Gjatë kuvendit ditën e sotme Lulzim Basha ka shprehur se do kthejë një orë e më parë vendin në shinat e demokracisë dhe për të ta zhdukur Ramën së bashku me llumin e tranzicionit 30-vjeçar aty ku e ka vendin. Kjo gjë bëhet vetëm duke u mobilizuar të gjithë shqiptarët që të shkulin pengesën 8-vjeçare që e quan një lemeri.
Gjithashtu Basha është shprehur se Rama bën shumë mirë që i ndjek ngjarjet brenda familjes së PD-së më shumë kërshëri, por askënd që ka bërë hesape të vendosë interesat personale mbi interesat e shqiptarëve, nuk e pret një fund i ndryshëm nga ai që i rezervon çdo shoqëri në çdo komb që ka vendosur të ecë përpara.
“Ti ke 8 vite që nuk e dije se çfarë është programi, por jemi këtu për të bërë detyrën tonë, për të kthyer një orë e më parë vendin në shinat e demokracisë dhe legjimitetit dhe për të të çuar ty bashkë me llumin e tranzicionit 30-vjeçar aty ku e ke vendin. Së pari jashtë kësaj salle, e pastaj kur t’i rriten kicat SPAK-ut që mesa duket ka nevojë për më shumë steroide nga vendi i Pfizer dhe nga vendet e AstraZeneca-s e të Modernës, por jo të Sinovac dhe Sputnik sepse do na ngrejë satelitë zotëria jote, pastaj dhe vendin tjetër do e tregojë pushteti i tretë i cili për momentin duket se e ke vënë nën gju dhe e kontrollon.
Bën mirë që i ndjek ngjarjet brenda familjes tonë politike me kaq kërshëri, mëso, por shiko deri në fund se as ty, askënd tjetër që ka bërë hesap të vendosë interesat personale mbi interesat e shqiptarëve nuk i pret në një fund i ndryshëm nga ai që i rezervon çdo shoqëri në çdo komb që ka vendosur të ecë përpara. Po të them që Partia Demokratike do ecë përpara dhe të udhëheqë përpara shqiptarët drejt ndryshimit që meritojnë dhe kjo rrugë mund të bëhet vetëm duke mobilizuar të gjithë shqiptarët që pikë së pari të heqim, shkulim, çmontojmë dhe gërryejmë pengesën 8-vjeçare që je ti dhe lemeria jote që e quan qeveri”, është shprehur Lulzim Basha.
Rama-Bashës: Kur të kalosh tek origjinali atëherë mund të bëhesh gati për bashkëqeverisje
Gjatë replikave që ka pasur në parlament me kryetarin e PD, Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar që të qëndrojë origjinal pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet gati për bashkëqeverisje. Ai i ka bërë thirrje që të mos shajë në Kuvend, por të bëjë debat mbi ide dhe argumente.
“Nëse do debat idesh dhe debat argumentesh, debat opinionesh, interpretimesh të ndryshme faktesh urdhëro bujrum, nëse vjen këtu dhe i jep gojës si ai tjetri mos u anko nëse të vjen foltorja në bisedë. Nëse vjen këtu dhe lëshon të shara sikur akoma nuk e di nëse je në gjumë apo realitet edhe ke një jerm erotik që e shfryn këtu atëherë nuk ta kemi ne faj. Dil këtu sillu mirë, thuaji të gjitha çfarë ke për të thënë, por mos hy në garë kush më shan më shumë mua. Unë e shoh që kjo garë ka filluar mes teje dhe ustait. Mos i hyj kësaj maloreje sepse për të shara nuk e konkurron njeri ustain tënd. Është sharësi dhe shpifësi më i madh që ka jetuar ndonjëherë në tokën shqiptare. Kështu që je shumë majolik për të bërë atë lloj vendi të jashtëderdhjes. Mbaju majolik, bëj debat dhe thuaj ça të duash. Mos hyj në këto histori jo klinika, jo diagnoza, prindërit jo këto se je dobët shumë para tij. Ai është origjinali, ti je kopja. Kur të kalosh nga kopja te origjinali, nëse ti ke ndonjë origjinal brenda se nuk ta kemi kuptuar, atëherë kushedi dro mund të bëhesh gati për bashkëqeverisje”, tha Rama.
