Nga Mirdit Toska
Në një shkrim të titulluar “Përse nuk ka parti euro-skeptike në Shqipëri?” për javanews.al, drejtuesja e emisionit “Tonight” analistja dhe gazetarja e shquar Ilva Tare analizon një paradoks themelor të politikës shqiptare. Paradoksi është procesi i zvarritjes së anëtarësimit të shtetit shqiptar në BE nga ana e Bashkimit Europian në një anë, dhe ai i mungesës së formacionit politik apo të ndonjë grupimi intelektualësh, sipas Tare, të cilët janë kritikë të BE aq sa të mund të karakterizohen si euroskeptikë nga ana tjetër. Pse e kemi këtë paradoks? Sipas Tare,
“Populizmi në rritje në disa prej vendeve themeluese të Bashkimit Europian, Brexit dhe parti të ekstremit të djathtë që akuzojnë Brukselin se po përdor qytetarët europianë për interesat e ngushta të një grupi të vogël të elitës është një rrezik që merret seriozisht nga qarqet akademike dhe politikë në Europën e sotme. Porse në Shqipëri, ekstremistë të tillë me teza të qarta anti-europiane nuk janë artikuluar ende publikisht dhe shpjegimi më i mundshëm është padobia për ta thënë me fjalë atë që ata kanë bërë me vepra. Ligjërimi politik i partive kryesore në vend në këto dy dekada e gjysmë ka qenë integrimi europian, realizimi I ëndrrës për t’u bashkuar me Europën dhe standardet e saj.”
Megjithatë, Tare insiston se edhe pse nuk ka euroskeptike, ne Shqipëri ka antieuropiane. Dhe keta antieuropianë gjenden ne radhet e parisë së Tiranës. Antieuropianizmi shihet në sjelljen e qeverive ndaj shtetit ligjor, institucioneve të pavarura, votës së lirë, përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje. Në Shqipëri, thotë Tare, “nuk ka euro-skeptikë, por ka politikanë dhe parti që janë armiqësore me vlerat europiane dhe shtetin e së drejtës, një shtet në të cilin mbizotëron ndëshkueshmëria dhe një gjyqësor i barabartë për të gjithë. ” ky eshte shteti që ne shqiptarët nuk e kemi sepse kjo nuk i ka interesuar asaj parie, ne radhet e te ciles, zonja Tare po kerkon euroskeptiket.
Analiza e znj. Tare është shumë e kohës sepse ajo me mprehtesi po reagon ndaj zhvillimeve të mundshme te aferta në marrëdhënien Shqipëri-BE. Megjithatë, analiza e saj nuk e ka qartësinë e duhur lidhur me vetë problemin e integrimit dhe si perceptohet ai nga shqiptarët. Këtu duhen përmendur të paktën katër probleme.
Së pari, është e vërtetë që nuk ka një parti politike serioze që e konsideron përpjekjen e integrimit në BE jo të dobishme për shqiptarët. Sepse në Tiranë politika nuk bëhet për njerëzit por për parinë. Dhe paria e ka arritur integrimin që i duhet. Kanë pronat, fëmijët, investimet e me radhë në Be dhe shkojnë e vijnë si të duan. Integrimi është karamelja që iu hidhet shqiptarëve. Be për ta është kamardarja e shpëtimit kur të plasë lufta civile. Prandaj, paria nuk kanë se si me kenë skeptikë. Gjithsesi ata janë të fituar.
Së dyti, megjithatë, në Shqipëri, elementë që nuk pajtohen me ketë përpjekje dhe që e konsiderojnë ose të gabuar, ose një mashtrim i hapur e të qëllimtë politik. Megjithëse nuk ka nevojë të jetë e personalizuar në njerëz, ka një ideologji kombëtariste që synon krijimin e një shteti kombëtar shqiptar, dhe që e sheh integrimin europian si një hap të mëpastajshëm, në interes të atij shteti. Edhe pse e jo shumë e artikuluar në rrethet e parisë së Tiranës, kjo ideologji ose ky system vlerash është i ndjeshëm tek shqiptarët. Ndjeshmëria është shtuar nga refuzimet e përhershme të BE, që e shtyjnë anëtarësimin në kalendat greke.
