Renditja e FIFA-s, Shqipëria humbet 7 pozicione
Kombëtarja Shqiptare humbet 7 pozicione në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për muajin tetor. Përfaqësuesja kuqezi nga vendi i 25-të që ishte më 3 shtator ka rrëshkitur në të 32-tin, duke u parakaluar nga skuadra të tilla si Gana, Meksika apo Rusia. Kjo lëvizje e ndjeshme e kuqezinjve është pasojë e humbjes me Portugalinë në “Elbasan Arena” më 7 Shtator, vetëm pak ditë pas barazimit 0-0 në Kopenhagen me Danimarkën.
Gjithsesi vendi i 32-të në klasifikimin e të gjitha përfaqësueseve në rang global, konsiderohet mjaft pozitiv për një Kombëtare të vogël si Shqipëria, që ka shansin e artë të marrë pjesë për herë të parë në një event madhor të futbollit, siç është kampionati europian. Nga skuadrat e Grupit “I” eliminator ku bën pjesë edhe Shqipëria, Danimarka ka humbur 6 vende duke u pozicionuar e 28-ta, Portugalia fiton dy vende duke u renditur e katërta, Serbia tashmë e 63-ta ka fituar 3 pozicione, ndërsa Armenia nga vendi i 83-të ka zbritur në të 91-in. Në 10 më të mirë e para mbetet Argjentina, ndërsa Gjermania ka spostuar në vendin e tretë Belgjikën. Spanja nga e 11-ta është ngjitur në vendin e 6-të ndërsa Brazili ka humbur 2 pozicione duke u renditur i 7-ti.