Rama-Bashës: Për jermin erotik që ke nuk ta kemi fajin ne
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa replika me kryetarin e opozitës Lulzim Basha këtë të enjte. Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje Bashës që të zhvillojë debate idesh dhe jo të shajë në Kuvend. “Nëse vjen këtu dhe lëshon të shara sikur akoma nuk e di nëse je në gjumë apo realitet edhe ke një jerm erotik që e shfryn këtu atëherë nuk ta kemi ne fajin”, i tha ndër të tjera Rama, Bashës. Po ashtu ai i bëri thirrje që të mos imitojë Sali Berishën dhe të jetë origjinal pasi vetëm në këto formë mund të jetë gati për bashkëqeverisje.
“Nëse do debat idesh dhe debat argumentesh, debat opinionesh, interpretimesh të ndryshme faktesh urdhëro bujrum, nëse vjen këtu dhe i jep gojës si ai tjetri mos u anko nëse të vjen foltorja në bisedë. Nëse vjen këtu dhe lëshon të shara sikur akoma nuk e di nëse je në gjumë apo realitet edhe ke një jerm erotik që e shfryn këtu atëherë nuk ta kemi ne faj. Dil këtu sillu mirë, thuaji të gjitha çfarë ke për të thënë, por mos hy në garë kush më shan më shumë mua. Unë e shoh që kjo garë ka filluar mes teje dhe ustait. Mos i hyj kësaj maloreje sepse për të shara nuk e konkurron njeri ustain tënd. Është sharësi dhe shpifësi më i madh që ka jetuar ndonjëherë në tokën shqiptare. Kështu që je shumë majolik për të bërë atë lloj vendi të jashtëderdhjes. Mbaju majolik, bëj debat dhe thuaj ça të duash. Mos hyj në këto historira jo klinika jo diagnoza, prindërit jo këto se je dobët shumë para tij. Kur të kalosh nga kopja te origjinali atëherë kushedi dro mund të behesh gati për bashkëqeverisje”, tha Rama.
Basha: Nuk pështyj mbi 16 vite bashkëpunimi me Sali Berishën
Lulzim Basha tha këtë të enjte se nuk pështynte mbi 16 vitet e bashkëpunimit dhe partneritetit me Sali Berishën. Komentet i bëri gjatë replikave që pati me kryeministrin Edi Rama në sallën e Kuvendit.
“Padiskutim jemi të pakrahasueshëm. Më i keqi dhe më hajduti i qeverisjes tonë, i cili meqë ra fjala s’ke arritur të çosh asnjë para prokurorisë nuk krahasohet me më të mirin tuaj. Megjithatë ne e kemi nisur dhe do ta çojmë në fund pastrimin tonë. Unë nuk pështyj mbi 16 vite bashkëpunimi dhe partneriteti me Sali Berishën. Nuk pështyj. Si kundër nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e procesit që kaq shumë të pëlqen ty, të eksiton ndoshta në çdo sens, të përballtjes, të llumit, të gënjeshtrave, të rrenave. Sigurisht vetëdijësohem për gabimet tona, për këto 16 vite dhe për këto 30 vite si PD.
“Pyes veten time, çfarë duhet të bëj që PD të bëhet sërish valvula dhe zemra e shpresës, jo thjeshtë për demokratët, por të paktën për ata 63 përqind të shqiptarëve që nga votuan në 92-n dhe e di që ka një rrugë për të shkuar atje dhe ajo rrugë ka nisur, fatkeqësisht për ty ajo rrugë të merr dhe ty tatëposhtë. Dhe nuk ka fuqi mbi tokë të të ndalë. Me sjelljen blasfemuese dhe mungesën totale të dijes e jo të respektit që ke për fenë, nuk ka Zot që të shpëton”.
