Nga Lorenc Vangjeli
Debati për ngjarjet dhe personazhet konkrete, si rregull shmang thelbin dhe ndriçon vetëm formën, brohoret detajin dhe shuan të tërën duke e çuar vetë debatin në rrugica qorre. Dyshimet e prokurorisë për koncesionet në shëndetësi, atë të sterilizimit dhe me gjasë shpejt edhe atë të Check Up-it, të shoqëruara me një listë të pandehurish, nuk bënë përjashtim. Të gjithë iu sulën me obobo emrave konkretë si gjermani punës dhe shmangën dy detaje thelbësore. Njëri fatkeq, e tjetri i mbarë. Njëri modern, tjetri i traditës.
Aktori i parë, gjykatësi që firmosi masat e sigurisë, edhe pse normalisht duhet të shprehet vetëm me vendim, u soll si “star” i shtypit dhe i konfirmoi medias se i ka sugjeruar prokurorit që të nisë hetimet dhe të marrë të pandehur edhe dy ish-ministra. Pothuaj në të njëjtën grackë, ndonëse më i përmbajtur, ra edhe prokurori i çështjes.
Aktori tjetër, SPAK-u, përfundimisht e për herë te parë, e pa masën e arrestit në burg dhe vetë burgun si mjet dhe jo si qëllim në vetvete. Ai zbatoi përshkallëzimin e masave të sigurisë, ashtu sikundër urdhëron Kodi i Procedurës. Nëse për të paditurit e shumtë ky fakt nuk do të thotë asgjë, profesionistët e sistemit e konsiderojnë revolucion në mendësi. Vetëm Stalini plaste në burg çdo të dyshuar dhe pastaj priste me kismet e pa gajret vërtetimin e fajësisë. Garancia e sistemit, atë që SPAK e realizoi edhe formalisht, shenjtëron prezumimin e pafajësisë, derisa nuk vërtetohet fajësia me vendim të formës së prerë. Ndryshe nga deri më tani kur refreni ishte “burg, burg, burg” për të gjithë, tani kolaudimi SPAK-ut, jo si sëpatë për të prerë, por si bisturi për të operuar, po vepron sipas parimit: Më mirë 99 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda. Duke bërë drejtësi edhe me kushtin që mbas saj të shembet gjithë bota në Tiranë, ashtu siç është njohur deri më tani.
Në rastin e parë, gjykatësi i ka dhënë shansin e parë avokatëve të të dyshuarve në proces për të luajtur me kartën e përjashtimit të tij nga trupa gjykuese për shkak të paragjykimit të tij: përvecse në vendim, e tha edhe publikisht. Ai është ende i mirëkuptuar për shkak të emocioneve të çastit dhe presionit të madh që ushtrohet mbi të, me spektër të gjerë që shkojnë që nga interesa kriminalë, e deri tek presioni i intersave legjitime kushtetuese, siç është prezumimi i pafajësisë, përshkallëzimi i masave shtrënguese, në varësi të emocioneve të ligjshme dhe të paligjshme vetjake: barazia përpara ligjit, zbatimi i të drejtës si normë dhe jo si zgjedhje e momentit duhet të jetë “stari” i vetëm orientues i drejtësisë së re.
Në rastin e dytë, njerëzit e Dumanit edhe e shkruan në njoftimin publik garancinë e të drejtës që dyshimin e sheh në dobi të të dyshuarit. Dhe mbi të gjitha, dhanë shpresë se të gjithë ata që tremben për instalimin e Republikës së Prokurorëve, më shumë se dashnorë të Perëndimit, janë viktima të paragjykimit.
Do të mjaftonte qoftë dhe kaq për të kuptuar se makineria ndëshkuese e pandëshkueshmërisë është koaluduar plotësisht dhe se e nesërmja e mëkatarëve të shumtë të Tiranës, është tashmë plotësisht e varur në litarin e holluar nga zullume vetjake.
Gushti që nuk është mbyllur ende po dëshmon se edhe shtatori e tetori dhe shumë më shumë më pas, do të jenë muaj përvëlues për politikën e djeshme e të sotme, për ministra e ish-ministra, deputetë të shumicës e të pakicës, policë që bëjnë sikur luftojnë krimin dhe kriminelë që policojnë komunitetin, analistë të politikës dhe yje të kronikës; madje edhe për gjykatës të lartë e prokurorë.
