Nga Ben Andoni
Qysh prej vitit 2008, shqiptarët nuk zgjedhin më realisht përfaqësuesit e tyre, thjesht votojnë në një proces të kryetarëve të Partive, që sistematikisht i ka zhgënjyer dhe është përfolur. Rezultati është ai i sotmi: qeveri që nuk përfaqësojnë interesat e njerëzve, moskuptim i nevojave bazë publike dhe mbi të gjitha neglizhencë jo e pakët e shqetësimeve reale publike.
Shqipëria duket se ka bërë një hap pozitiv të fundit teksa më 28 Shkurt, KQZ-ja ka pranuar kërkesën për Referendumin mbi ndryshimin e Sistemit Zgjedhor. E mirëpritur kjo, pas disave të hedhura poshtë deri më tani.
Kërkesa është pranuar dhe tashmë mbetet të precizohet sesi do të veprohet nga iniciatorët për të precizuar pyetjen bazike për zgjedhjet. Në fakt, referendumi është një nga ose të themi mënyra e vetme ku njerëzit mund ta ndjejnë veten zot të fateve të tyre. Tek e fundit është fare e thjeshtë dhe jashtë makinacioneve që bëhen në kohë zgjedhjesh: vetëm një pyetje për t’u përgjigjur dhe kësaj pyetje është shumë e lehtë që çdo kush t’ia gjejë përgjigjen.
Ndërkohë që politika gjithnjë e ka vështirësuar për publikun rrugën e referendumit, që është e garantuar nga Kushtetuta dhe dokumentet respektive ndërkombëtare. Deri më sot, janë bërë tre të tilla, e ato mbetën shumë përcaktuese për vendin.
Vetëm se, në ditët tona, Shqipëria e ka të pamundur mbajtjen normale të një referendumi, pasi nuk ka një ligj të riparë, lidhur me to. Do të thotë që ka një bazë ligjore që daton në vitin 2003, ku e drejta precizohet në kapitullin e nëntë të Kodit Zgjedhor, por ky është shfuqizuar. Prej atëherë, Kodi Zgjedhor është ndryshuar disa herë, veçse rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODHIR në vitin 2004 nuk janë marrë kurrsesi parasysh. Ky fakt u është përsëritur autoriteteve shqiptare nga të dyja këto institucione ndërkombëtare, të cilat vazhdimisht na rekomandojnë dhe u drejtohemi. Të njëjtat, në vitin 2007 e kanë shprehur këtë në formë keqardhje për mos marrjen parasysh të gjykimeve të tyre. Në Nenin 185, pika 2 thuhet se: Pavarësisht nga përcaktimet e bëra në pikën 1 të këtij neni, pjesa e nëntë “ Referendumet” e ligjit nr. 9087, datë 19.6.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe çdo pjesë e dispozitave të tij që ka lidhje me të mbetet në fuqi deri në miratimin e ligjit të ri për referendumet e përgjithshme dhe vendore. Administrimi i procesit të referendumeve dhe nxjerrja e rezultatit të tyre bëhen në përputhje me këtë Kod. Kodi ka pësuar sërish ndryshime, por politika nuk ka bërë presion që detyra e dalë nga Kodi Zgjedhor i 2008-ës për të hartuar Ligjin Për Referendumet, të vihej në zbatim. Ndërkohë që edhe ashtu si ishte, referendumi mbart shumë kleçka: një e tillë, që korrespondon me nenin 118, e konsideron fituese alternativën që mbart “jo më pak se një të tretën e numrit të zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve”
Të mendosh sot, abstenimin e madh të njerëzve dhe trendin që nuk shfaqet në votim e kupton sesa i pamundur është sot ky rezultat.