Basha-Ramës: Foltorja nuk është halli im, bëhu gati edhe ti për foltore
Foltorja e ish-Kryeministrit Sali Berisha ishte në qendër replikash këtë të enjte në sallën e Kuvendit mes Kryeminsitrit Edi Rama dhe Kryedemokratit Lulzim Basha. Ky i fundit tha se Foltorja nuk ishte halli i tij, por i Ramës.
“Sa herë e përmende foltoren këtu? 10 herë? Foltorja nuk është halli im, është halli jot. Foltorja është ding-dongu, bëhu gati edhe ti për Foltore. Sepse nuk ka foltore të të shpëtojë ty. Unë kam guximin të të them në atë komision të inceneratorëve do të hetohen të gjithë, edhe llumi e të korruptuarit e qeverisjes tonë.
“Ti që thua moratorium heshtje, që guxon të më përmendësh mua heshtjen, ti more, përse s’i arrestove ata 8 vjet, pse s’i çove në prokurori, pse s’i dënove? A më fal, sepse i ke ortakë, nga Elbasani në Shijak. Apo se ta ka qejfi greposh e ti gradosh për t’i hedhur kundër opozitës. Lojë e vjetër Ed Rama. Mund ta luaje 4 vitet e para se me të vërtetë isha i ri dhe si kisha mësuar truket e tua. Llumi i tranzicionit është 1 dhe vetëm 1, pavarësisht nëse buron nga një parti apo një tjetër.
Pavarësisht se drekon apo darkon me të njëjtën oligarkë apo aktorë të krimit të organizuar dhe përpiqet të influencojë opinionin publik përmes ekraneve të kapura. Është i njëjti llum dhe ka të njëjtat interesa, i bashkojnë të njëjtat gjëra, status quo-ja. Dhe status quo-ja. Flisni për saletitë ndërkohë që njerëzit nuk kanë bukë për të ngrënë”.
Edi Rama: Vitin tjetër çojmë në hapësirë satelitët, Albania 1 dhe Albania 2
Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij gjatë Kuvendit ka treguar se ai do çojë satelitë në orbitë dhe kjo nuk do ndodhë në mandatin tjetër, por vitin tjetër. Kjo për të kontrolluar territorin, kufijtë dhe i gjithë kontrolli të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy.
“Do blejmë drona, do çojmë dhe satelitë në orbitë. Qeshni, kur të shikoni satelitët Shqipëria në orbitë dhe jo në mandatin tjetër, vitin tjetër, Albania 1, Albania 2, në orbitë. Do t’i çojmë dhe ato sepse për ne ky vend nuk është tokë e xanun dhe zhvillimi nuk është që 7 mrekullitë pati bota dhe 8-ën na e sollët ju siç tha ai i foltores bëtë të mundur ndërtimin e parë pa leje të një qyteti të tërë. Kjo ka qenë pretendim për t’u futur si mrekullia e 8 e botës.
Na keni lënë një situatë që do kohë e durim për të pastruar këtu, për të pastruar atje, por ne shohim shumë larg. Po ju them prapë, jo vetëm dronat, dronat po e po, por edhe satelitët në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, kontrolli mbi kufijtë, kontrolli mbi gjithçka të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duar e atyre që kontrollojnë me sy që në atë pikë nuk është se dallojnë shumë me njëri-tjetrin.
Kur vjen puna inspektorët aty me virus janë edhe ata që kishit ju edhe ata që kemi pasur ne, ata kanë virusin nuk diskutohet. Sa më shumë t’i heqim atyre kontrollin e jetës së bizneseve, e jetës së vendit aq më mirë do jetë. Prandaj sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell dhe do i kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot për herë të parë jeni në kushtet ku qeshni se nuk qani dot, prapë ju vazhdoni qeshni, nuk ka problem”, është shprehur Rama.
Rama-opozitës: Harrojeni Komisionin Hetimor “Becchetti”, po mbroni për politikë një të kërkuar
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në parlament se Komisioni Hetimor për Becchetti-n nuk ka për t’u ngritur. Kjo pasi sipas tij, raporti të cilit i referohet opozita mbrohet nga konfidencialiteti dhe nëse publikohet dëmtohen interesat e Shqipërisë.
