Danimarka është vendi më i mirë në botë për të qenë grua, sipas Indeksit të Grave, Paqes dhe Sigurisë (WPS) 2023, i cili është prezantuar në tetor të vitit 2023 në Misionin Norvegjez në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Vendi shënon tre herë më shumë se Afganistani, i cili renditet më i ulëti në indeks.
Indeksi WPS, bazohet në burime të njohura të të dhënave për të matur përfshirjen, drejtësinë dhe sigurinë e grave në 177 vende.
Danimarka, Zvicra, Suedia, Finlanda dhe Luksemburgu kryesuan renditjen në vendet kryesore për gratë. Afganistani, Jemeni dhe Republika e Afrikës Qendrore renditen ndër më të ulëtat.
“Vendet ku gratë po ecin mirë janë më të prosperuara, paqësore, demokratike dhe më të përgatitura për t’iu përgjigjur ndikimeve të ndryshimeve klimatike,” tha Elena Ortiz (SFS’21), një studente e Georgetown e cila është autorja kryesore e raportit. “Kur gratë ecin mirë, të gjithë në shoqëri janë mirë, dhe indeksi ynë e tregon këtë.”
Indeksi i vitit 2023 zbuloi se mirëqenia e grave është e lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e një vendi.
Veçanërisht, 20 vendet e renditjes më të ulët në indeksin e këtij viti kanë përjetuar konflikt të armatosur midis 2021 dhe 2022. Në shumicën e këtyre vendeve – përfshirë Afganistanin, Jemenin, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudanin e Jugut – më shumë se gjysma e grave jetojnë në konflikt.
“Bota është e mbështjellë nga një numër në rritje konfliktesh dhe ka një rritje të autoritarizmit dhe shtytjes kundër progresit të grave,” tha ambasadorja Melanne Verveer, drejtore ekzekutive e GWIPS. “Indeksi na kujton se ekziston një korrelacion i drejtpërdrejtë midis mirëqenies së grave dhe mirëqenies së kombeve. Investimet në avancimin e barazisë gjinore janë gjithashtu investime në paqe, siguri dhe prosperitet.”/m.j