Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht edhe kryetar i LSI-së, është vënë në qendër të vëmendjes pas deklaratës së tij të sotme se në seancën parlamentare të 28 janarit do të konstituohet komisioni parlamentar për reformën zgjedhore. Deklarata e kreut të Kuvendit erdhi menjëherë pasi PD-ja dërgoi në Kuvend emrat e përfaqësuesve të saj që do të jenë pjesë e këtij komisioni. Ka qenë vetë Meta ai që në kulmin e debatit për Reformën në Drejtësi, pak javë më parë, kërkoi ngritjen e komisionit për Reformën Elektorale, i cili do të merret me hartimin e ndryshimeve në Kodin Elektoral. Në praktikën e punës së Kuvendit ka qenë e zakonshme që forcat politike të nisnin procesin e ndryshimeve në Kodin Elektoral 6 muaj përpara zgjedhjeve. Ajo që bie në sy në këtë rast është jo vetëm fakti se zgjedhjet duan 18 muaj që të zhvillohen, por edhe se kërkesa e LSI-së vjen në një moment kur ambienti politik është tejet i ndezur, lidhur me Reformën në Drejtësi. A është kjo thjeshtë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga Reforma në Drejtësi, apo vërtetë LSI dhe PD janë të interesuara që reforma elektorale të mbyllet sa më shpejt?
Sistemi zgjedhor
LSI-ja qartazi është e interesuar që vizatimi i reformës elektorale të bëhet sa më shpejt, dhe nga ana tjetër të testojë palët nëse janë në një mëndje lidhur me sistemin proporcional me prim. Ky sistem i jep një avantazh partisë së parë që merr më shumë vota duke i dhënë një bonjus prej 15 – 20 deputetësh në mënyrë që të qeverisë vendin. Me një sistemtë tillë funksionojnë grekët dhe spanjollët. Por ky sistem bie ndesh me interesat e LSI-së pasi kjo do ta nxirrte në periferi efektin e saj politik në koalicione qeverisëse. Në fakt artikulimin për një sistem me prim e ka bërë lidershipi i PD-së. Ky artikulim u lexua si një përpjekje për diversion ndaj koalicionit PS- LSI. PS-ja nga ana e saj nuk është shprehur lidhur me sistemin zgjedhor, nëse do ruhet skema aktuale apo do të kalohet në skemën me prim. Ndaj është momenti që LSI-ja ta testojë se cili është qëndrimi PS-së lidhur me këtë propozim të PD-së. Nga ana tjetër nuk është habi që PD-ja të rreshtohet në “mbrojtje” të LSI-së, si kompensim mesa duket për “mbështetjen” që kjo e fundit po i bën PD-së për mbetjen pezull të reformës në drejtësi.
Partitë politike pro dhe kundër primit
Komisioni për reformën në elektorale, do të tentojë tu japë përgjigje disa pyetjeve në lidhje me këtë reformë. Por nga ana tjetër që tani palët janë rreshtuar me qëndrimet e tyre ndaj sistemit me prim. Kryetari i PD Lulzim Basha ka deklaruar se “nuk jam për sistemin zgjedhor me ‘prim’, por s’jam kundër të diskutojmë. Nuk mund të përdoret kjo për të asgjësuar një subjekt politik”. Basha gjithashtu ka kërkuar edhe uljen e numërit të deputetëve “me qëllim mbajtjen në kontroll të kostos së vendimmarrjes”. Ai ka hedhur edhe idenë e një senati. Ndërsa ish-kryeministri Berisha, është shprehur se sistemi “me prim” do të ishte në interes të vendit, nëse bëhet për të mos dënuar subjekte të tjera politike. Nga ana e tij kryeministri Rama është shprehur se PS-ja nuk ka kërkuar një sistem ‘prim’, por është për një reformë zgjedhore që do të jepte dakordësinë edhe opozita. Kundër me ashpërsi shprehet edhe LSI-ja. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka thënë pak kohë më parë se “primi do të jetë një hap mbrapa, një kthim te sistemi i Dushkut, pasi partitë marrin vota që nuk t’i jep populli, por sistemi”. Sipas tij, përmirësime në sistemin zgjedhor duhet të bëhen, por vetëm aty ku vërejnë monitoruesit ndërkombëtarë.
(javanews.al) Me. Ar









