Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” duke iu referuar Serbisë ka shprehur “keqardhje” që kjo e fundit është në mesin e vendeve që akoma nuk i ka vendosuar sanksione Rusisë për agresionin e paprovokuar në Ukrainë.
Kur është pyetur për tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe në dritën e luftës në Ukrainë dhe faktit se në rajon ka ende liderë që bashkëpunojnë ngushtë me presidentin rus, Vladimir Putin, kryediplomati çek ka theksuar se të njëjtit nuk mund të kenë mik edhe agresorin edhe viktimën.
Ai ka shtuar se Ballkani Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i brishtë dhe ata që e konsiderojnë Bashkimin Evropian “konkurrent dhe kërcënim” për sistemet e tyre autokratike të qeverisjes e dinë mirë se BE-ja ka intensifikuar procesin e rreshtimit të vendeve që ndjekin një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.
Kryediplomati çek nuk e përmendi në mënyrë eksplicite, por në mesin e shteteve që s’i kanë vendosur sanksione Rusisë është Serbia, megjithëse ajo votoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën që dënon agresionin e Rusisë, por ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Moskës.
Zyrtarët serbë në krye me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut – janë bashkuar me sanksionet amerikane dhe evropiane kundër Rusisë, ndërsa Serbia dhe Bosnje-Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus./m.j











