Komisioni i Venecia pranoi të shqyrtojë draftin me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga grupi i ekspertëve vendës dhe të huaj, që do t’i hapë rrugë reformës në drejtësi.
Komisioni i Venecias bën pjesë të punës së tij reformën në drejtësi, të përmbledhur në një dokument voluminoz, të dorëzuar nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj të angazhuar në Komisionin e Posaçëm. Në kalendarin e punës, komisioni parashikon që në 24 tetor drafti i kryereformës në Shqipëri të prezantohet nga kryetari socialist i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj. Ndërkohë, opinionet e Partisë Demokratike për 53 amendamentet e ekspertëve do të merren në shqyrtim në sesionin e dhjetorit.
Në axhendën e punimeve plenare të këtij Komisioni, është zyrtarizuar tashmë edhe kërkesa që ka mbërritur nga Tirana për t’u shprehur mbi modifiket e propozuara të Kushtetutës. Mëngjesin e të shtunës, 24 tetor, Fatmir Xhafaj do t’i prezantojë Komisionit të Venecias reformën në drejtësi. Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar, ngritur për këtë reformë, është ftuar që të paraqesë para Komisionit të Venecias amendamentet kushtetuese që fokusohen në çështjet e integrimit europian dhe të drejtësisë. Kjo paraqitje do të zhvillohet gjatë seancës plenare të Komisionit të Venecias, mbledhja e të cilit ka tashmë edhe axhendën e publikuar.
Prezantimi i Fatmir Xhafajt është caktuar të zhvillohet në orën 9 mëngjesit. Sipas njoftimit zyrtar, komisioni do të ekzaminojë draftin me ndryshimet kushtetuese dhe do të shprehet mbi to në seancën e dhjetorit. Pjesë e propozimeve të mbërritura nga Tirana janë edhe ato të opozitës, e cila nuk u bë pjesë e grupit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendës përsa i përket reformës në drejtësi, por i paraqiti Komisionit të Venecias vërejtjet e saj me shkrim. Sugjerimet dhe opinioni që do të shprehë Komisioni i Venecias mbi draftet janë i një rëndësie të veçantë, pasi në mungesë të një konsensusi politik mes mazhorancës dhe opozitës mbi këtë reformë, palët janë në parim dakord që të mbështesin vërejtjet që do t’i vijnë nga përtej Adriatikut. Në planet e maxhorancës është që këto ndryshime kushtetuese të miratohen nga parlamenti brenda dhjetorit, për t’i hapur më pas rrugë vitin e ardhshëm hartimit të ligjeve përkatëse.