• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, May 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Republika e pare” një trashëgimi politike e shqiptarëve për botën

by A R
18/11/2022 09:05
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Çdo krahasim çalon. Ashtu si në garat e stafetës ku entuziazmi dhe nderimet e mëdha i shkojnë zakonisht finalizuesit që pret finishin, ka ndodhur që rezistenca me armë e UÇK-së dhe ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës të marrin me të drejtë më shumë vëmendje, hapësirë dhe merita në narrativën e Kosovës së lirë. Deri duke e lënë disi në harrim herë-herë, apo duke e treguar me klishetë e sektarizmit mendjengushtë dhe negativist periudhën disavjeçare të rezistencës paqësore rugoviane dhe Republikës së Parë nën okupimin serb, e cila i parapriu Republikës së dytë, asaj në liri që lindi nga forca.

Duke i parë në lidhje organike “të dyja republikat”, në nxitjen e grishjes së fortë që ngërthen për publicistin dhe shkrimtarin nxjerrja në dritë e të hijëzuarës pa të drejtë, por edhe për të dëshmuar respekt dhe drejtësi ndaj fakteve e kontributeve që ka mundur t’i njohë nga afër si gazetar i radios “Zëri i Amerikës” dhe bashkëpunëtor i gazetave të Kosovës, publicisti Mero Baze, një nga njohësit më të mirë të historisë së re të saj mes kolegëve të Shqipërisë, ka kompiluar e shkruar një libër të plotë për Republikën e Parë, me vetëdijen që para se t’i nënshtrohen seleksionimit të kohës, ngjarjet që kanë formuar në lidhjen e tyre një periudhë të papërsëritshme të hi- storisë, duhet të pasqyrohen hollësisht e të renditen siç kanë ndodhur.

Duke i paraqitur imtësisht, në mënyrë kronologjike, zgjedhje kjo që i përgjigjet qëllimit për ta prezantuar në përmasa sa më reale Republikën e Parë, autori fokusohet në një “invencion” apo eksperiment politik, siç e quan vetë, që ka intriguar dhe vijon të intrigojë kureshtjen dhe kërkimin për të cilin gjer para botimit të këtij libri është folur e shkruar me kursim, në mënyrë fragmentare, pa u thelluar në specifikën e tij. Së paku në Shqipëri. Ky “invencion” është shteti paralel që konceptoi dhe jetësoi në Kosovë, Ibrahim Rugova me bashkë- punëtorët e tij të LDK-së dhe qeverisë “Bukoshi”, nga viti 1989, gjer në daljen në skenë të UÇK-së dhe çlirimin e Koso- vës nga forcat e NAT0, në vitin 1999.

Lidhur ngushtë me vizionin e shtetit paralel, pjesë e tij, Rugova me shokë ndërmorën kthimin e busullës së Kosovës nga Perëndimi demokratik, një akt politik largpamës, që e kapi në kundërkohë dhe e nxori zbuluar regjimin e Milošević-it. Në të njëjtën periudhë, vë në dukje Baze, Rugova u dha formë kërkesave didaskalike që identifikuan pranë kancelarive të Pe- rëndimit ëndrrën e Kosovës dhe rrugëzgjidhjen e vetme të çë- shjes së saj: “Kosova-shtet i pavarur dhe demokratik, me ndërhyjen e NATO, nën mbikqyrjen e OKB”, citon autori.
Të gjitha këto, në kushtet e represionit të shtuar policor dhe ushtarak serb në Kosovë, në një periudhë kritike kur era e ndryshimeve demokratike në Lindjen ish-komuniste dhe shpërbërja e Jugosllavisë rrezikonte që paradoksalisht, Kosova ngritur e para, t’u sakrifikohej përsëri “ekuilibrave”, “konjukturës” apo të ashtuquajturave “lëshime” serbe ndaj republikave të shkëputura. Dështimi dhe poshtërimi i bujshëm në Bosnjë-Hercegovinë përballë barbarive serbe, ushqeu frikën e një poshtërimi të ri, do të thotë hezitimin disavjeçar të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen me shpatë të çështjes së Kosovës. Por si në ligjin e pashkruar të kompensimit, “Bosnja” që do ta “dënonte” edhe do ta “shpëtonte” Kosovën me korigjimin radikal nga Perëndimi të intervenimit ushtarak: jo me kaskat blu të OKB -së, por me arsenalin e NATO.