Pritshmëritë nga SPAK-u tashmë janë maksimale, por të ndryshme nga pikëpamje të ndryshme. Skematikisht ato janë katër.
I pari, publiku. Shoqëria shqiptare në përgjithësi, kërkon e pret hakmarrje e ndëshkim më shumë sesa vënien e drejtësisë. Nuk ka gjë më eksituese se të qënit spektator në cirkun e jetës kur tjetri bie në fatkeqësi; kur njerëzit e fuqishëm me pushtet, ata të majës dhe të ekraneve, ata që i shihnin me zili mbas xhamave të zinj të imunitetit dhe brenda resorteve privatë plot diell të Mesdheut, që përcaktonin fate njerëzore dhe majmnin llogari bankare, tani ju duhet të bëjnë llogari njerëzore me burgun. Me shumë se për drejtësi nga Solomoni që mungon ende në Tiranë, publiku pret mitin e hakmarrjes, sipas parimit: këtu lahen të gjitha!
E dyta, opozita. Ajo e sheh këtë që po ndodh si revansh dhe vetëplotësim. Shumë nga dosjet që SPAK-u po i heton, kanë qenë akuza të saj publike. Kudo gjetkë këto akte të drejtësisë do të merrnin duartrokitje, por opozita vazhdon të sulmojë “SKAPIN” që po kap mëkatarë. Jo thjesht se i beson gënjeshtrës së saj që SPAK kontrollohet nga Rama, por sepse e di që po i vjen rradha. Rrethi i ngushtuar ndaj Berishës, i vetmi politikan që e morri dënimin pa ju bërë ende gjykimi, që u ndëshkua nga angloamerikanët, pa hyrë ende në gjykatë shqiptare, “zinxhiri komandues” i një partie politike, një rresht ish-ministrash apo dhe ndonjë deputet aktual i opozitës, me gjasë do të kuptojnë shpejt se vonesa dhe kujtesa kanë një raport të cuditshëm kur bëhet fjalë për drejtësinë: në këtë vit të trazuar shqiptar, ajo vonon, por nuk harron! E keqkuptuar në thelb, opozita zyrtare nuk do të kuptojë, që drejtësia ndëshkon individin, kurse qeverisja ka për gjykatës tre milion e kusur shpirtra shqiptarësh, një herë në katër vjet.
I treti është pushteti. Mbasi kaloi fazën e parë të viktimizimit – pse vetëm ne në shënjestër – ka hyrë në fazën e logjikës. Pranon faktin e kryer dhe insiston në atësinë e reformës duke pretenduar atësinë e reformës. Kjo është karta fituese që luan Rama, teksa sheh që njerëzit e tij që kanë parë deri më tani derën e SPAK-ut, janë më pak se ata që do ta shohin atë në një të nesërme të afërt.
Me bindjen se është më mirë djepi bosh se me shejtan brenda, me të gjitha gjasat, Rama do ta përdorë këtë kartë si gurin e patë të Rilindjes së tij të së katërt. Në të gjitha rrethanat, përballë Sali Berishës që ai e ka si siguracion ndërkombëtar full casco, ai e di që shumica e tij dhe opozita do të ndjekin njëra-tjetrën si rrotat e bicikletës, ku e mbrapmja nuk do të dalë kurrë përpara.
Po ashtu, i bindur se nje burrë në politikë vlen sa shuma e armiqve të tij, Rama tanimë mund të numërojë një turmë mbresëlënëse armiqsh: që nga ata tradicionalët e trashëguar e deri tek të rinjtë e sapo fituar. Për paradoks, cfarë nuk po e vret sot, do ta bëjë më të fortë nesër në një mandat pasardhës.
I katërti, krimi i luksit. Njerëzit me shumë para vazhdojnë të jetojnë me lajmet televizive nga Tirana dhe të flejnë me vajza instagrami që përfundojnë në Dubai, të tjerë që kanë pësuar metamorfozën e larvës të shndërruar në flutur me ngjyra biznesi e të tjerë akoma, që kanë vënë kravatë politike në qafë, po kuptojnë se duhet të tërhiqen sërish në kafet e katet ulëta të periferisë. Do të ndahen pak nga pak nga “miqtë” e politikës, ndërsa një pjesë do të paguajë gjithmonë e më pak për halle gjithmonë e më të mëdha koke.
