidentit George W. Bush ka qenë gjëja e duhur, ndërsa ata që e kanë kundërshtuar këtë praktikë kanë qenë gabim. Gjithçka që Amerika ka bërë ose bën, sipas tyre, justifikohet me faktin se Amerika është “kombi më i fuqishëm, më i mirë dhe më i nderuar në historinë e njerëzimit, kombi eksepsional” (The most powerful, good, and homorable nation in the history of mankind, the exceptional nation).
Një qëndrim i tillë absolutist nuk është vështirë të kritikohet. Një kritikë racionale ndaj një qendrimi i tillë është argumenti i thjeshtë që formulon Stephen Walt se: “Politika e jashtme amerikane do të ishte më efektive nëse amerikanët do të besonin më pak në virtytet e tyre të veçanta dhe s’do të ishin kaq entuzistë në deklarimin e tyre
Retorika eksepsionaliste e demokratëve
Ideja mbi “eksepsionalizmin” amerikan nuk ka qënë dhe nuk është monopol vetëm i neokonservatorëve, ose i forcave politike të djathta në Amerikë, siç mendohet shpesh herë. Ky koncept ka qenë e mbetet një besim që e gjejmë edhe në radhët e politikanëve të krahut demokrat, liberal, madje edhe ndër shumë individë që kanë pasur ose kanë pozita kyçe në administratën amerikane si Bill dhe Hillary Clinton, Madeline Albright, Joseph Biden etj.
Duke argumentuar pse Shtetet e Bashkuara duhej të vazhdonin të ishin të angazhuara në skenën botërore edhe në mungesë të një armiku të hapur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, presidenti Bill Clinton dhe sekretarja e Shtetit në administratën e tij, Madeleine Albright, e vinin theksin në natyrën dhe në misionin e vërtetë të Amerikës si një “komb i domosdoshëm” (indispensable nation). Clinton e përdori këtë argument për të justifikuar ndërhyrjen amerikane në Bosnje, ndërsa Albright për të legjitimuar sulmin ushtarak të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kundër Serbisë. Në vitin 1998, në prag të vendimit të administratës së presidentit Clinton për t’i dhënë fund represionit serb dhe spastrimit etnik në Kosovë, Albright deklaroi: “Nëse do të na duhet të përdorim forcë, kjo ndodh sepse ne jemi Amerika. Ne jemi kombi i domosdoshëm. Ne qëndrojmë lart. Ne shohim më larg në të ardhmen”.
Kur Hillary Clinton, sekretare e Shtetit në administratën e parë të Presidentit Obama, kandidoi për herë të dytë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, si kandidatja e nominuar e demokratëve kundër kandidatit republikan Donald Trump, ajo e bëri idenë e “eksepsionalizmit amerikan” një temë qendrore të fushatës së saj. Vetëm tri javë para atyre zgjedhjeve, znj. Clinton botoi në revistën Time, një opinion titulluar: “Pse Amerika është eksepsionale”. Për shkak se pikëpamjet e shprehura prej saj në atë tekst dëshmojnë se si, veçanërisht në kohë fushatash elektorale dhe në prag zgjedhjesh, demokratët, ashtu si dhe republikanët, e kanë përdorur retorikën eksepsionaliste si një war horse në garën për të fituar, i citoj më poshtë fjalët e saj thuajse të plota:
“Gjithnjë ka pasur diçka të veçantë sa u përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Abraham Linkoln e quajti këtë vend ‘shpresa e fundit, më e mirë mbi tokë’. Presidenti Ronald Reagan tha se ne jemi një ‘qytet i shndritshëm mbi një kodër’. Dhe Robert Kennedy na quajti një vend të madh, altruist dhe empatik. Unë pajtohem me të gjitha këto”.
“Nëse ka një besim thelbësor që më ka udhëhequr e frymëzuar në çdo hap të karrierës sime në shërbim të publikut”, shprehej Hillary Clinton, “ky është besimi se Shtetet e Bashkuara janë një vend eksepsional. Dhe kur i shton [këtij besimi] të gjitha avantazhet tona, është e qartë se ne jemi të domosdoshëm—një komb tek i cili i mbajnë sytë të gjithë për udhëheqje”.
