Pesë javë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, imagjinoni për një moment se si është të jetosh atje tani.
Bomba, gjakderdhje, trauma. Asnjë shkollë për fëmijët, asnjë kujdes shëndetësor për prindërit, asnjë çati të sigurt në shumë qytete të vendit.
Do të përpiqeshit të shpëtonit? Dhjetë milionë ukrainas e kanë bërë, sipas Kombeve të Bashkuara.
Shumica kërkojnë strehim në zona të tjera të Ukrainës, që besohet se janë më të sigurta. Por më shumë se tre milionë e gjysmë njerëz kanë ikur përtej kufirit të vendit të tyre.
Ata që kanë ikur janë kryesisht gra dhe fëmijë, pasi burrat nën moshën 60 vjeç janë të detyruar nga qeveria ukrainase të qëndrojnë dhe të luftojnë.
Të zhvendosur dhe të çorientuar, shpesh pa idenë se ku të shkojnë më pas, refugjatët detyrohen t’u besojnë të huajve.
Kaosin e luftës e kanë lënë pas, por e vërteta është se ata nuk janë plotësisht të sigurt as jashtë Ukrainës.
“Për grabitësit dhe trafikantët e qenieve njerëzore, lufta në Ukrainë nuk është një tragjedi,” paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres në Twitter.
“Është një mundësi – dhe gratë dhe fëmijët janë objektivat.”
Rrjetet e trafikut njerezor janë tejet aktive në Ukrainë dhe vendet fqinje në kohë paqeje.
“Mjegulla” e luftës është mbulesë e përsosur për të rritur biznesin e tyre, shkruan BBC.
Karolina Wierzbińska, një koordinatore në Homo Faber, një organizatë e të drejtave të njeriut me qendër në Lublin, më tha që fëmijët ishin një shqetësim i madh.
Shumë të mitur po iknin jashtë Ukrainës të pashoqëruar, tha ajo. Proceset e rrepta të regjistrimit në Poloni dhe rajone të tjera kufitare – veçanërisht në fillim të luftës – nënkuptonin zhdukjen e fëmijëve, vendndodhja e tyre është aktuale e panjohur.
Në një stacion treni, i njohur për pritjen e refugjatëve, sheh gra me pamje të trullosur dhe fëmijë që qajnë, gjithandej! Shumë prej tyre ngushëlloheshin nga policet dhe u ofronin ushqim të nxehtë nga një grup vullnetarësh.
BBC përshkruan takimin me Margherita Husmanov, një refugjate ukrainase nga Kievi e moshës 20-vjecare. Ajo mbërriti në kufi dy javë më parë, por vendosi të qëndrojë, për të ndihmuar refugjatë të tjerë që të mos bien në duar të pasigurta.
E pyeta nëse ndihej e pambrojtur. “Po,” më tha ajo. “Kjo është veçanërisht arsyeja pse shqetësohem për sigurinë e tyre. Gratë dhe fëmijët vijnë këtu nga një luftë e tmerrshme. Ata nuk flasin polonisht apo anglisht. Ata nuk e dinë se çfarë po ndodh dhe besojnë atë që dikush u thotë. Kushdo mund të paraqitet në këtë stacion. Ditën e parë që dola vullnetare, pamë tre burra nga Italia. Ata kërkonin vajza të bukura për t’i shitur në industrinë e seksit. Lajmerova policinë dhe doli se kisha të drejtë. Nuk ishte paranojë. Është e tmerrshme.”, citon BBC vajzen e re nga Ukraina qe ndodhet ne kufirin polako-ukrainas.
Margherita thotë se zyrtarët lokalë janë pak më të organizuar tani. Policia patrullon rregullisht stacionin. Njerëzit (kryesisht burra, na thuhet) me pankarta qe mbajne emrat e destinacioneve joshëse, aq të pranishëm në dy javët e para të ardhjes së refugjatëve, janë zhdukur kryesisht.
Por siç zbulojmë nga një sërë burimesh, individë të tjerë me qëllime të këqija tani po paraqiten si vullnetarë me veshje serioze.
Elena Moskvitina shkruajti në Facebook për të rritur ndërgjegjësimin. Ajo tani është e sigurt në Danimarkë, kështu që ne biseduam gjatë përmes Skype. Përvoja e saj është rrëqethëse.
Ajo dhe fëmijët e saj kaluan në Rumaninë fqinje nga Ukraina e shkatërruar nga lufta. Ata po kërkonin një rruge kalimi larg kufirit.
Ata që ajo i përshkroi si vullnetarë të rremë në një qendër refugjatësh e pyetën se ku po qëndronte.
Ata erdhën më vonë gjatë ditës dhe në mënyrë agresive i thanë asaj se Zvicra ishte vendi më i mirë për të shkuar dhe se do ta çonin atje, me një furgon plot me gra të tjera.
Elena më tha se burrat e shikonin atë dhe vajzën e saj “me përbuzje”. Vajza e saj ishte e ngurtësuar.
Më pas ata insistuan që ajo të udhëtonte me askënd tjetër përveç femijeve dhe u zemëruan kur ajo kërkoi të shihte kartat e tyre të identitetit.
Për t’i larguar ket persona nga familja e saj, Elena premtoi se do t’i takonte kur gratë e tjera të ishin në furgonin e tyre. Por sapo u larguan, ata, i kapi fëmijët e saj nga dora dhe vrapoi.
Shumica me të cilët folëm, shkruan korespondentja e BBC, shpresonin të shkonin në shtëpi sapo të përfundonte dhuna.
Por gjatë ditëve, javëve, madje edhe muajve në vijim, ata kanë nevojë për një vend për të fjetur, për të ngrënë, për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollë, si dhe një punë për të mbajtur veten siç duhet.
Këto nevoja i bëjnë refugjatët të pambrojtur./ Panorama/
/b.h