Peter Olayinka do të largohet nga Skënderbeu në janar, pasi ka firmosur sot me klubin kampion të Belgjikës, Gent, i kualifikuar në raundin me eliminim direkt në Champions League mbrëmë.
Transferimi i Olayinkës te Gent mendohet të jetë realizuar për 1.1 milionë euro, sipas Supersport, çka e bën atë lojtarin më të shtrenjtë të shitur nga kampionati shqiptar.
Edhe pse ka pasaportë nigeriane, Peter Olayinka është një prodhim i mirëfilltë i Kategorisë Superiore, ku ai debutoi prej moshës 16-vjeçare me Bylisin, ndërsa në dy vitet e fundit me Skënderbeun arriti nivele aq të larta, sa tërhoqi vëmendjen e disa klubeve të mëdha europiane.
Sipas kontratës së firmosur me Gent, sulmuesi do të luajë te kampionët e Belgjikës deri në vitin 2019. Pas aventurës me Skënderbeun në Europa League, Olayinka do të vazhdojë të prezantohet në ndeshjet ndërkombëtare, por këtë herë në 1/8-at e Champions League.
Te Gent ka luajtur për tre vjet, 2000-2003, ish-mbrojtësi i Shqipërisë, Geri Çipi, para transferimit në Gjermani, te Eintracht Frankfurt.