Familjet të cilat do të refuzojnë ofertat e punësimit të ofruara nga zyrat e punës do të përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike për të paktën një vit. Ndryshimet e bëra së fundmi nga qeveria kushtëzojnë ndarjen e pagesës së ndihmës ekonomike me punësimin e anëtarëve të familjeve përfituese.
Sipas vendimit, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, do të përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike për një periudhë njëvjeçare, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat për punë të zyrave të punës.
Ndërprerja e pagesës për të paktën një vit do të zbatohet edhe në rastet kur konstatohen se anëtarët e familjeve përfituese punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit.
Tashmë të gjitha drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror kanë marrë udhëzimet përkatëse që të verifikojnë në familjet përfituese, anëtarët në moshë aktive pune, për të cilët duhet që ccdo muaj të hartojnë listat përkatëse për t’ia përcjellë Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Pas dorëzimit të këtyre listave, do të jenë drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror ndjekin metodologjinë e daljes nga skema e ndihmës ekonomike për familjet me anëtarë në moshë aktive pune dhe mbështesin familjet me programet e shërbimit social, të aftësimit profesional dhe të punësimit me strukturat përgjegjëse.
Metodologjia e daljes nga skema e ndihmës ekonomike, për familjet me anëtarë në moshe aktive pune, miratohet nga ministri përgjegjës për çështjet sociale.
Po sipas ndryshimeve të bëra, nga përfitimi i ndihmës ekonomike do të përjashtohen edhe të gjithë përfituesit që refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin dhe formimin profesional.
Pagesën nuk mund ta përfitojnë as anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës, apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.
Një tjetër ndryshim i bërë në vendimin përkatës është edhe ai për dorëzimin e dokumenteve të përcaktuara.
Konkretisht bëhet e ditur se për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë anëtarë në moshë aktive pune që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, krahas dokumentacionit të përcaktuar, është e detyrueshme që të paraqesin edhe vërtetimin e lëshuar nga institucioni arsimor, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar një herë brenda një viti shkollor.
Pagesat e ndihmës ekonomike paguhen nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë bashkive ku ka vendbanimin përfituesi. Bashkia merr masa që këto pagesa të merren të plota nga përfituesit dhe të mos komisionohen.
Njësia administrative, me kërkesë të qytetarit, e pajis atë me dokument që vërteton se trajtohet me ndihmë ekonomike, duke përcaktuar masën e përfitimit dhe periudhën e trajtimit.
Këshilli bashkiak ka të drejtë të trajtojë me ndihmë ekonomike familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin socialekonomik të kryer nga administratori shoqëror. Këto familje do të trajtohen nga fondi i kushtëzuar për bllokndihmën ekonomike deri në 6 për qind ose me fonde të buxhetit vendor.
Në rast se familja nuk është dakord me vendimmarrjen për mospërfitimin e ndihmës ekonomike, ankimimi administrativ bëhet pranë bashkisë ku aplikoni dhe në rast se nuk gjeni zgjidhje ju keni të drejtë të ankimoni pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.
Pas ankimimit administrativ çdokush ka të drejtën e ankimimit pranë Gjykatës Administrative
Përllogaritja e masës së plotë të ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 lekë në muaj.
Kur në përbërjen e strukturës së familjes, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes.
Ndihmën ekonomike mund ta marrin:
- Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme.
- Prindërit me më shumë se tre fëmijë të lindur njëherësh që u përkasin familjeve në nevojë (trinjakë, katërnjakë, pesënjakë).
- Jetimët të cilët nuk janë në institucione.
- Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre.
- Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm tëmbrojtjes.
Ja sa përfiton secila kategori
- Përllogaritja e masës së plotë të ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit, bëhet sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 lekë në muaj.
- Kur në përbërjen e strukturës së familjes, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar.
- Për bashkëshortët në proces zgjidhjeje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort, do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes.
- Masa e ndihmës ekonomike për prindërit e fëmijëve të lindur është, si më poshtë: trinjakë 3 000 lekë, për çdo fëmijë, katërnjakë 4 000 lekë, për çdo fëmijë, pesënjakë 5 000 lekë për çdo fëmijë. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në mbarimin e arsimit bazë, por jo më shumë se 18 vjeç.
- Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3 000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.
- Masa e ndihmës ekonomike për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare, të përcaktuar nëurdhrin e mbrojtjes apo urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është 3 000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit tëmenjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.
- Masa e ndihmës ekonomike, për çdo jetim, është 3 000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet nga jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre.
- Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet që ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 lekë në muaj gjatë vitit shkollor.
- Anëtarët e familjes, fëmijë, për të cilët vërtetohet se janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit, marrin një shtesë në masën 100 lekë, për çdo vaksinë të kryer.
- Për anëtarin e familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune, nuk llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen./dita