Më tej ajo vijone: “Amerika është e domosdoshme pjesërisht sepse ne kemi ushtrinë më të madhe në histori, me trupat, stërvitjen dhe teknologjinë më të mirë…Amerika është gjithashtu e domosdoshme për shkak të aleancave që kemi krijuar gjatë dekadave përmes diplomacisë…Amerika është e domosdoshme sepse ne kemi ekonominë më të madhe e më dinamike në botë…Mbi të gjitha, Amerika është e domosdoshme—dhe eksepsionale—për shkak të vlerave tona. Si sekretare e Shtetit, kam qenë krenare të përfaqësoja angazhimin e vendit tonë për liri, barazi dhe mundësi. Bota pret nga ne të mbrojmë fort të drejtat e njeriut…të drejtat e pakicave fetare dhe etnike, të grave, të njerëzve me aftësi të kufizuara dhe popujt kudo që dëshirojnë paqe. Ne sfidojmë si veten, edhe kombet e tjerë për të arritur më shumë. Kjo është arsyeja që shumë njerëz nga e gjithë bota duan të bëhen edhe ata amerikanë. Por, të gjitha këto avantazhe na ngarkojnë edhe me përgjegjësi—ne duhet të vazhdojmë ta udhëheqim botën. Sepse kur Amerika nuk arrin të udhëheqë, ne lëmë një vakum që i mundëson ekstremizmit të hedhë rrënjë, që nxit kundërshtarët tanë dhe i shkurajon miqtë tanë. Natyrisht, kjo s’do të thotë se popujt e vendeve të tjerë nuk ndiejnë gjithashtu krenari të thellë kombëtare—dhe se vendet e tjerë nuk kanë edhe ata përgjegjësi për të ecur përpara e për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve globale. Por Amerika ka një aftësi të pakrahasueshme për të qenë një forcë për paqen, përparimin dhe prosperitetetin në mbarë botën. Dhe kur e bëjmë këtë, ne e bëjmë vendin tonë më të sigurt e më të fortë. Pra”, përfundonte znj. Clinton, “le të mos reshtim kurrë së bëri mirë dhe së qëni të rëndësishëm. Le ta mbajmë Amerikën eksepsionale”.
Së fundmi, është presidenti i sotëm i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ai që idenë e “eksepsionalizmit” amerikan e ka bërë pjesë të retorikës së tij politike. Duke iu referuar Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, dy dokumente, me të cilët, sipas tij, “përmes tri fjalësh të thjeshta: ‘We, the People’”, nisi “eksperimenti më i jashtëzakonshëm vetqeverisës që bota ka njohur ndonjëherë, vitin e kaluar ai ka deklaruar se: “Këta dy dokumente dhe idetë që ata përmbajnë—barazi dhe demokraci—janë guri i themelit mbi të cilin është ngritur ky komb. Është përmes tyre që ne u bëmë kombi më i madh mbi dhé. Është për shkak të tyre që, për më shumë se dy shekuj, Amerika ka qenë një fanar për botën…Me gjithë papërsosmëritë e saj, Amerika është ende një fanar për botën, një ideal që mbetet për t’u realizuar, një premtim që mbetet për t’u mbajtur…Nuk ka asgjë më të rëndësishme, asgjë më të shenjtë, asgjë më amerikane. Ky është shpirti ynë. Kjo është ajo që ne jemi me të vërtetë. Dhe kjo është ajo qe ne gjithnjë duhet të jemi…Dhe unë s’kam asnjë dyshim—asnjë—se kjo është ajo që ne do të jemi…Në 200 vitet e ardhshëm ne do të jemi çfarë kemi qenë gjatë 200 viteve të shkuara: kombi më i madh mbi faqe të dhéut…Ne duhet vetëm të kujtojmë se kush jemi. Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ndryshe nga ajo çka mund të konsiderohet si dije konvencionale, hulumtimet thonë se presidentët demokratë kanë qenë më të të dhënë e më pasionantë në evokimin e “eksepsionalizmit amerikan” në kontekst global. Këtij koncepti i janë referuar 44 për qind e fjalimeve të mbajtura nga presidentë demokratë kundrejt 17 për qind të fjalimeve të mbajtura nga presidentë republikanë.
