Benini është një shtet afrikan me shumë kontraste – mes vudusë dhe varfërisë, pasurisë dhe kujtimit të skllavërisë.
Nga Armend Bekaj, dp
Benini është një shtet relativisht i vogël që gjendet në perëndim të Nigerisë, me dalje në Gjirin e Guineas dhe në Oqeanin Atlantik. Ka pak përmbi 10 milionë banorë që i përkasin një numri të larmishëm fisesh. Politikisht ka një sistem më demokratik sesa një pjesë e madhe e shteteve afrikane. Ekonomikisht është një shtet ku varfëria e skajshme shihet qartë në çdo aspekt të jetës. Një shpërputhje e tillë ekonomike-politike mund të duket paksa paradoksale. Por, me këtë Benini dëshmon se një shtet i varfër mund të ketë sistem relativisht të konsoliduar demokratik. Në anën tjetër ka shtete që përjetojnë shpërthim ekonomik në kushte të një sistemi autoritar.
Në Benin është mjaft e zakonshme të shohësh shtëpi tejet luksoze dy-tri katëshe, me pishinë, oborr e roje 24 orë, kurse skaj tyre të shohësh lagje të këputura nga varfëria, me vendbanime të improvizuara e të ndërtuara njëra përmbi tjetrën. Kjo është pamje tipike e vendeve ku mbretëron padrejtësi e skajshme shoqërore – në njërën anë është një pakicë që bën jetë princërore, e në anën tjetër shumica lëngon nën shtypjen e skamjes dhe injorancës.
Beninin e vizitova para rreth një viti, në kuadër të një konference rajonale për Afrikën Perëndimore. Nikoqirët kishin rezervuar për ne hotelin më luksoz të mundshëm (disi dukej si hoteli Emerald në dalje të Prishtinës) në Kotonu (frëngjisht: Cotonou). Hoteli gjendet shumë afër plazhit, të cilin banorët e kanë pagëzuar si Plazhi Obama (Obama beach) për nder të ish-presidentit amerikan me prejardhje afrikane. Kotonu, edhe pse nuk është kryeqytet, është qyteti më i madh në Benin, si dhe qendra ekonomike dhe administrative e vendit. Po ashtu, ka dalje në Oqean, kështu që shërben edhe si port detar.
Edhe pse qendër ekonomike e administrative, në Kotonu mund të shohësh një asi lloj varfërie që vërtet të këputë dy këmbët. Të vetmet rrugë që janë të shtruara me asfalt janë ato në qendër të qytetit ku gjenden ndërtesat qeveritare, ambasadat, apo në lagjet e pasura ku jetojnë kryesisht të huajt apo klasa nuveau riche vendore, pra pasanikët e rinj. Por sapo largohesh vetëm edhe një bllok të vetëm nga qendra dhe hyn në lagjet përreth, përballesh me realitetin e errët të jetës në varfëri të skajshme. Rrugë gropa-gropa, vendbanime ilegale, shitës ambulantë, fëmijë që flenë buzë rrugës, ujëra të zeza të hapura: është një kaos i vërtetë i cili mbase ka sens vetëm nëse njeriu jeton aty dhe mësohet me atë realitet.
Aty ku më së paku e pret: surpriza me Konsullatën e Kosovës
Benini është një ndër vendet e pakta të këtij rajoni që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ambasada më e afërt e Kosovës është ajo në Senegal, e hapur para rreth dy vitesh. Ndërsa në Benin, ashtu siç mund të merret me mend, nuk është se ka ndonjë komunitet kosovarësh. Mbase mund të ketë ndonjë individ tek-tuk që punon për organizata ndërkombëtare, por jo më shumë. Kështu që është befasi mjaft e madhe kur papritmas rastis të shohësh Konsullatën e Nderit të Kosovës afër qendrës të Kotonusë!
Aty, në pjesën e shtruar me asfalt dhe përballë Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, është një shtëpi mjaft e madhe dykatëshe përmbi të cilën valon flamuri i Republikës së Kosovës. Në murin e jashtëm, pranë derës së oborrit, figuron pllaka në frëngjisht, e cila njofton se kjo është Konsullata e Nderit e Republikës së Kosovës në Benin, së bashku me stemën shtetërore kosovare. Më thonë se qiraja për këtë objekt duhet të jetë diku rreth dy mijë euro në muaj, shumë astronomike kjo për rrethanat e këtij vendi.
Nga i gjithë Bashkimi Europian, në Kotonu nuk janë më shumë se 4-5 ambasada: ajo e Francës (si trashëgimi e kolonisë), e Belgjikës (frëngjishtja si gjuhë e përbashkët), Gjermania e Holanda (për arsye interesash biznesi). Ambasada Amerikane gjendet këtu gjithashtu, afër hotelit ku qëndrojmë ne. Janë edhe disa konsullata, por jo shumë. Dhe pastaj është edhe Konsullata e Kosovës! E qartë, është Konsullatë Nderi, por sidoqoftë, çfarë është puna e saj?