“Kjo që bëni u konsiderohet vepër penale sepse sipas Gjykatës, bërja publike e të dhënave konfidenciale me qëllim krijimin e panikut dhe dëmtimin e interesave të vendit për një çështje në proces, vendimi i cituar i referohet një vendimi konfidencial jo sipas nesh, por sipas gjykatës. Sesi u njoh në Prill opinioni nga një burim që mbulohet me konfidencialitet i akorduar nga gjykata ndërkombëtare, këtë e dini ju. Nuk e them për t’ju trembur, por përse nuk bëhet ky komision. Ju nuk shpjegoni burimin zyrtar publik. Ku është? Burimi zyrtar është gjykata. As në Prill 2021 dhe as sot, vendimi konfidencial.
E para është një proces penal në prokurorinë e Tiranës, në gjykim prej disa kohësh, ku pritet të thirren për të dëshmuar, dëshmitarë që prej disa muajsh kanë pasur vështirësi që të lokalizohen. Ky person që ju keni dalë edhe e mbroni është në kërkim. Ky person është në kërkim dhe e mbroni këtë njeriun në kërkim për të bërë politikë. Dhe harroni që gjithë këto detyrime të vendosura nga të tjerë jo nga ne janë detyrime për Republikën e Shqipërisë. Ju jeni qytetarë, jeni votues, jeni dhe humbësa në Republikën e Shqipërisë. Republika e Shqipërisë është një, pavarësisht se ju donit të ngrinit një Republikë të re. Janë dy vendime në arbitrazh.
Ju doni që ta fusni hallin tuaj në një histori që është histori e Republikës së Shqipërisë me një të kërkuar duke përhapur një dokument që është i mbuluar nga konfidencialiteti. Duke shpifur që shteti shqiptar ka filluar të paguajë, krejtësisht i pavërtetë. Jo vetëm që doni një komision që shkel parimet kushtetuese, por përtej këtyre dëmton interesat e Shqipërisë. Po jua rikujtoj konfidencialitetin për këto vendime është detyrues për Shqipërinë. Komisionin në fjalë duhet ta harroni se komisioni në fjalë nuk bëhet”, tha Rama.
Rama-Bashës: Të kam konsideruar e të konsideroj mik, mos u bëj…
Kryeministri Edi Rama ripërsëriti këshillën drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha, që të mos imitojë ish-kryeministrin Sali Berisha. Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë i tha Bashës se “nuk mundet dot që të bëhesh ti goja më e shthurur e këtij parlamenti. Për mua si një njeri që të kam konsideruar dhe të konsideroj mik është fyese.”
“Lulzim ta kam thënë që hallexhinjve nuk u shtoj hallet. Je hallexhi sot. Unë po të ndjek dhe më vonë kemi kohë prapë. Zgjidh hallet e tua por mos bëj një gabim që të hysh në garë me atë të foltores duke e bërë gojën qenef. Në këtë fushë ai është më i mirë se ty se është origjinal. Për qenef është qenefi i Shqipërisë Mosj bëj konkurrencë qenef me qenef.
Unë nuk përzihem, duke pasur edhe një dobësi, mbase çështje moshe, thjesht i përsëris atë që ia kam thënë personalisht dhe publikisht. Mos imito atë se si ai nuk bëhesh dot dhe mos u bëfsh. Je dalluar që i fsheh mirë ato që mendon, por të paktën jo me gojë. Nuk mundet dot që të bëhesh ti goja më e shthurur e këtij parlamenti. Për mua si një njeri që të kam konsideruar dhe të konsideroj mik është fyese./tvklan.al
Kriza energjetike, Rama: Është e tillë që mund të jesh i gatshëm të paguash, por mos e gjesh sasinë e kërkuar
Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama tha se fakti që çmimi i energjisë nuk u rrit, nuk do të thotë se nuk ka krizë. Madje ai u shpreh kriza është e tilla sa edhe vende që mund të jenë të gatshme të paguajnë më shumë, mund të mos e gjejnë sasinë e energjisë që kërkojnë.
Deklaratat, Rama i bëri në kundërpërgjigje të akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha.