Sidoqoftë, sa herë ka qenë e domosdoshme të mbahej një qëndrim i qartë mbi rolin e veçantë që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në çështjet dhe në ngjarjet e mëdha globale, republikanët dhe demokratët, pavarësisht se i cilës parti ka qenë presidenti në detyrë dhe cila parti ka pasur shumicën në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, thuajse gjithnjë, është arritur në një marrëveshje bipartizane: Plani Marshall, krijimi i Organizatës së Aleancës së Atlantikut Verior, qëndrimi ndaj Bashkimit Sovjetik dhe ndaj ngjarjeve kryesore të periudhës së Luftës së Ftohtë (përfshirë Krizën e Kubës, Luftën e Koresë dhe Luftën në Vietnam), mbështetja e integrimit europian, afrimi me Kinën në fillim të viteve 1970, Lufta e Gjirit Persik në vitet 1990-91, mbështetja e demokracive të reja në vendet e Europës Qendrore e Lindore pas rënies së Murit të Berlinit dhe shembjes së socializmit shtetëror në këto vende, qëndrimi ndaj Rusisë post-sovjetike dhe ndaj republikave të reja që u krijuan nga shpërbërja e Jugosllavisë, ndërhyrja ushtarake në krye të forcave të NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës, pushtimi i Afganistanit dhe i Irakut në filim të viteve 2000, mbështetja për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus, qendrimi ndaj krizës së fundit më Lindjen e Mesme etj.
“Relativisti” Barack Obama
Shumica e liderëve europianë në kohën e sotme, të cilët duket se janë sinqerisht të përkushtuar ndaj një farë versioni multilateralist të internacionalizmit, ndihen krejt të paqetë me idenë e “eksepsionalizmit amerikan”. Si për të akomoduar shqetësimet e tyre dhe për të artikuluar në mënyrë të drejtpërdrejtë qëndrimin refuzues të qarqeve më liberale në Shtetet e Bashkuara ndaj konceptit të “eksepsionalizmit amerikan”, ish-presidenti democrat Barack Obama, në një konferencë për shtypin mbajtur pas Samitit të Grupit-20 në Strasburg (Francë), më 4 prill 2009, pra në muajt e parë të presidencës së tij, deklaroi për gazetën Finacial Times se: “Unë besoj në eksepsionalizmin amerikan po aq sa britanikët besojnë në eksepsionalizmin britanik dhe grekët në eksepsionalizmin grek”.
Këto fjalë, të dala për herë të parë nga goja e një presidenti amerikan, që “eksepsionalizmin amerikan” e krahasonin me atë të kombeve të tjerë—të anglezëve ose grekëve—ishin në atë kohë sa shokuese për publikun e gjerë amerikan dhe atë europian e botëror, aq edhe u bënë objekt kritikash të shumta ndaj tij. Edhe pse, në traditën e presidentëve të tjerë amerikanë, Obama tha në atë konferencë se ishte thellësisht krenar për vendin e tij dhe për “rolin e tij në historinë botërore”, duke e relativizuar idenë e “eksepsionalizmit amerikan” dhe duke e njëjësuar atë me “ekspesionalizmin” e popujve të tjerë, ai u kuptua se e refuzonte idenë mbi superioritetin moral të Amerikës dhe rolin e saj në botëm e sotme duke shpalluar “fundin e eksepsionalizmit amerikan”. Amerika nuk ishte më “eksepsionale”, nuk ishte më “the last best hope of earth”, siç e kishte cilësuar presidenti Lincoln më 1862.
Barack Obama synonte të jepte përshtypjen e një presidenti që dallon nga të gjithë presidentët amerikanë pararendës, të një presidenti relativist dhe multilateralist, madje të presidentit të parë “post-strukturalist” të Shteteve të Bashkuara, siç e cilësoi atë Michael Scherer në revistën Time. Në fakt, “Doktrina Obama”, nëse mund të flitet për një doktrinë të tillë, ishte një “devijim” nga tradita e gjatë e presidentëve parendës dhe, siç shprehej në atë kohë studiuesi gjermano-amerikan Josef Joffe, i ngjante një “vere chardonnay krahasuar me whiskin—e lehtë në gjak dhe me shije të mirë, por që s’të godet dhe s’ka fuqi, diçka joamerikane”.
