Shpresat janë zbehur dhe trishtimi i tragjedisë ka pushtuar futbollin brazilian dhe atë të krejt Amerikës Latine. Deri në 75 të vdekur është bilanci (ende jo zyrtar) i viktimave, pas rrëzimit të avionit çarter që udhëtonte nga Bolivia në Medelin të Kolumbisë. Në avion ishin 81 persona, 9 anëtarë të ekuipazhit dhe 72 pasagjerë, ndër ta 48 anëtarë të klubit të Chapecoenses, futbollistë, stafi teknik, drejtues të klubit dhe 21 gazetarë brazilianë.
Chapecoense shkonte në Medelin për finalen e parë të Copa Sudamericana (ekuivalente e Europa League), kundër skuadrës vendase Atletico Nacional, e cila do të zhvillohej nesër në mbrëmje.
Lajmet zyrtare flasin për 25 trupa të nxjerrë dhe pesë të mbijetuar, por komandanti i Policisë së Antioquias, gjeneral José Acevedo Ossa, thotë se ka vetëm gjashtë të mbijetuar dhe 75 të vdekur. Kërkimet për të mbijetuar të tjerë janë ndërprerë, ndërkohë që konfederata amerikano-jugore ka ndërprerë çdo aktivitet.
d.i.