Komisioni posaçëm për Reformën në Drejtësi nuk do të mblidhet as të enjten pasdite, siç ishte parashikuar më herët, kur u lajmërua shtyrja e parë, mëngjesin e sotëm.
Mësohet se mbledhja do të zhvillohet tashmë të martën në mëngjes. Mëngjesin e sotëm ishte mungesa e anëtarëve të opozitës që shkaktoi shtyrjen dhe tashmë mësohet se janë sërish ata që e kanë kërkuar këtë shtyrje.
Një ditë më parë, maxhoranca dhe opozita arritën kompromis për disa çështje të rëndësishme, si Byronë Kombëtare të Hetimit, për të cilën u ra dakord që të jetë në varësi të prokurorisë së posaçme; për Këshillin e Emërimeve, që ishte një tjetër pikë kyçe e kontestuar nga opozita, por që mori konsensus, duke vendosur që përbërja e tij (Këshillit) të vendoset nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT.
Ndërsa mbrëmjen e së mërkurës palët sheshuan mosmarrëveshjet edhe për disa çështje të tjera, si Tribunalin Disiplinor, Gjykatën Administrative dhe Gjykatën Kushtetuese.