Sidoqoftë, vetë Obama, i cili u bë i pari president afro-amerikan i Shteteve të Bashkuara, mund të konsiderohet si shembulli më domethënës i “eksepsionalizmit” amerikan. Sepse, në fund të fundit, siç është shprehur vetë ai, “në asnjë vend tjetër të botës historia e tij nuk do të kishte qenë e mundur”. Edhe pse pikëpamjet e presidentit Obama shprehin një vizion krejt tjetër nga vizioni i Abraham Linkoln-it mbi Amerikën, si “shpresa e fundit më e mirë për njeriun mbi tokë”, vetë jeta dhe suksesi i jashtëzakonshëm i Obamës në shoqërinë amerikane provojnë pikërisht të kundërtën e asaj që ai ka shprehur. Kjo, ndoshta, është arsyeja që, edhe pse në radhët e elitave politike të Bashkimit Europian Obama u përpoq të krijonte përshtypjen e një presidenti që nuk beson në “eksepcionalizmin amerikan”, për publikun amerikan ai kishte nevojë ta evokonte këtë koncept, madje i është referuar atij dhe traditës së herëshme të puritanëve në 31 për qind fjalime më shumë se sa mesatarja e të gjithë presidentëve amerikanë qysh nga viti 1945, të marrë së bashku.
Obama ishte ende senator kur, në qershor të vitit 2006, mbajti një fjalim në University of Massachusetts Boston, njëri prej universiteteve amerikanë me përbërjen etnike më të larmishme të studentëve të tij, në të cilin tha: “Ishte pikërisht këtu, në ujërat përreth nesh, ku nisi eksperimenti amerikan. Kur kolonët e parë mbërritën në brigjet e Bostonit, të Salemit dhe të Plymouthit, ata ëndërronin të ndërtonin një Qytet mbi një Kodër. Dhe bota vështronte, duke pritur të shihte nëse kjo ide e pamundur, e quajtur Amerikë, do të kishte sukses…Në universitetin më të larmishëm në të gjithë Anglinë e Re, unë shoh një det fytyrash që janë afro-amerikanë, hispaniko-amerikanë, aziatiko-amerikanë dhe arabo-amerikanë. Shoh studentë që kanë ardhur këtu nga më shumë se 100 vende të botës, duke besuar, njëlloj si ata kolonët e parë, se edhe ata mund të gjejnë një shtëpi në këtë Qytet mbi Kodër—se edhe ata mund të arrijnë sukses në këtë vend që s’i ngjan asnjë tjetri”.
“Nacionalisti supremacist” Donald Trump
Në esé si kjo nuk mund të mos i kushtoj pak radhë edhe pikëpamjeve të presidentit Donald Trump lidhur me vendin dhe rolin e Amerikës në botën e sotme. Më herët, këtë subjekt e kam trajtuar shkurtimisht në një arikull titulluar “Donald Trump si mit dhe realitet”, botuar më 9 nëntor 2016, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se dy muaj para se Trump të merrte në dorë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Para se Donald Trump të nominohej si kandidati i republikanëve për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Partia Republikane kishte promovuar një strategji grandioze për të drejtuar rendin ndërkombëtar liberal mbështetur në metanarrativën e “eksepsionalizmit amerian”.
Kështu ka ndodhur të paktën qysh nga viti 1952, kur Dwight D. Eisenhower fitoi betejën mbi politikën e jashtme amerikane brenda radhëve të Partisë Republikane duke triumfuar mbi përkrahësit e qëndrimeve jointervensioniste të rivalit të tij republikan Robert Taft. Ky i fundit kishte kundërshtuar më parë pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas krijimin e NATO-s. Shumica e republikanëve në atë kohë iu bashkuan qëndrimit të Eisenhower-it, i cili, po atë vit, fitoi në zgjedhjet presidenciale dhe në janar 1953 mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Shtetet e Bashkuara ishin bërë ndërkohë fuqia më e madhe e globit, me interesa dhe angazhime globale dhe me një rol të tillë në arenën ndërkombëtare, të cilin nuk mund ta pretendonte—dhe të cilit nuk mund t’i afrohej—asnjë vend tjetër, përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik në atë kohë. Eisenhower besonte se Shtetet e Bashkuara kishin “një detyrim moral dhe një interes kombëtar për ta shndërruar fitoren në Luftën e Dytë Botërore në një paqe globale të qëndrueshme përmes krijimit të aleancave të forta dhe zgjerimit të gadishmërisë ushtrarake në botë për t’iu kundërvënë rrezikut komunist”.