Vizita ime në Konsullatë i sqaron disa nga këto pyetjet e mia, por në anën tjetër mjegullon aspekte tjera të këtij rrëfimi. Në ditën që shkoj atje, dera e jashtme e Konsullatës është e hapur. Futem brenda. Në një si paradhomë më del përpara një grua e re benineze, e cila si duket punon si sekretare aty. Kërkoj të takohem me Konsullin. Përgjigjet e saj, pak nga anglishtja e çalë, pak nga droja e pranisë sime të paparalajmëruar, janë të mangëta dhe të turbullta. Marr vesh se Konsulli nuk është aty. Me thotë të vijë nesër. Kur ia kujtoj se nesër është e shtunë, më thotë të kthehem pas gjysmë ore. Në rregull, i them, dhe dal.
Pres jashtë në rrugë dhe kthehem në ora 12:00, ashtu si u morëm vesh. Sekretarja më përshëndetë dhe më fton të ulem. Pas pak, nga një dhomë aty afër del një grua tjetër e re, po ashtu benineze, e cila duket qartë se veç sa është zgjuar nga siesta e mesditës. Asistente administrative, ndoshta. Drojë dhe pasiguri e njëjtë nga pyetjet e mia. Por në fund, pasi e siguroj se jam nga Kosova dhe se kinse u befasova këndshëm kur e pashë këtë Konsullatë, ajo e merr veten. Më informon se Konsullata ka pesë vjet që është e hapur.
Konsull i saj është një Olivier Nutsugan, gjithashtu nga Benini. «Besoj se në dy-tre muajt e ardhshëm do të fillojmë me lëshimin e vizave», më thotë. Nuk di sa është e vërtetë kjo. Edhe nëse është e vërtetë, vallë për kënd do të lëshonte viza kjo Konsullatë? Ajo po ashtu më thotë se Konsulli vjen shpesh në Kosovë. E pyes se çka saktësisht bën Konsullata dhe me çfarë punësh merret Olivier Nutsugan në kapacitetin e tij si Konsull. Në këtë pikë ajo ndalet dhe më thotë që për më shumë informata mund të flas me Konsullin tjetër herë, kur ai të jetë në zyre.
Koha nuk mjaftonte për një vizitë tjetër në Konsullatë, kështu që nuk pata mundësi ta takoja Konsullin. Por sidoqoftë, kjo Konsullatë nuk ka mundur të hapet pa aprovimin e shtetit nikoqir (Beninit), si dhe pa pëlqimin e shtetit që ajo përfaqëson (Kosovës). Fakti që mungon transparenca në anën kosovare për vendndodhjen e konsullatave të nderit si kjo në Benin, si dhe për veprimtaritë e tyre, paraqet bazë për dyshime. Kush i merr këto vendime për përfaqësi të tilla? Çfarë roli luajnë ato saktësisht? Kujt i raportojnë?
Ouidah: qyteti i lotëve dhe i vudusë
Nga Benini vjen feja vudu (voodoo), e cila, për lexuesin e rëndomtë, sigurisht se asocion në ato kukullat që shpohen me gjilpërë për t’i bërë magji personit të padëshiruar. Mirëpo këto janë skena të thjeshtësuara që mund t’i shohim në filma amerikanë, në të cilët praktikat e vudusë përmblidhen në magji të zezë. Por në fakt, ka diçka të vërtetë këtu pasi që vudu në disa vende në jug të Amerikës apo në ishujt e Karaibeve shpesh praktikohet si një përzierje në mes të fesë dhe magjisë. Ajo u soll atje nga skllevërit e këtyre anëve, duke u përçudnuar në një mishmash praktikash gjysmë fetare e gjysmë magjike. Por në Benin, krahas islamit e katolicizmit, vudu njihet zyrtarisht si fe e cila rrënjët i ka në animizëm të hershëm. Nuk ka vend që e simbolizon këtë animizëm dhe vudunë si qyteza Ouidah, e cila gjendet në perëndim të Kotonusë.
Oudiah ka dalje në Oqeanin Atlantik. Në kulmin e eksploatimit kolonialist ishte port shumë i rëndësishëm detar për rajonin e Afrikës Perëndimore. Në Ouidah gjendet edhe kisha e parë katolike, e ndërtuar nga kolonizatorët e hershëm evropianë në përpjekjet e tyre për të eksportuar religjionin në Afrikë. Dhe përballë kësaj kishe gjendet edhe Tempulli animist i gjarprit piton.