“Më tutje përsërite këtu prapë sepse është e njëjta gjë që bën që kur ke hyrë këtu si kryetar i opozitës. Përsërit të njëjtën gjë duke shpresuar një rezultat tjetër dhe merr të njëjtën rezultat. Sot përsërite duke i dhënë shqiptarëve që kemi vajtur të marrim 200 mln borxh kur para një jave u the që po rritet çmimi i energjisë. Ashtu siç i the sot që ka dalë tellalli të lajmërojë një krizë që nuk ekziston. Kosovë, Maqedoni e Veriut, etj, në të gjithë botën deri në Amerikë çmimet janë rritur. Gjithë bota flet për një krizë që është globale, dhe jo lokale. Është e të gjithëve. Është detyra ime, t’ju flas hapur njerëzve dhe sidomos kur vendi duhet të përballet me një krizë të kësaj natyre.
“Çmimi për konsumatorët familjarë dhe as për të tjerët hë për hë, nuk u rrit. Çfarë do të thotë kjo, që nuk ka krizë? Jo. Ka krizë dhe madje ka një krizë të atillë dhe këtu jemi, do ta shikoni në ditët në vijim, që jo vetëm çmimi i energjisë është rritur eksponencialisht, por problemi me të cilin po përballen vendet është mungesa e ofertës në raport me kërkesën, që do të thotë që mund jesh i gatshëm të paguash edhe më shumë, por mund të mos e gjesh sasinë e kërkuar. Ato 200 mln nuk janë borxh, por instrument garancie sovrane për të ndihmuar shqiptarët. Ne së shpejti do të bëjmë një konsultim kombëtar me shqiptarët se kush do ta mbajë barrën dhe si do shpërndahet barra e kësaj krize”, tha Rama.
“Një burrë në pikë të hallit…”, Rama-Bashës: Mos imito atë të Foltores se dukesh si personazh i qajtores
Fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Edi Rama e nisi me disa fjalë drejtuar Lulzim Bashës. Rama i këshilloi kryedemokratit që të mos imitojë ish-Kryeministrin Sali Berisha, pasi sipas tij, “sa më shumë klith si ai i Foltores aq më shumë dukesh personazh i qajtores”.
“Së pari, një shprehje keqardhje për atë logorenë në vend të mirmëngjesit pas ardhjes i fundit këtu zoti Lulzim dhe ta kam thënë disa herë publikisht, por ta kam thënë dhe personalisht, mos imito atë të foltores sepse origjinali është gjithmonë më i besueshëm se kopja dhe sa më shumë klith si ai i foltores aq më shumë dukesh personazh i qajtores”.
“Dhe një burrë që vë kujën me fjalë të cilat si prind pa diskutim u thua përditë fëmijëve të tu që nuk përdoren asnjëherë dhe e bën këtë në mes të 139 burrave e grave të tjera dhe në sy të kushedi se sa të tjerëve që na ndjekin është një burrë në pikë të hallit. Megjithatë hallin që ke, sado ta qajmë nuk ta zgjidhim dot”.
Basha: Kallëzim në SPAK për energjinë. Plani i qeverisë ishte një borxh i ri
Teksa në parlament diskutohet dekreti për menaxhimin e sistemit buxhetor, Lulzim Basha ka paralajmëruar se ditën e nesërme selia blu do të dërgojë në SPAK një kallëzim penal për krizën energjetike. Kreu i demokratëve tha se plani i propozuar nga qeveria për mbrojtjen nga kriza energjitike është një borxh i ri që i ngarkohet qytetarëve.
“Pak ditë më parë tellalli i të keqes njohu shqiptarët me një krizë që do të godiste vendin, me pasoja të rëndë për ekonominë dhe jetët e qytetarëve, të ngjashme me ato të tërmetit apo pandemisë. Por, pakkush e besoi. Në vijim të strategjisë së tij, nxori një plan për të zgjidhur këtë krizë, ku ajo që ra menjëherë në sy ishte borxhi i ri me të cilin do të ngarkojë edhe më shumë qytetarët, edhe më shumë borxhin e lartë publik, një borxh prej 200 milionë eurosh Dhe kur u përmend kjo shifër e lartë që do të vendoset në dispozicion të OSHEE, si mëlçitë që i varen në qafë ujkut, të gjithë kuptuan se gjuha e Ramës shkoi aty ku i dhimbte dhembi, te paratë që mungonin. Jo për shkak të qytetarëve, që kanë paguar dhe paguajnë qindarkë pas qindarke energjinë e shtrenjtuar, por për shkak të shpartallimit që korrupsioni dhe keqmenaxhimi kanë shkaktuar në sektorin e energjisë.
