Regjisori i njohur amerikan Quentin Tarantino ka përjetuar një tjetër gëzim në familje.
Në moshën 63-vjeçare, ai është bërë baba për herë të tretë, pasi bashkëshortja e tij, Daniella Pick Tarantino, ka sjellë në jetë një djalë.
Lajmi u konfirmua nga një përfaqësues i çiftit për revistën “People”, duke bërë të ditur se të dy janë shumë të lumtur për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të tretë.
Tarantino dhe Daniella janë tashmë prindër të dy fëmijëve të tjerë: Leo, 6 vjeç, dhe Adriana, 4 vjeçe. Deri më tani, çifti nuk ka zbuluar emrin e djalit të porsalindur apo datën e saktë të lindjes.
Shtatzënia e Daniellës u raportua fillimisht nga mediat izraelite në fillim të tetorit, por çifti kishte zgjedhur ta mbante këtë periudhë larg vëmendjes publike.
Historia e dashurisë mes regjisorit dhe këngëtares izraelite nisi në vitin 2009, kur Tarantino ndodhej në Izrael për promovimin e filmit “Inglourious Basterds”. Pas një periudhe ndarjeje, ata u ribashkuan rreth vitit 2016, u fejuan në vitin 2017 dhe u martuan në nëntor të vitit 2018, në një ceremoni private në Los Angeles.
Prej atëherë, çifti ka ndërtuar familjen e tij, ndërsa Tarantino ka folur në intervista edhe për rëndësinë e atësisë dhe përpjekjet për të balancuar jetën familjare me karrierën në kinema.