Duke u ndarë nga tradita e të gjithë presidentëve amerikanë, të paktën nga viti 1945 e këtej, Donald Trump e refuzoi totalisht idenë e “eksepsionalizmit amerikan”. Në prill të vitit 2015, dy muaj para se ai të njoftonte kandidaturën e tij për president, Trump deklaroi se ai “nuk e pëlqente” termin “american excepsionalism”. Sipas tij, ata që besojnë në “eksepsionalzimin e Amerikës” dëshmojnë mungesë respekti dhe i fyejnë popujt e vendeve të tjera, si Rusia, Kina, Gjermani dhe Japonia.
Trump u nda nga tradita republikane jo thjesht ngaqë kërkoi të sfidojë “rendin ndërkombëtar liberal”, të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe sepse e refuzoi metanarrativën mbi të cilën u krijua ky rend, duke u përjekur ta zëvendësonte atë me një narrative të re, në thelb xheksoniane. Trump premtoi në atë kohë se, kur të bëhej president, ai do i bënte Shtetet e Bashkuara një vend vërtet eksepsional, por edhe në atë rast, ai tha se nuk e përdorte këtë term pasi nuk donte të “binte në gabim”.
Në vështrim të parë, mund të duket sikur Trump, njëlloj si presidentët amerikanë pararendës, e përqafoi idenë e “eksepsionalizmit” amerikan, pasi agjenda e tij politike “America First” nënkuptonte superioritetin e Amerikës dhe një mision të saj për t’u bërë sërish “a great country”. Në fakt, agjenda e tij ishte e një lloji tjetër nga ajo e republikanëve dhe një refuzim thuajse total i metanarrativës mbi Amerikën si një vend “eksepsional”.
Narrativa e Trump-it mbështetej në idenë se Shtetet e Bashkuara nuk janë as moralisht, as nga pikëpamja e parimeve që mbrojnë një vend superior ndaj vendeve të tjerë, pra nuk janë një vend “ekzemplar”. Sipas tij, Amerika është thuajse njëlloj si vendet e tjerë, që udhëhiqen nga interesat e veta kombëtare materialiste. Në narrativën e tij, Trump e shihte botën, pak a shumë, si realistët, si një botë anarkike e konkurruese, në të cilën çdo shtet synon ralizimin e interesave të veta dhe në të cilën vetëm më të fortët mbijetojnë. Nga ky këndvështrim, slogani i tij “America First” nënkuptonte një Amerikë ekonomikisht të pasur, ushtarakisht të fortë dhe një vend që ruante traditën kulturore amerikane të krishterë të të bardhëve.
Narrativa “eksepsionaliste” e presidentit Trump ushqehej nga një “kult nacionalist e racist”, nga besimi në “supremacinë e të bardhëve” (white supremacy) dhe nga synimi për krijimin e një “shoqërie hiperkapitaliste”. Ky kult nacionalist gjeti pasues të shumtë në radhët e miliona evangjelistëve amerikanë dhe u shndërrua në një “sekt masiv e të rrezikshëm”. Shumë prej tyre e konsideruan Trump-in si shpëtimtarin e Amerikës së krishterë, një farë messiah që u ngrit kundër “intrigave djallëzore të politikanëve të tillë anti-krisht, si Barack Obama dhe Hillary Clinton”, të cilët anatemoheshin online përmes lloj-lloj teorish konspiracioniste. Njerëz të tillë shihnin te Trump-i “njeriun e zgjedhur” për t’u bërë ballë “forcave të errta djallëzore” dhe ishin pikërisht këta që besonin verbërisht se pandemia e Covid-19 ishte një ndëshkim prej Zotit, madje një paralajmërim i Fundit të Botës—a sign of the End of Times.