“Kjo klasë politike këtë përqindje bllokuese (të famshmen 1 të tretën e listës totale të zgjedhësve) nuk e ka aplikuar as për zgjedhjet parlamentare as për zgjedhjet lokale, përkundrazi, pavarësisht pjesëmarrjes në votime, përqindjes etj…. Zgjedhjet quhen të ligjshme sikur të shkoj qoftë edhe vetëm një votues të votoj nga 3 milion e kusur që janë në listën e zgjedhësve”, shprehet në nja analizë të saj znj. Gjikondi, një nga 12 pjesëtarët e iniciativës së re referendare.
…
A e inkurajon trendi ndërkombëtar referendumin?! Kjo pyetje ka nevojë për përgjigje të saktë. Ekspertët vlerësojnë se ka pasur më shumë se 600 referendume në botë që nga viti 1973. Por ky element demokratik iu desh pak kohë t’i japë frymë demokracisë dhe qytetarisë së saj në kontinent. Në një artikull të botuar te “The Guardian”, thuhet se: Referendumet, në të vërtetë, ishin relativisht të rralla në periudhën e menjëhershme të pasluftës, me rreth një duzinë në një dekadë gjatë viteve 1960 dhe 1970, por u ngritën si numër në vitet ’90, konsideruar si një lloj ridimensionimi i shteteve të reja post-komuniste, të cilat konsultoheshin me publikun e tyre se çfarë qëndrimi duhet të mbanin. Ndërkohë që, Evropa kishte shembuj të mirë. Është shembulli i jashtëzakonshëm i Zvicrës ku deri më tani janë mbajtur 300 referendume për një periudhë mbi 1 shekullore, që ndiqet nga gati 70 të tjera syresh në Itali, po gjatë të njëjtës kohë. Madje, Italia është bashkuar me referendum. Një numër i madh referendumesh janë zhvilluar në Irlandë dhe kështu me rradhë në vende të tjera, për të treguar interesat e mëdha që kanë njerëzit për përfaqësimin dhe delegimin e të drejtave të tyre.
Në të njëjtin artikull, është cituar dhe Matt Qvortrup, profesor i shkencave politike në Universitetin Coventry, që ka gjetur se në kohët tona numri i referendumeve u trefishua afërsisht në vitet 1990 dhe vazhdon në atë nivel. Por për çfarë vlen vallë sot referendumi? “Në një farë mënyre ato japin një sens shumë të drejtpërdrejtë të asaj që është gjendja reale për një çështje të caktuar”, shprehet Charles Pattie, profesor i politikës në Universitetin Sheffield, që nga ana tjetër shton se: Problemi me referendumet, sidoqoftë, është se ato ziejnë vendime komplekse në zgjedhje binare të thjeshtëzuara / ose zgjedhje të tilla, të cilat nuk paraqesin gjithmonë një mënyrë të mirë për të arritur në rezultate përfaqësuese.
…
Po Shqipëria dhe referendumet? Kemi pasur vetëm pak syresh, tre të tilla pas viteve ’90, që kanë bërë diferencë sa i përket përballjes së njerëzve, ndërsa kërkesa të vazhdueshme për to janë hedhur poshtë deri më sot. Veçse, për Shqipërinë problemi nuk është vetëm ligjor por edhe më shumë se kaq. Ai lidhet me vetëdijen e publikut sesa i aftë dhe sa i ngritur është që t’i shërbejnë si duhet realisht një kauze dhe nuk mund të manipulohet. Në rastin tonë, kur mungon një studim i thelluar për zgjedhjet, por kemi rekomandime pa fund të OSBE/ODHIR për përmirësime dhe sisteme të ndryshme të provuara e të dështuar, jemi ende realisht të paqartë: Vërtetë a do të jemi të sinqertë me referendumin tonë?! Për fat të keq, deri më tani, kemi treguar se nuk jemi të tillë. (Homo Albanicus)
Shkrimi mori të dhëna nga: Referendums: who holds them, why, and are they always a dog’s Brexit?”-Nga Jon Henley në Paris, Rory Carroll në Dublin dhe Mark Rice-Oxley, botuar tek “The Guardian”