“Dora jonë ka qenë dhe mbetet e shtrirë ndaj opozitës jashtëparlamentare për reformën zgjedhore”, deklaroi sot ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.
I ftuar në një studio televizive, Shalsi tha se “është shumë e qartë se çfarë duhet bërë për reformën zgjedhore pasi këtë e kanë përcaktuar ekspertët e OSBE/ODIHR-it dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me opozitën parlamentare dhe atë joparlamentare.
“Reforma zgjedhore nuk është në dorën e PS-së, se po të ishte në dorën tonë do ta kishim ezauruar prej kohësh. Ne i kemi kërkuar që t’i kemi në tryezën e komisionit të përbashkët, të cilin opozita e refuzoi në mënyrë konstante deri sa braktisi edhe frontin e betejës politike. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të mbështetur një dokument konkret. Kemi një dokument të OSBE/ODIHR-it që përcakton qartazi problematikën që duhet adresuar, ne jemi gati për ta adresuar”, tha ai.
Shalsi tha se ne do të bëjmë ç’është e mundur, por nuk mund të tërheqim me zor atë pjesë të politikës, e cila deri dje dukshëm nuk ka qenë interesuar për të adresuar problematikën konkrete të shkruar në raportin e OSBE/ODHR-it.
Lidhur me çeljen e negociatave, Shalsi tha se “nga pikëpamja teknike KE ka thënë se Shqipëria i ka përmbushur detyrat”.
“Nëse shihni se se ka ecur trajektorja e BE-së në lidhje me vendet e ndryshme, shihet se ka qenë i ndryshëm qëndrimi i BE-së. Në rastin konkret Gjermania, aleatja jonë strategjike, ka nënvizuar nga një mori gjërash që Shqipëria duhet të vijojë me çeljen e negociatave. Procesi i anëtarësimit nuk është i lehtë dhe çelja e negociatave prezumon kalimin në një rrugë akoma me më tepër përgjegjësi dhe përmbushje kriteresh”, tha Shalsi.
Natyrisht, shtoi ai, “që e gjithë zallamahia që shkaktoi sjellja e paprecedent e opozitës nuk është se nuk ka kaluar pa pasoja edhe në BE”.
/a.r