Disa autorë janë të mendimit se platforma e politikës së jashtme të presidentit Trump “America First” mbështetej në një narrativë që mund të konsiderohej si një konfrontim mes dy metanarrativave: asaj mbi “eksepsionalizmin amerikan” dhe “nacionalizmit xheksonian”. Në thelb, politika e tij e jashtme mohonte misionin moral të Amerikës dhe lidershipin e saj në botë, çfarë kanë qenë një tipar esencial i politikës së jashtme amerikane të paktën nga Lufta e Dytë Botërore e këtej, duke promovuar (edhe nëse jo gjithnjë në praktikë, të paktën në teori), internacionalizmin liberal përmes demokratizimit, ekonominë e tregut të lirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Më pak se dy javë nga inaugurimi i z. Trump si president i Shteteve të Bashkuara, më 1 shkurt 2017 kam shkruar në gazetën Dita se: “Z. Trump ka fare pak të përbashkëta me presidentët më të shquar amerikanë të pas Luftës së Dytë Botërore, si Harry Truman, John F. Kennedy dhe Bill Klinton (demokratë), apo Dwight Eisenhower dhe Ronald Reagan (republikanë). Këta të gjithë ishin internacionalistë dhe atlanticistë, krijuesit dhe mbështetësit e aleancës më të fuqishme politike-ushtarake që ka njohur historia (NATO) dhe mbështetës qysh nga fillimi i Projektit Europian.
Në dallim nga të gjithë presidentët amerikanë para tij, qysh në ditët e para të presidencës Trump kam theksuar se: “Deklaratat e z. Trump mbi ‘anakronizmin’ e NATO-s dhe Bashkimin Europian si ‘një mjet në duart e Gjermanisë’ duken se paralajmërojnë një ‘ndryshim rrënjësor kursi’ në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, distancimin e Amerikës nga aleatët e asaj europianë…Unë parashikoj (qofsha i gabuar) se, nën presidencën e z. Trump, politika amerikane mundet të njohë një farë revizionimi, në saktë një devijacion, që do të ketë, pa dyshim, efektet e veta negative si brenda vendit, ashtu edhe në skenën globale”.
Ndërsa ndryshimet në politikën e jashtme priteshin të ishin të dukshme, ato çfarë mund të ndodhnin së brendshmi gjatë presidencës Trump prisja (më 2017) të ishin këto: (i) Një polarizim i mëtejshëm i shoqërisë amerikane (në rrafsh ekonomik, social, racor dhe etnik); (ii) Një fermentim i mëtejshëm i pakënaqësive të një mase të gjerë njerëzish që nuk pajtohen me politikat e administratës së re; (iii) Një rritje (ndoshta) e ekonomisë amerikane dhe një rënie (ndoshta) e papunësisë, por me koston e lartë të margjinalizimit të minoriteteve etnike e racore në atë vend; (iv) Një kthim eventual i Shteteve të Bashkuara në politikat proteksioniste e izolacioniste të shekullit të 19-të dhe të periudhës midis dy luftërave botërore etj.
* * *
Sulmi i një mase të madhe njerëzish ekstremistë mbi Capitol Hill, më 6 janarit 2021, të frymëzuar e të nxitur drejtpërsëdrejti nga presidenti Donald Trump kur sapo u konfirmua se ky i fundit i kishte humbur zgjedhjet presidenciale për një mandat të dytë, ishte jo vetëm një ngjarje e rëndë, pa precedent për demokracinë amerikane, por edhe një antitezë e idesë mbi Amerikën si një vend “eksepsional”.
Ato ditë, Austin Sarat shkruante se: “Më 6 janar Shtetet e Bashkuara u bënë një vend i ndryshëm, më pak eksepsional. Pushtimi i Kapitolit nga turmat ishte tronditës, në mos edhe befasues. Ai tronditi besimin krenar në statusin e veçantë të Amerikës si i vetmi komb mbi dhé që gjithmonë e kishte transferuar në mënyrë paqësore pushtetin nga një parti politike në tjetrën…Transferimi i pushtetit në vitin 1801 nga presidenti i dytë, John Adams, te Thomas Jefferson ka qenë një ngjarje referuese në historinë botërore dhe krijoi precedentin që, deri javën e shkuar, e ka dalluar Amerikën si një vend eksepsional”.
Fill pas asaj ngjarjeje të paprecedent në historinë e Shteteve të Bashkuara—dhe duke iu referuar asaj—Jack Sullivan, të cilin presidenti Biden e emëroi në postin e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare sapo mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar 2021, i ka dhënë idesë së “eksepsionalizmit” amerikan një përmbajtje më realiste. Sipas tij: “Eksepsionalizmi amerikan nuk është një përshkrim i realitetit, por shprehje e një ambicjeje. Ai nënkupton të përpiqesh, të dështosh dhe të përmirësoshesh. Ky është thelbi i patriotizmit që çdo amerikan mund ta përqafojë”./dita.al