Te hyrja e Tempullit të pitonit e bëjmë pagesën simbolike dhe futemi brenda në oborr. Është një oborr i vogël, ku gjenden tri-katër ngrehina të vogla që ngjasojnë në tempuj në miniaturë, brenda të cilave rrëshqasin lirshëm një kallaballëk gjarpërinj. Besimtarët vijnë këtu dhe ofrojnë blatime në formën e kafshëve të sakrifikuara në altarin e një Perëndie animiste. Edhe druri që gjendet në këtë oborr – një dru i moçëm i cili, po të mund të fliste, do të mund të tregonte disa ndodhi interesante! – pra, edhe ky dru është objekt blatimesh nga besimtarët animistë. Trungu i tij është i mbështjellë me çarçafë të bardhë të spërkatur me gjakun e kafshëve të sakrifikuara gjatë ritualeve animiste.
Përveç që bart në vete një histori religjioze tejet intriguese, qyteza e Ouidahs ka edhe një të kaluar përplot dhimbje e lot. Ouidah, si i gjithë Benini, por në fund të fundit gati si e gjithë Afrika, u kolonizua nga eksploatuesit europianë. Në Ouidah së pari erdhën portugezët. Pas portugezëve erdhën anglezët. Pas anglezëve erdhën francezët. Dhe pa marrë parasysh se kush vinte apo kush shkonte, Oudiah mbeti një nga qendrat më të rëndësishme në Afrikën Perëndimore për grumbullimin e skllevërve nga tërë rajoni dhe dërgimin e tyre për në Botën e Re.
Me ciceronin që na shoqëron e ndjekim rrugën e skllevërve prej vendit të grumbullimit të tyre e deri te uji oqeanor. Së pari, skllevërit silleshin në sheshin e qytezës për inspektim nga administratorët europianë. Kishte skllevër nga Nigeria, Togo, Burkina Faso, Gana, Bregu i Fildishtë dhe, natyrisht, Benini. Pas inspektimit, të lidhur me pranga e zinxhirë ata dërgoheshin tutje drejt fushave afër qendrës së qytezës. Me të arritur atje, i lidhnin për drurë dhe i braktisnin pa ngrënë e pa pirë për disa ditë rresht. Kjo bëhej me qëllim që të matej qëndrueshmëria e skllevërve dhe të bëhej një spastrim i atyre që ishin fizikisht më të dobët. Kështu që disa jepnin shpirt, ndërsa një pjesë e madhe mbijetonte. Pastaj, u jepnin pak ushqim e ujë dhe i dërgonin në një fushë tjetër. Kjo fushë në të vërtetë fshihte një varr masiv dhe të zbrazët që priste ardhjen e turmës së re të skllevërve. Posa mbërrinin këtu skllevërit i hidhnin për së gjalli në atë gropë masive dhe ua mbyllnin kapakët përmbi. I mbanin aty në varr masiv, me dhjetëra e dhjetëra skllevër, për ditë e net me radhë, pa ngrënë e pa pirë. Në fund, ata që mbijetonin shkonin tutje, sepse kishin kaluar testin e qëndrueshmërisë. Ata që kishin vdekur ishin të padenjë dhe të padobishëm për jetën e mundimshme të të qenit skllav në Amerikë.
Në fund, të mbijetuarit fillonin ecjen e kalvarit drejt anijeve që prisnin në port, për t’u ngarkuar me zezakët që sapo i kishin mbijetuar një rruge tmerri vetëm e vetëm për të filluar një rrugë tjetër të tillë, ndoshta edhe më të tmerrshme. Çastet kur kolona e lidhur në pranga i afrohej ujit të oqeanit ishin ndoshta më të trishtueshmet. Kjo sepse në ato momente ata përfundimisht vetëdijesoheshin se po shkëputeshin nga toka e tyre përkundër vullnetit, po çrrënjoseshin pamëshirshëm nga dheu i tyre, nga familjet, pronat, drunjtë e lumenjtë e tyre. Nga mërzia disa çmendeshin. Të tjerët kërkonin mënyrat më kreative për të vrarë veten. Dikush mundohej të vetëtherrej me ndonjë copë hekur. Tjetërkush i kërkonte shokut që e kishte në kolonë që t’ia ngufaste me prangat e tij. Disa të tjerë, në turbullimin e dëshpërimit, mbushnin grushtet me rërën e plazhit dhe e gëlltisnin. Vetëm e vetëm që ta vrisnin veten. Vetëm e vetëm që këmba e tyre të mos braktiste tokën afrikane duke hipur në anijen që do t’i çonte drejt theqafje.
Në plazhin e sotëm të Oiudahs gjendet një memorial kushtuar këtyre viktimave të barbarizmit njerëzor. Ky vend quhet Pika e Pakthim (Point of no Return) sepse për njerëzit këtu, kjo pikë, e tillë ishte, e pakthim, pergatiti Tema.