Por derisa të mbërrinte në këtë zhvillim fatlum, Kosovës i duhej të mbijetonte, të rezistonte, të mbante ndezur pishtarin e ëndrrës për liri dhe pavarësi. Kjo është periudha e daljes në skenë të shtetit paralel rugovian.
Në këtë libër del qartë se përtej të qenit një fanitje apo thjesht në letër, shteti paralel funksionoi edhe si shtet i qytetarëve të Kosovës nën okupim, administroi dhe me fondet e veta të siguruara nga kontributet e emigrantëve shqiptarë në Perëndim, financoi disa fusha të jetës publike; arsimi, shënde- tësia, përkujdesja sociale, mbështetja për individë dhe familje në nevojë, e të tjera e të tjera. Duket e thjeshtë për ta thë- në, por sigurisht ka qenë e jashtëzakonshme për t’u bërë. Ashtu e sheh dhe e shpjegon Baze në librin e tij, duke sjellë fakte dhe dokumente të panjohur deri më sot për operandin e qeverisë “Bukoshi”.

Shteti paralel financoi gjithashtu diplomacinë autonome të Kosovës dhe ndërkombëtarizimin si asnjëherë tjetër më parë të çështjes së Kosovës nga elitat e saj. Jo vetëm përmes qeverisë në mërgim, siç ka plot precedentë në histori. Por edhe nga Prishtina. Rugova ia doli të pritej disa herë si udhëheqës i shqiptarëve, madje edhe si President i Republikës së vetëshpallur, në SHBA dhe në kryeqytetet e gjithë vendeve demokratike të Perëndimit. Studiues i teorisë së refuzimit estetik, që i kishte mprehur shijen dhe sensin e masës, Rugova e përdori lakonizimin dhe përsëritjen për të ngulitur në agjendën e Perëndimit kërkesat themelore të popullit të tij që i thoshte si uratë. Kërkesa që do të rezultonin profetike në dritën e ngjarjeve vendimtare të vitit 1999 e në vijim.
Të gjitha këto, në një mënyrë a një tjetër, i kemi ndjerë apo edhe ditur dikush-dikush. Në librin e tij, Mero Baze i sendërton, i rendit, u vë datat dhe referencat pa të cilat historia do të ishte një përrallë, i vendos brenda një sistemi koherent të menduari e të vepruari të etërve të Republikës së Parë, i vesh me dëshmi të reja, të vetat si dëshmitar okular në shumë prej ngjarjeve që tregon, të përsonazheve që ka intervistuar eksluzivisht për këtë libër, të politikanëve, diplomatëve, studiuesve dhe gazetarëve të tjerë që ka cituar.

Por duhet thënë se në tërësi ky libër vjen si një ditar aposteri ku ngjarjet e mëdha lidhen me njëra-tjetrën nga ngjarjet rutinë që i përgatisin. Ngjarjet në dukje rutinë të veprimit dhe ngulmimit sizifian për të mbajtur gjallë e çuar përpara me centimetra idealin e çlirimit dhe pavarësisë me mjete paqësore, janë referuar me bollëk për nuancën e re që sjell secila, por edhe për të vizatuar tablonë e sagës së durimit që kërkon lufta në paqe. Në këtë ravgim, autorit i ka ardhur në ndihmë ajo që mund të quhet arkiva e qeverisë “Bukoshi”, me dokumente që referohen e botohen për herë të parë.

Dhe kështu, përmes të treguarit, lexuesi përfton kuptimin e historisë si një stafetë, nga koha në kohë, nga brezi në brez, nga qasja në qasje; përfton a përforcon dijen se alternativa e rezistencës së armatosur e përfaqësuar nga UÇK i përshpejtoi vrullshëm zhvillimet dhe arriti brenda një kohe të shkurtër atë që rezistenca paqësore nuk e kishte arritur gjatë një de- kade; përfton nga ana tjetër dijen dhe kuptimin se rezistenca paqësore i dha justifikim dhe mbështetje në arenën ndërkombëtare rrokjes së armëve. Ndaj, kur u hodhën zaret e zgjidh- jes nga faktori ndërkombëtar, të dyja alternativat ishin në tryezë dhe mbetën në lojë edhe në Republikën e dytë. Sepse pavarësisht dallimeve sa i takon qasjes dhe mjeteve, të dyja kishin të përbashkët qëllimin.