Tendera luksi, kompani konsulence që mbushin xhepat në mënyrë korruptive, klientelizëm dhe punësime politike në administratat përkatëse të KESH dhe OSHEE, që përdorën politikën e tokës së djegur edhe për shkak të zgjedhjeve, ku paratë e dala nga këto institucione shërbyen për të kalcifikuar një pushtet të paligjshëm. Natyrisht të bëra bashkë me dritëshkutrtësinë menaxhimin skandaloz të eksporteve, fitimet e të cilave avulluan edhe pse kambanat e rritjes së çmimeve kishin rënë prej marsit, por atë kohë merreshin me fushatë jo me planifikim. Duke shkurtuar në korrik dhe gusht rezervave ujore, në atë që ekspertët cilësojnë si viti më i mirë historik, hapën një pjesë të madhe të gropës që do të mbyllet duke marrë borxh.
Të gjitha këto shpërdorime, duhet të hetohen me përparësi, ndaj edhe ne do të depozitojmë nesër kallzimin penal në SPAK. Sepse korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë nuk duhet ta paguajnë qytetarët, por ata që abuzuan dhe abuzojnë me djersën e tyre. Sigurisht kjo është vetëm një pjesë e krizës së korrupsionit që ka kapur vendin tone. Borxhi që u mor do të vihet në dispozicion të OSHEE. Plani i prezantuar për krizën ishte një borxh i ri. Të gjitha këto shpërdorime duhet të hetohen me përparësi. Në mungesë dhe memësir të SPAK çilimkuqit do të depozitojmë nesër kallëzimit penal për t’ia vënë përpara fytyrës ato që sot duhet t’i kishin subjekt hetimi për shkak të detyrës dhe fakteve që janë bërë publike. Korrupsionin nuk duhet ta paguajnë qytetarët por ata që abuzojnë me djersën e tyre. Kjo është vetëm një pjesë e krizës së korrupsionit.
Sepse përtej sektorit energjitik, ajo që po ndodh me ekonominë dhe financat publike është po aq e rëndë dhe pasqyrohet në jetët e përditshme të qytetarëve, të cilët e ndjejnë se si fatura e korrupsionit po pengon zhvillimin e vendit, në qëndrimet e Partisë Demokratike, por edhe në ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që dy ditë më parë e bën rezil modelin ekonomik të kësaj pakice. Duke vënë në shënjestër PPP-të, që pritet të arrijnë shifren marrëmendëse të 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, cka tregon se ajo që shqiptarët paguajnë nga taksat e tyre, shkon në një masë të madhe për projektet e klientëve të kësaj qeverie. Pasoja është e qartë. Një broxh publik jashtë kontrollit, që ia lidh duart qeverisë për të vepruar në ndihmë të qytetarëve dhe sipërmarrjeve, pasi prioritete të saj ka oligarkët me të cilën ndan pushtetin dhe buxhetin e shtetit. Prandaj, nën shtrëngimin e zgjidhjeve korruptive që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë, sot nuk kanë asnjë masë për të mbrojtur familjet shqiptare dhe ekonomin e tyre, që fatkeqësisht do të përkeqësohet në ditët dhe muajt në vazhdim. Sepse përvec borxhit që do të marrin, deklaruan vetëm që nuk do të ketë ndërprerje energjie dhe nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë, një çmim që në fakt është i lartë, sepse ishin po këta që e rritën për familjet dhe biznesin e vogël”, tha Basha.