Së treti e lidhur me këtë janë edhe një grup intelektualësh shqiptarë, ndër ta edhe redaksia e Bleta Shqiptare, dhe mund të përmenden Shinasi Rama, Grid Rroji, Valbona Karanxha, dhe të tjerë, që me shkrimet dhe me analizat e tyre kanë argumentuar e provuar se proceset e integrimit europian janë një mashtrim i madh në të cilin paria e Tiranës dhe BE bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Të gjithë këta e dinë se po luajnë një lojë të ndyrë me shqiptarët, se ne nuk e kemi vendin ne BE dhe se Be nuk do të meret me ne përvecse si me afrikanët. Pra, integrimi është një lojë. Është një lojë që luhet me rregulla dhe që nuk mbaron asnjëherë sepse nuk do të ketë pranim të mirëfilltë. Që nuk përmenden shkrime dhe analiza të tilla, ëhstë një shenjë se paria dëgjon vetëm daullen e vet dhe kjo tregon shumë për nivelin e saj, interesat de qëllimet politike. Shkurt, gjërat janë thënë, janë interpretuar si duhet, mirëpo njerëzit duhet të lexojnë pak më shumë dhe të lexojnë ato gjëra që duhen lexuar.
Së katërti, zonja Tare nuk thotë se edhe shqiptarët e dinë shumë mirë se ky është një mashtrim i thellë dhe të cilit i ka dalë boja. Shqiptarët nuk kanë qënë, nuk janë e nuk i dihet a do të jenë ndonjëherë europianë. Një komb që vjen nga perandoria osmane, me shumicë muslimane, dhe me mendësi e vlera që kanë pak gjëra të përbashkëta me europën, për shumë europianë është njëlloj si të futet një pjesë e Sirisë në Europë. Shqiptarët nuk pyesin më për integrimin europian. Atë integrim që duan, njerëzit e kanë arritur në strukturat e nëndheshme dhe mafioze, me drogën dhe krimin, kontrabandën dhe trafiqet. Gjithashtu e kanë arritur përmes bashkimit të familjeve, azilantëve, ikjes masive dhe shkretimit të shtetit shqiptar.
Prandaj, paradoksi i shtruar nga zonja Ilva Tare është i dukshëm, por sic shihet nga komenti më lart, edhe jo i mirëinformuar dhe jo i shtruar si duhet. Në fakt është i shtruar shumë gabim dhe me tendenciozitet sepse ashtu iu intereson ne Tirane. Integrimi nuk është më cështje anti-europianizmi apo euroskepticizmi në Tiranë. Integrimi ishte karamelja e mashtrimit dhe tani këtë e dinë të gjithë. Kjo lojë është luajtur për kaq shumë vjet, kot e më kot, me shpenzime shumë të mëdha për shtetin shqiptar dhe ka qënë mbuloja për mashtrimin e parisë që është pasuruar dhe ka sunduar relativisht e qetë, duke e tundur integrimin tek hunda e shqiptarëve. Ajo nuk ka dhënë asnjë rezultat, dhe nuk do të japë asnjë rezultat. Vetë paria jonë joshqiptare dhe shumëetnike nuk e ka seriozisht, sepse ata i kanë zgjidhur punët e tyre me Europën dhe nuk pyesin për shqiptarët. Një nga mënyrat se si i zgjidhin punët është edhe me kenë shërbëtorë të bindur të të huajve dhe thonë si majmunët cka duhet me thanë. Prandaj nuk ka se si me kenë paria e Tiranë, apo ndonjë parti e saj me euroskeptikë.
Problemi është problem prioritetesh. Tashmë integrimi në Europë, ne shqiptarëve as nuk na prish, as nuk na rregullon punë. Prioriteti i jonë është të ndërtojmë shtetin që na duhet. Paria jenicere, martalloze dhe segmentet bashibozuke të saj janë armiku i shqiptarëve dhe i integrimit të tyre. Pa u integruar shqiptarët në vetvete, vetë e në një komb, nuk do të ketë kurrë zgjidhje që duhet për ta as në marrëdhënien me BE.
