Bizneset dhe punonjësit në vendin tonë nuk janë duke e preferuar më punësimin me kontrata të përkohshme, duke kërkuar më shumë siguri. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare të INSTAT mbi përqindjen e të punësuarve me kontrata të përkohshme ndaj totalit të të punësuarve me pagë, vihet re një rënie drastike e këtij treguesi, i cili ka zbritur nga nivelet dyshifrore të periudhës 2013-2017 në nivele të ulëta historike në fund të vitit 2025.
Në vitin 2014 mbi 15% e të punësuarve kishin kontrata afatshkurtra, ndërsa në fund të vitit 2025 kjo kategori zuri vetëm 4.1% të të punësuarve gjithsej që përbën nivelin më të ulët të regjistruar në të dhuna zyrtare. Kriza e vazhdueshme për krah pune ka detyruar punëdhënësit të ofrojnë kushte më të sigurta dhe kontrata afatgjata për të mbajtur stafin, pasi lëvizshmëria e lartë dhe emigracioni kanë krijuar mungesa në treg sidomos pas pandemisë.
Nga ana tjetër formalizimi i ekonomisë dhe presioni në rritje i inspektimeve të punës kanë bërë që shumë marrëdhënie që dikur ishin të përkohshme ose të padeklaruara, të kthehen në pozicione standarde pune.

Gjithashtu, ndryshimi i strukturës së ekonomisë drejt shërbimeve më të lartë të shtuar kërkon një fuqi punëtore më të kualifikuar dhe të qëndrueshme, që zakonisht kërkojnë kontratat të përhershme.
Në Bashkimin Europian, mesatarja e punësimit me kontrata të përkohshme luhatet zakonisht rreth nivelit 10-12%, me vende si Spanja apo Holanda që historikisht kanë pasur nivele shumë më të larta se Shqipëria, shpesh mbi 20%.
Dallimi kryesor qëndron te natyra e këtyre kontratave, pasi në BE ato përdoren shpesh si një urë hyrëse për të rinjtë në tregun e punës ose për fleksibilitet të rregulluar ligjërisht.
Ekspertët e tregut të punës thonë se ky tregues duhet lexuar si një reagim ndaj krizës së ofertës së punës. Ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku punëmarrësit mund të pranojnë kontrata të përkohshme për shkak të fleksibilitetit, në Shqipëri punëdhënësit po përdorin kontratat e rregullta afatgjata si mjetin kryesor për të parandaluar largimin e punonjësve drejt emigrimit apo sektorëve të tjerë.
Teksa në BE, pjesa dërrmuese e forcës punëtore është e përfshirë në marrëdhënie page, në vendin tonë një pjesë e madhe e popullsisë aktive nuk figuron fare në statistikat e kontratave pasi punojnë në fermat familjare bujqësore, si vetëpunësim pa kontratë./ Marrë nga Monitor.al