Debati i fortë, Basha: Pusho mor ti plehrë, u bëre ti të bësh moral. Shalsi: Trashja jote e zërit mund të trembë ndonjë laraskë, por…
Debate me tone të forta dhe të ashpra janë shënuar gjatë seancës së sotme plenare, teksa në foltore ishte ngritur për të folur deputeti socialist Eduard Shalsi. Deputeti po i bënte thirrje opozitës që të jenë të duruar.
“Për çfarë, kush ju ka penguar? Nuk ka ndërmend t’ju pengojë njeri. Kështu siç jeni duke u sjellë keni një zakon të tmerrshëm. Ky padurimi për të reaguar teksa tjetri flet. Është çështje edukate, çështje durimi. Nëse nuk do të jeni të duruar të dëgjoni nuk do të mësoni kurrë dhe ndaj jeni katandisur kështu”, tha Shalsi.
Por menjëherë pas kësaj fjalie ka nisur një debat me tone të forta dhe të ashpra nga ana e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Ai i është drejtuar Shalsit me fjalët “plehrë”, “fundërrinë”, “hajdut” etj.
Lulzim Basha: Pusho mor ti, po flet për katandisje ti. Plehrë. Kujt i flet kështu ti more.
Eduart Shalsi: Shihe shembulli.
Lulzim Basha: Maskara. U bëre ti të bësh moral, hajdut. Gjysma këtu duhet të jeni në burg, fundërrinë. Mos m’u drejto mua ashtu ti, fundërrinë. Ta jap unë kontekstin ty dhe të tjerëve këtu, more vesh. Edhe të tjerëve.
Eduard Shalsi: Nuk e ke kuptuar kurrë sa i dobët je.
Lulzim Basha: Ta tregoj unë dobësinë time ty mos ki merak.
Eduard Shalsi: Trashja jote e zërit dhe të bërit si i fortë mund të trembë ndonjë laraskë rreth teje, por jo. Përveçse më bën për të qeshur me këtë mënyrën tënde të bërit të fortit mos na shpërqendro kemi diskutim.
Lulzim Basha: Mbaro fjalën aty, boll bëre dërr-dërr-dërr. S’do dëgjojmë dënglat e tua.
Eduard Shalsi: Ndjej keqardhje të jashtëzakonshme të them të drejtën dhe të pafuqishëm për të debatuar mbi ide, dhe këto epitetet që i vure, në fakt nuk mi drejton mua por vetes tënde.
Lulzim Basha: O kokë tul, o mendje prishur, o fatkeqësi. Koha juaj ka filluar të mbarojë, e dini juve fare mirë.
Eduard Shalsi: E di për çfarë më vjen për të qeshur? Që ke 16 vite në politikë dhe nuk ke kuptuar asnjë gjë dhe do vazhdosh të mbijetosh në politikë me këtë stil të foluri
Lulzim Basha: Ta tregoj unë ty se çfarë kam kuptuar dhe të tjerëve.
Seanca plenare nis me debate, shkak reduktimi i kohës së diskutimit
Seanca e sotme plenare ka nisur me debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Përfaqësuesit demokratë kanë kërkuar ndërprerjen e seancës së Kuvendit pasi pretendojnë që iu është hequr e drejta e fjalës. Ata u shprehën se çdo deputeti i takon 10 minuta për diskutim.
“Na argumentoni pse keni hequr të drejtën e fjalës për opozitën, çdo deputeti i takon 10 minuta”, tha sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Por të kundërtën shprehu kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili i rikujtoi deputetëve opozitarë që vendi është në një situatë pandemie. Sipas Ballës, do të reduktohet koha e fjalimeve derisa të vaksinohen të gjithë deputetët. Po ashtu, Balla i bëri thirrje që të mos abuzohet me rregulloren e Kuvendit.
“Jemi në gjendje pandemie, nuk ka parlament në Europë që nuk i zhvillon seancat me kohë të shkurtuar. Do të reduktohet koha që flasin deputetët derisa të vaksinohen të gjithë.Mos abuzoni duke iu referuar rregullores. Kompetenca është e Konferencës së Kryetares. Kjo seancë do të zhvillohet sipas këtij vendimi”, tha Balla.