Tani ka ardhur koha që shqiptarët të organizohen e të pyesin për veten e tyre si komb dhe të bëjnë shtetin që iu duhet. Më mirë vonë se kurrë. Kur shqiptarët të jenë të mirëorganizuar dhe të faktorizuar si duhet e si komb, atëherë do të vijë vetë BE e të kërkojë që të anëtarësohemi. Dhe këtë, e shumë më shumë e kemi thënë vazhdimisht në komentet, analizat e shkrimet si tonat ashtu edhe të kolegëve që koha i ka provuar të sakta. Ndoshta në Tiranë nuk ka parti me euroskeptikë, por ka zhgënjim të thellë në popull, alternativa politike dhe ideologjike, zgjidhje të gjetura nga njerëzit dhe heshtje nga ana e parisë. Dhe paradoksi është se pse flasim për integrimin europian, euroatlantik, ballkanik apo arktik, kur më se pari e me forcë duhej të flitej për ndërtimin e shtet-kombit shqiptar.
Më poshtë shkrimi i Ilva Tares, me titull: Përse nuk ka parti euro-skeptike në Shqipëri?
Edhe pse shqiptarët mbeten populli që reflekton një vullnet të palëkundur për anëtarësim në Bashkimin Europian, partitë politike në vend kanë qenë përcaktuese në vonesën e panatyrshme dhe ndoshta të qëllimshme të europianizimit të Shqipërisë. Përkundër hapave të shpejtë që kanë bërë vende të tjera të Ballkanit me një të kaluar problematike konfliktesh dhe ndarjesh etnike, Shqipëria ka mbetur bashkë me Bosnjen dhe Kosovën e fundit në grupin e vendeve që nuk kanë filluar ende negociatat.
Shkaqet që I kanë mbajtur shqiptarët në një marrëdhënie të ndryshme nga serbët, malazezët apo maqedonasit me BE janë të ndryshme dhe të debatueshme. Politikanët shqiptarë kanë akuzuar shpesh Brukselin se përdor dy standarde në vlerësimet e tij mbi kriteret dhe përmbueshmërinë e tyre. Por asnjëherë deri më sot asnjë formacion politik apo grupim intelektualësh nuk kanë artikuluar tezat e euroskeptikëve, të cilët janë kritikë dhe kundërshtarë të fortë të Bashkimit Europian.
Historikisht, burimi kryesor I fyrmëzimeve të Nigel Farage në Britaninë e Madhe apo ekstremistëve të tjerë të përfaqësuar në Parlamentin Europian në grupimin Europa e Lirisë dhe Demokracisë Direkte, ka qenë argumenti se integrimi dobëson shtetin-komb dhe se Bruskeli është I ngadaltë dhe shumë buroktratik.
Populizmi në rritje në disa prej vendeve thelemuese të Bashkimit Europian, Brexit dhe parti të ekstremit të djathtë që akuzojnë Brukselin se po përdor qytetarët europianë për interesat e ngushta të një grupi të vogël të elitës është një rrezik që merret seriozisht nga qarqet akademike dhe politikë në Europën e sotme.
Porse në Shqipëri, ekstremistë të tillë me teza të qarta anti-europiane nuk janë artikuluar ende publikisht dhe shpjegimi më I mundëshm është padobia për t’a thënë me fjalë atë që ata kanë bërë me vepra. Ligjërimi politik I partive kryesore në vend në këto dy dekada e gjysëm ka qenë integrimi europian, realizimi I ëndrrës për t’u bashkuar me Europën dhe standardet e saj.
Kjo ka qenë dukja dhe qëllimi shpallur. Ndërsa sjellja e qeverive ndaj shtetit ligjor, institucioneve të pavarura, votës së lirë, përfshirjes së qytetarëve në vendimmarje është tregues i anti europianizimit si filozofi dhe si shpëtim ndaj korrupsionit të pandëshkuar dhe abuzimit me pushtetin. Ndaj, në Shqipëri nuk ka euro-skeptikë por ka politikanë dhe parti që janë armiqësore me vlerat europiane dhe shtetin e së drejtës ku mbizotëron ndëshkueshmëria dhe një gjyqësor I barabartë për të gjithë.