I shkruar me dashuri, realizëm dhe përgjegjësi, libri “Republika e Parë” e vendos shtetin paralel dhe rezistencën paqësore rugoviane në rendin e një pasurie dhe trashëgimie politike origjinale që i kalon kufinjtë e Kosovës dhe Shqipërisë. Ato mbeten një subjekt për studime më të thelluara politologjike. E gjithë kjo, pa kurrfarë glorifikimesh, madje duke i vënë në dukje dritë-hijet e personazhit që e mishëron “invencionin” e shtetit paralel, gjë që e bën atë “shembullin e asaj krye- vepre që është njeriu i papërsosur”, siç thotë shkrimtari amerikan, Filip Roth për një prej figurave me të adhuruara të krijimtarisë së tij.

Voluminoz dhe linear nga vetë natyra e paraqitjes kronologjike të ngjarjeve, libri “Republika e Parë” kulmon nga pikëpamja stilistike me portretet e Rugovës dhe Bukoshit, që e mby- llin atë. Mjeshtëria e realizmit të këtyre portreteve i kthen fja- lës epërsinë e njohur ndaj formave të tjera të shprehjes për gdhendje komplekse.
“Dhe kështu, të dy bashkë, shkruan autori për Rugovën dhe Bukoshin, si murgjër të një rruge që nuk ia dinin fundin, ata ia dolën të ndërtojnë Republikën e Parë të Kosovës, një shtet me letra që nuk i njohu Perëndimi, por i njohën shqiptarët dhe e besuan më shumë se çdo qeveri tjetër të mëpasme në Koso- vën e lirë. Ishte e vetmja Republikë pa ushtri, pa territor, pa njohje ndërkombëtare.
E mbante në këmbë besimi te liria!”

 ( Ditën e premte ora 18 në Hotel Tirana Internacional organizohet promovimi i librit “Republika e parë”)

Next Post
Plakja e popullsisë, Finlanda ka nevojë për 50 mijë emigrantë në 28 vitet e ardhshme

Plakja e popullsisë, Finlanda ka nevojë për 50 mijë emigrantë në 28 vitet e ardhshme

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

NATO në alarm, avionët luftarakë ngrihen në Poloni pas sulmeve ruse me dronë

NATO në alarm, avionët luftarakë ngrihen në Poloni pas sulmeve ruse me dronë

May 13, 2026
Qeveria i hap rrugë ndërtimit të ‘Parkut të Besimit’ në Petrelë, miratohet faza paraprake e projektit

Qeveria i hap rrugë ndërtimit të ‘Parkut të Besimit’ në Petrelë, miratohet faza paraprake e projektit

May 13, 2026
Shefi i Eurovisionit: Do të monitorojmë me kujdes votimin e shteteve

Shefi i Eurovisionit: Do të monitorojmë me kujdes votimin e shteteve

May 13, 2026
Kompensimi për fëmijët nga DIVA/ Tatimet nisin disbursimin, e drejta e përfitimit nuk humbet për 5 vite

Kompensimi për fëmijët nga DIVA/ Tatimet nisin disbursimin, e drejta e përfitimit nuk humbet për 5 vite

May 13, 2026
Projektligji për financimin e partive politike, Peleshi i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion

Projektligji për financimin e partive politike, Peleshi i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion

May 13, 2026
Babai i reperit Noizy jep dëshmi në GJKKO, në seancën tjetër thirret Cllevio

Babai i reperit Noizy jep dëshmi në GJKKO, në seancën tjetër thirret Cllevio

May 13, 2026
Prokuroria kërkon 7 vite burg dhe 300 mijë euro gjobë për ish-presidentin Sarkozi

Prokuroria kërkon 7 vite burg dhe 300 mijë euro gjobë për ish-presidentin Sarkozi

May 13, 2026
Kishte fshehur 1.2 kilogramë kokainë në jastëk, arrestohet 32-vjeçari shqiptar në Genova

Kishte fshehur 1.2 kilogramë kokainë në jastëk, arrestohet 32-vjeçari shqiptar në Genova

May 13, 2026
Studentët paralajmërojnë protestë më 18 maj për jurisprudencën në gjuhën shqipe/ Mickoski: Do dalim me një propozim

Studentët paralajmërojnë protestë më 18 maj për jurisprudencën në gjuhën shqipe/ Mickoski: Do dalim me një propozim

May 13, 2026
Task-Forca për Migracionin/Hita në Kosovë: Forcim i sigurisë kufitare dhe goditje ndaj rrjeteve kriminale

Task-Forca për Migracionin/Hita në Kosovë: Forcim i sigurisë kufitare dhe goditje ndaj rrjeteve kriminale

May 13, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In