Reforma në drejtësi, sfida e vështirë e sesionit të ri parlamentar
Reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë sfida e vështirë e sesionit të ri kuvendor, që nis më 7 shtator.
Pak ditë më parë, kryetari i komisionit të posaçëm, Fatmir Xhafaj, konfirmoi për mediat ndërhyrjet në disa nene të Kushtetutës, duke specifikuar dhe institucionet që do të preken nga këto ndryshime, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës dhe Gjykata Kushtetuese.
Krahas amendimit të Kushtetutës, parashikohen ndërhyrje dhe në rreth 45 ligje të tjera, që do të përbënin dhe bazamentin e reformimit të sistemit të drejtësisë shqiptare. Sipas drejtuesve të komisionit të posaçëm hartimi i paketës së projektligjeve të nevojshme do të jetë një proces gjithëpërfshirës, i mbështetur nga institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertë vendas, partnerë ndërkombëtarë, etj.
Reforma në drejtësi ka përmbyllur tashmë dy fazat e para të saj. Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, që përbën dhe fazën e parë, është një dokument me rreth 450 faqe, i pari i këtij lloji në 25 vjet, i cili pasqyron në mënyrë të plotë një analizë të hollësishme mbi sistemin e drejtësisë në vendin tonë.
Ndërsa faza e dytë lidhet me Strategjinë për Reformimin e Drejtësisë dhe Planin e Veprimit për zhvillimin e saj. Ky dokument synon t’u japë zgjidhje gjetjeve, problematikave dhe përfundimeve të identifikuara në dokumentin e analizës së sistemit të drejtësisë, përmes ndërhyrjeve kushtetuese e ligjore që duhen kryer në këtë drejtim.
Reforma në drejtësi, e konsideruar një kusht kyç për integrimin në Bashkimin Europian, ka vëmendjen maksimale të maxhorancës së majtë për realizimin e plotë të saj.
Procesi synon të seleksionojë në radhët e gjyqtarëve e prokurorëve ata që përmbushin standardet europiane, duke u ndarë nga të paaftit, të korruptuarit dhe të inkriminuarit.
Puna për këtë reformë nisi në fillim të këtij viti me ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar, të cilit më pas iu bashkangjit një grup i madh ekspertësh të nivelit të lartë. Opozita e bojkotoi fillimisht komisionin dhe iu bashkua atij vetëm në muajin korrik, pas një marrëveshjeje të arritur me mazhorancën e majtë.









