Jo më larg se në shkurt të vitit 2016, Kosova do të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, pasi që edhe tetë kriteret e përmendura nga Bashkimi Evropian, tashmë janë adresuar dhe janë zbatuar. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë “Zërit” ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Megjithatë, sipas tij, akoma mbetet shumë punë në adresimin e kritereve që ndërlidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit për shkak të kompleksitetit dhe përfshirjes së shumë institucioneve në hetim.
Ndërkohë, duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, i cili së fundmi mori pëlqimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, mirëpo që po vazhdon të kundërshtohet nga opozita, Çollaku ka ftuar këta të fundit për dialog që sa më parë ta tejkalojnë këtë proces.