Nga Spartak Ngjela
Reforma shqiptare nuk mbaron me reformën në drejtësi; por ajo fillon me të.
Reforma është një gjë e madhe, dhe për Europën veriore gjermanike dhe botën anglosaksone ajo është e shenjtë.
Në 31 tetor të këtij viti mbushen plot 500 vjet nga Reforma e madhe luteriane, sepse në 31 tetor të vitit 1517, murgu Martin Luter, vari në Kështjellën Kishës të Wittenberg-ut Nëntëdhejtë e Pesë Tezat e tij të famshme, ku realisht fillon reforma në Krishtërimin Perëndimor; reformë kjo që e solli njerëzimin në këtë lartësi të shkencës, të mendimit, të barazisë, të moralitetit dhe të drejtësisë që është plazmuar në qytetërimin perëndimor.
Një popull që kërkon të reformohet, patjetër që ka vuajtur nga korrupsioni i lidërëve të tij, njëlloj si edhe një religjon; dhe njëlloj si edhe çdo organizim tjetër shoqëror ku abuzojnë drejtuesit e vet.
I.Reforma në drejtësinë shqiptare që ka nisur nuk mund të ndalet, sepse ajo, para së gjithash, është kushti për të vendosur moralitetin në politikën shqiptare. E duan apo nuk e duan, e luftojmë apo nuk e luftojnë liderët aktualë të korruptuar që kanë pushtet sot në Shqipëri, ajo nuk mund të ndalohet. Asaj i duhet nënshtruar, sepse, kështu siç janë servirur gjërat, shqiptarët mezi po e prisin: ata ndërkohë kanë krijuar një shpresë të re se edhe në atdheun e tyre mund të jetohet me drejtësi dhe me mirëqënie.
Pyetja që ngrihet këtu është kjo: kush ua ka hequr shqiptarëve besimin se atdhe i tyre nuk bëhet dot për të jetuar shqiptarët? Dhe përgjigjia është e thjeshtë: drejtuesit e tyre të korruptuar në njëqind vjet histori të shtetit shqiptar ua kanë hequr këtë besim. Kjo tani është një aksiomë që nuk ka nevojë të provohet.
Atëherë?
E pra, pikërisht këtë reformë në drejtësi, edhe pse me skepticizëm historik brenda vetes, shqiptarët po e presin të kryhet, që edhe ata, si popujt e tjerë europianë, të jetojnë me motiv në atdheun e tyre. Dhe kjo nuk është pak. Është koha historike që e kërkon, por lidërët e korrupsionit shqiptar as e kanë kuptuar e as do ta kuptojnë ndonjëherë se cfarë është koha historike. Ajo është domosdoshmëri e ngjarjes së re; dhe nuk kthehet mbrapa. Kjo është në fakt arsyeja e parë e suksesit të reformës.
II.Arsyeja e dytë është garantimi i reformës. Garantimi i reformës shqitare është angazhimi i politkës amerikane në këtë reformë; dhe ky angazhim është ai që krijon kohën tonë historikë. Forca e kësaj politike, dhe alaenca me shqiptarët e pakorruptuar, thuajse e ka sjellë nderkohe reformën në drejtësinë shqiptare. Por pyetja është kjo: po më tej?
E pra, reforma në drejtësi është vetëm fillimi; sepse ajo mbart me vete vetëm ato elementë që sigurojnë pastrimin drastik nga korrupsioni të politikës shqiptare dhe të pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Më pas duhet të vinë me radhë:
1. Reformimi i gjykatës shqiptare sipas modelit dhe frymës së gjykatës e Bashkimit Europian.
2. Reformimi dhe zgjerimi i Shkollës së Magjistraturës, ku të thirren juristë me përvojë nga kudo ku jetojnë shqiptarë të lauruar në jurisprudencë, dhe që e marrin konkursin për t’u regjistruar në këtë Shkollë. Ketu duhet të thërriten për të dhënë leksione civilistë dhe penalistë të spikatur në rrafsh botëror.
3. Hapja me ekspertë të huaj, sa më shpejt, e shkollës që do të përgatisë hëtuesët shqiptarë që duhet të plotësojnë organikën e gjerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kriza e drejtësisë shqiptare sot fillon nga kriza në hetim. Hetimi shkencor i zbulimit dhe vërtetimit të faktit kriminal, është domosdoshmëri për drejtësinë e ardhëshme shqiptare.
4. Ristrukturimi i të gjithë administratës shqiptarë duke e strukturuar atë që të ecë sipas procedurave të sakta ligjore në përgjegjësinë strikte që duhet të mbajnë kundrejt shqiptarëvea dministratorët e shteit shqiptar. Kjo reforëm duhet të jetë në esencë ristrukturimi ligjor i përgjegjësisë ligjore të adminitrstorit shqiptar kundrejt shqiptarëve; nga administratori i thjeshtë, te ministri, e nga ministri të kryeministri.
5. Ristrukturimi i të gjitha ligjeve që konfigurojnë aspektin e demokracisë shqiptare, të cilat nuk kanë funksionuar se nuk ka pasur drejtësi.
Në funksion të kësaj: përfundimi i reformës territoriale për garantimin e pavarësisë së pushtetit vendor, të kontrolluar nga kuvendet vendorë të rajoneve të mëdhej, dhe zgjedhja nga vëtë popullsia e rajonit të Presidentit të Rajonit; ristrukturimi i Kodit Zgjedhor për t’ia hequr administrimin e zgjedhjeve korrupsionit partiak, dhe për t’ia dhënë një organi të pavarur që duhet të funksionojë brenda koncepteve të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Administrimi i drejtësisë nëpërmjet një gjykate të pavarur dhe të kontrolluar jashtë poltikës, është i njejtë me administrimin e procesit zgjedhor jashtë çdo tendëncë politike branda këtij administrimi. Në thelb, pikërisht ky është shteti i drejtë, dhe kjo është demokracia, se vetëm kështu mund të vendosen themelt e drejtësisë shqiptare në një aspekt tërësor të tregut të lirë, të administrimit me përgjegjësi ligjore; të dhëniës së drejtësisë dhe të demokracisë që garantohet vetëm nga vota e lirë.
Pa votë të lirë nuk mund të ketë as drejtësi dhe as demokraci në një vend.
Vota e lirë e administruar jashtë poltikës, dhe pushteti gjyqësort i adninistruar gjithashtu jashtë poltikës, janë dy garancitë e domosdoshme të demokracisë.
A do të realizohen këto në Shqipëri?
Po, unë jam i sigurt se që të dyja këto do të realizohen. Le të presim, se shumë shpejt do t’i shohim hap pas hapi sesi keto do të impelemetohen në vendin tonë .