Të gjithë bashkë, edhe shoqëria shqiptare e mpirë në nervin e saj statik: maskarenjtë kanë gjithmonë te ardhme, edhe opozita e pafuqishme, e destinuar që kështu sic është, do të jetë gjithmonë një dështim elektoral, edhe pushteti që trembet nga gërryerja e thellë e korrupsionit, edhe banditët, qe pavarësisht ngjyrave, i ngjajnë njëri-tjetrit si pulla serie, edhe ata që e përdorin urrejtjen si instrumentin e vetëm për të kuptuar se cfarë po ndodh, por edhe ata që lozin si trumcakë në pluhur e kërkojnë lesh edhe nën krahët e avionëve, konsumojnë një frikë e shpresë të përbashkët njëkohësisht: instalimin e Republikës së Prokurorëve. Më e keqja, ju duket skenari më i mirë! Shembulli i Italisë së viteve 90-të është ai që përmendin të gjithë. E presin dhe i tremben po të gjithë.
Në të gjithë këtë histeri kolektive Altin Dumani e të tijtë janë të dënuar të gjejnë zgjidhjen. Pjesë e sistemit dhe jo vetë sistemi, SPAK është vetëm pala e barabartë në proces, si dhe të pandehurit e saj që con në gjykatë, por që është gjykata ajo që ndan bastin me të ligën dhe të pafajshmin.
Çfarë po ndodh tani nuk është thjesht fundi i dickaje, por fillimi i dickaje krejt tjetër. Ndryshe nga sa presin optimistët, korrupsioni do të vijojë të jetë bashkëjetuesi tradhëtar i demokracisë edhe sikur kodi penal te priste me hanxhar cdo dorë që prek paratë publike dhe sikur të realizohej maksimalisht pritshmeria që dora e drejtësisë të pastronte cdo qindarke të vjedhur nga xhepat e zyrtarëve. Shërrimi relativ vjen duke kuruar shkakun dhe jo duke u marrë me pasojat. Shkaku që lindi pandëshkueshmërinë ishte politika, por po politika “shpiku” mjetin që të ndëshkohet kur mëkaton që në momentin kur Rama u bë i pari kryeministër që hoqi dorë nga pushteti i ekzekutivit mbi pushtetin e drejtësisë.
Eshtë koha për të kuptuar se e shkuara është gjithashtu histori e të ardhmes dhe se në të ardhmen, ndryshe nga sa kanë filluar të tremben në kryeqytet, Republika e Prokurorëve, nuk ka vend në Tiranë. Kush ka nevojë për më shumë garanci, mjafton të lexojë “njoftimin” që firmosën njerëzit e Altin Dumanit: “Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë”! Pjesa tjetër është vetëm gallatë kasapësh që rekomandojnë receta vegjetariane. Dhe debati që nuk mbaron, debati ku triumfon forma dhe thelbi harrohet, ku naivët e shumtë flasin për emra dhe të mencurit e paktë mezi dëgjohen kur përmendin parime, është vetëm efekt anësor dhe ndotje estetike i një ambienti të trembur. Me shtyllë kurrizore të thyer dhe palcë të munguar në të.
Një shkodran (psh Arben Kraja si shkodran tradicional – skuth, kulim dhe bëlbëzitës me fjalë nëpër dhëmbë e me shumë kuptime), kur do të shajë dikë, i thotë: “TË DHJEFSHA DUMANIN”…..
Duke e marrë këtë shprehje, në këtë kuptim, duhet thënë TAMAM – “Të dhjefsha Dumanin”, deri sa në qarkullim janë MONEDHAT e dala nga qarkullimi, Sali Berisha e Ilir Metaj, të qelbur nga korupsioni familiar, nga koka tek këmbët…..
Për sapo godet, nuk jam kunder, por duhet thënë,që PO DHJET GJAK, nga frika e Sali Berishes dhe Ilir Metajt.